Ndërlidhjet

Rrjetet sociale dhe nxitja e urrejtjes


Rrjetet sociale si Facebook dhe Twiter, por edhe faqet e ndryshme të internetit, kohëve të fundit në Kosovë, kanë qenë të mbushura me komente dhe deklarime që kanë nxitur urrejtje politike, ndërfetare e ndëretnike.

Sociologët dhe psikologet, konsiderojnë se kjo dukuri, duhet të ndalet pasi që sipas tyre, kjo gjë mund të marrë përmasa shqetësuese.

Profesor i psikologjisë në Fakultetin e Filozofisë, Mytafer Haskuka thotë se kohëve të fundit grupet të caktuara kanë filluar që rrjetet sociale t’i përdorin për qëllime të tyre, ku qartë në profile vërehet nxitja e urrejtjes.

Haskuka thotë se ky fenomen në një farë mase mund të merret si shqetësim dhe konsideron që organet sigurisë duhet të ndërmarrin masa.

“Paraqet njëfarë rreziku në Kosovë ngase ekziston një rritje e ndasive brenda shoqërisë në aspektet të ndryshme kulturore, krahinore apo edhe në përgjithësi e cila fatkeqësisht ka qenë e ndikuar edhe nga disa figura publike. Në përgjithësi duhet të bëhet diçka në ketë aspekt dhe duhet të krijojmë me shumë debate rreth atyre që na bashkojnë e jo që na ndajnë siç thash në baza të ndryshme sociale, fetare, krahinore apo çfarëdo qoftë tjetër”, tha Haskuka.

Gjuhë e urrejtjes konsiderohet cilido veprim që sulmon një person ose grup në bazë të racës, fesë, gjinisë, paaftësisë, etnisë, ose orientimit seksual.

Edhe sociologu Artan Muhaxhiri, ligjërues në Fakultetin e Filozofisë, tregon se kohëve të fundit është vërejtur në rrjetet sociale gjuha e urrejtje.

Ai thekson se pasi rrjetet sociale po konsiderohen shumë të shpejta në përhapjen e lajmeve, grupe të caktuar janë duke bërë propaganda të ndryshme që shpesh mund të hasesh edhe në ato të gjuhës së urrejtjes.

“Viteve të fundit ka pasur një depërtim të jashtëzakonshëm të internetit në shtëpitë e kosovarëve, prandaj aspekt i përhapjes së ideologjisë apo të gjuhës se urrejtjes lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin teknologjik. Edhe rrjetet sociale duhet të monitorohen nga organet e sigurisë sepse është një aspekt publik i shprehjes së mendimit dhe për ketë arsyeje çdo cenim i privatësisë çdo cenim i lirisë duhet të sanksionohet me ligj”, tha Muhaxhiri.

Rrjetet sociale, janë krijuar për të dhenë informacione të shpejta, por në rastin e Kosovës dhe në disa vende të tjera, rrjetet sociale po keqpërdoren thotë profesori tjetër i sociologjisë Fadil Maloku.

Ai thotë se për disa persona dhe gazetar rrjetet sociale janë bërë mani.

Sipas tij, gjuha e urrejtjes dhe ajo çka po ndodh me disa portale, ku ka fyerje dhe nxitje të urrejtjes është si pasojë e tranzicionit në të cilin po kalon Kosova.

“Në një të ardhme jo fort të largët do të vijë koha kur këto do të stabilizohen për shkak se opinioni dhe publiku është ai parametri i cili do t’i zhvendos prej këtyre preokupimeve të cilat ata i kanë edhe në fakt mundohen që të marrin primat çoftë media apo personal”, tha Maloku.

Ndryshe, psikologu Haskuka, thotë se në rrjetet sociale, distanca dhe mosnjohja e viktimës nga sulmuesi, bën që viktima të jetë lehtë e shënjestëruar dhe e pambrojtur.

Rrjetet sociale fatkeqësisht, aspekti ku personi ka distancë ndaj viktimës e benë atë shumë të lehtë që të sulmoj viktimën edhe të shfaq paragjykimet e veta edhe ti shpreh ato në mënyrë më banale të mundshme. Ne anën tjetër, viktima ka problem më u mbrojnë në një farë aspekti”, tha Haskuka.

Nga ana tjetër, edhe disa të qytetarë konsiderojnë se të rinjtë rrjetet sociale janë duke i shfrytëzuar negativisht.

Studentja Arbresha Bytyqi thotë se internetin e shfrytëzon për edukim. Ajo kritikon të rinjtë që rrjetet sociale i keqpërdorin për qëllime të caktuara.

“Ka disa të rinj që rrjetet sociale i shfrytëzojnë në mënyra më negative dhe të këqija e që se fundmi po e shoh që është duke u rritur numri i tyre. Mendoj se ne si të rinj duhet të bëjmë një mbrojtje më të madhe sa u takon rrjeteve tona sociale, t'i mbrojmë profilet tona që i kemi të hapura dhe mos të lejojmë që çdo kush të ketë qasje te ne se po ka keqpërdorime”, tha Bytyqi.

Ngjashëm shprehet edhe Albion Bellopoja.

“Kam vërejtur se janë krijuar konflikte të ndryshme rreth rrjeteve sociale, portaleve dhe shpresoj se do të marrin fund, të shohim se çka do të bëhet”, tha Bellopoja.

Me Kodin Penal të Kosovës, në nenin 147, mes tjerash thuhet se: Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

XS
SM
MD
LG