Ndërlidhjet

Moskonkurrenca krijon mungesë të marketingut


Ilustrim
Ilustrim

Marketingu në ditët e sotme është bërë pjesë përbërëse e punës së ndërmarrjeve e kompanive të ndryshme.

Konkurrenca e ashpër i shtyn kompanitë që përmes reklamave, qofshin ato televizive apo të formave tjera, ta afrojnë klientin me produktin e tyre.

Kosova ka kompani të cilat me anë të marketingut promovojnë produktin e tyre.

Barlet Namoni nga kompania ushqimore "ASK Foods", thotë se kjo kompani i kushton rëndësi mjaft të madhe marketingut.

"Marketingu është një nga pjesët më vitale që të mund të ushtrohet në një veprimtari. Është një nga pjesët kryesore sa i përket funksionimit", thotë Namoni.

Sipas tij, marketingu më i mirë është kur e ke direkt kontaktin me klientin, por thotë se ndonjëherë është e nevojshme edhe angazhimi i një kompanie tjetër, e cila do të përkujdesej për organizimin e reklamave.

Një kompani marketingu, e quajtur R&M, bën fushata të ndryshme për klientët e tyre.

Drejtoresha e saj, Yllka Metaj, thotë se konkurrenca nuk është e vogël, sidomos në këto dy vitet e fundit, kur është vërejtur një interesim më i madh për promovim të produkteve me anë të reklamave.

Megjithatë, ajo thotë se ende ka kompani që ende nuk e dinë rëndësinë e marketingut.

"Nëse e marr periudhën kohore në këto dy vitet e fundit, atëherë mund të them që ka konkurrencë, por ka edhe kompani të cilat janë të mendimit që edhe vetë mund ta bëjnë këtë pjesë të marketingut, do të thotë që ende nuk e kanë parë rolin e saktë se çfarë rëndësie ka marketingu. Kërkesa tash ka filluar të rritet, për dallim prej viteve të kaluara", shprehet Metaj.

Ajo bën të ditur se mënyra e komunikimit të kompanive me klientët e tyre ka filluar të ndryshojë, duke theksuar nevojën që kompanitë e ndjejnë që klienti të afrohet me produktin e tyre.

"Mënyra e komunikimit dallon, ose tash është parë që ka filluar të ndryshojë. Kjo për arsye se gjithmonë është parë klienti, të afrohet klienti. Ndërsa tash po shihet që është pak më kyçe që konsumatori të jetë më afër 'brendit' të caktuar dhe ta dojë atë produkt të cilin e përdorë. Por, nëse krahasohet me vendet tjera, Kosova ende mbetet kah mesi i komunikimit edhe i elementeve që përdoren brenda marketingut", shprehet Metaj.

Ekspertët e ekonomisë thonë se në Kosovë, meqenëse tregu nuk është i zhvilluar dhe konkurrenca nuk është aq e ashpër, ende ka mungesë të marketingut, i cili është pjesë përbërëse e zhvillimit.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshe nga Kosova, në vendet perëndimore, meqenëse konkurrenca është shumë e lartë, edhe marketingu është shumë i zhvilluar.

"Në botën e zhvilluar, marketingu është shumë i zhvilluar sepse konkurrenca është shumë e lartë. Ajo i shtyn ndërmarrjet që në një mënyrë ose tjetrën t'i bëjnë publike produktet e tyre, çmimet e tyre dhe mënyrën e komunikimit me klientelën. Në Kosovë, meqenëse tregu nuk është i zhvilluar dhe sipërmarrja nuk është aq konkurrente, mungon ky fenomen i cili është pjesë përbërëse e zhvillimit".

Zoti Ramosaj, megjithatë vë në pah disa lëvizje pozitive që janë bërë në këtë drejtim.

"Sidoqoftë, kemi disa ambicie dhe disa ide të reja të marketingut nga firma të cilat edhe shpenzojnë për marketing. Ka lëvizje pozitive, por jo në atë nivelin të cilin jemi mësuar ta shohim në botën perëndimore. Me rritjen e konkurrencës në treg, qoftë të ndërmarrjeve të cilat pretendojnë që me produktet e veta të jenë në listën e prioriteteve, qoftë me çmimet e tyre, qoftë me formën e tyre të komunikimit, unë besoj që do të zhvillohet", thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Pjesë e pashmangshme e marketingut janë bërë edhe rrjetet sociale.

Marketingu në Facebook, që është rrjeti social më i përdorur në botë, nga ekspertë të ndryshëm konsiderohet të jetë mënyra më e lirë e reklamimit, sepse efektet janë shumë universale dhe të shumanshme, meqenëse ky rrjet ka rreth 1.5 miliard përdorues aktiv.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG