Partitë politike po shkojnë drejt dështimit në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, thonë analistët politik në Prishtinë.
Sipas tyre, zgjidhja do të mund të fillonte nëse blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje të hiqte dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit duke ia lëshuar këtë post Partisë Demokratike të Kosovës dhe të priste rastin për formimin e qeverisë si shumicë parlamentare.
Mirëpo, lëshimi i këtij posti, shihet si lëkundje e balanceve në marrëveshjen që LDK, AAK, dhe Nisma kishin nënshkruar për ndarjen e posteve.
Fisnik Korenica nga Instituti për Studime Juridike e Politike mendon se posti i kreut të Kuvendit është pika më neuralgjike e marrëveshjes.
Korenica nuk sheh ndonjë mundësi që LDK pas heqjes dorë nga posti i kryeministrit të lëshonte edhe atë të kryetarit të Kuvendit.
Kjo sipas tij, do të nënkuptonte një nënshtrim humbësi të LDK-së në këtë proces të krijimit të institucioneve.
"Ka një qëndrim tërësisht statik të LDK-së që të mos heqë dorë dhe si rrjedhojë edhe blloku LAN dhe VV (LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje) të mos heqë dorë dhe të mos ecet as edhe një hap përpara pa e siguruar postin e kryetarit të Kuvendit. Në anën mua më duket shumë e pamundshme që blloku LAN dhe VV të rishikojnë marrëveshjen për ndarjen e pushteteve sepse në qoftë Ramush Haradinaj apo Isa Mustafa këtë marrëveshje e kanë njëfarë dizajni të akomodimit të tyre personal", ka theksuar Korenica.
Ndërkohë, edhe analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se është fare pak e pritshme që të rishikohet marrëveshja e koalicionit pas zgjedhor, me qëllim të largimit të këtij blloku nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit.
Me kalimin e ngërçit rreth postit të kryetarit të Kuvendit, do të hapej mundësia e formimit të qeverisë, ku edhe koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje mund ta ketë rastin e vet, ka thënë tutje Muhaxhiri.
"Ideja më e lehtë do të ishte sikur VLAN-i (blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje) të hiqte dorë nga posti i kryeparlamentarit dhe më pastaj t'i hapej rrugë krijimit të qeverisë sepse dihet që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e dytë të drejtën për nominimin e kryeministrit mund ta marrë edhe blloku VLAN. Andaj, kjo do të ishte mënyra më e lehtë. Mirëpo, nëse VLAN-i nuk e pranon këtë opsion atëherë ndoshta do të mund të shkohet me ndonjë ide për një qeveri të përkohshme", ka thënë Muhaxhiri.
Bazuar në pozicionet e ngurta të dy blloqeve më të mëdha politike, Artan Muhaxhiri mendon se në një fazë të ardhshme mund të vijë në shprehje një intervenim dhe trysni ndërkombëtare që për të tejkaluar krizën.
Liderët politik, sipas tij, po tregohen arrogantë dhe se kriza e krijuar buron edhe nga rivalitetet dhe inatet personale mes tyre.
"Sipas të gjitha gjasave duket se do të duhet një presion i madh ndërkombëtar që t'i përafroj qëndrimet sepse asnjëra prej palëve nuk po jep ndonjë ide të qartë dhe realiste për të dalur nga ky ngërç politik", ka vlerësuar Muhaxhiri.
Në anën tjetër, Fisnik Korenica mendon se faktori politik në Kosovë do të duhet t'i vazhdonte përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes.
Ai favorizon një zgjidhje që buron nga faktori vendor, pasi që intervenimi ndërkombëtar, sipas Korenicës, nuk do të ishte i shëndetshëm për demokracinë në shtetin më të ri evropian.
"Mendoj që gjetja e një zgjidhje të përbashkët është e mundur, por që kjo do të duhej të bëhej përmes një platforme që do të duhej ta ofronte në këtë fazë presidentja e Republikës e cila do të shpjegonte se si duhet që institucionalisht të zgjidhet kriza politike në lidhje me zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Kjo ka mbetur e vetmja hapësirë institucionale që mund të shfrytëzohet përmes së cilës eventualisht mund të gjendet një zgjidhje e përbashkët për tejkalimin e krizës", ka thënë Korenica.
Paaftësia e subjekteve politike që të ndërtojnë institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, sipas analistëve politik mund të qoj vendin edhe në zgjedhje te reja.
Ndonëse edhe procesi drejt zgjedhjeve parashihet që të paktën të ketë një fazë kalimtare me Kuvend të konstituuar dhe me një qeveri të përkohshme e cila do t'i bënte disa reforma të domosdoshme para se vendi të futej sërish në procesin e parakohshëm zgjedhor.