Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me të paktën 61 vota të deputetëve.
Me zgjedhjen e tij, përfundon procedura e konstituimit të Kuvendit dhe i hapet rruga formimit të qeverisë së re të Kosovës, e cila po ashtu duhet të siguroj të paktën 61 vota të deputetëve.
Analistët politik kanë tërhequr vërejtjen se Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën e propozimit vetëm PDK-së. Por, blloku i koalicionit të gjerë pas zgjedhor pretendon se e ka të drejtën e nominimit, pasi që e ka shumicën parlamentare.
Bazuar në këto paqartësi ligjore e kushtetuese, opinionistët nuk e kanë përjashtuar as mundësinë që seanca e sotme e 18 shtatorit të jetë një reprizë e asaj të 17 korrikut, ku PDK ka të drejtën e kandidimit, por mund të mos i ketë votat për miratim, kurse blloku pas zgjedhor i ka votat por mund të ketë telashe me procedurat kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se vendimi i 83 deputetëve për zgjedhjen e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit ishte jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht, e kishte shpallur postin e fituar nga Mustafa të pavlefshëm.
Kurse në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja fillimisht e kishte definuar se të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit e ka Grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast nënkuptonte PDK-në. Kurse më poshtë, kërkonte që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese.
Duke u nisur nga ky aktgjykim, në seancën e 18 shtatorit PDK ka konfirmuar se do të nominoj për kryetar të Kuvendit, deputetin e saj Arsim Bajrami. Kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka paralajëmruar se do të nominoj sërish për këtë post,liderin e LDK-së, Isa Mustafën.