Pas largimit të PDK-së nga salla, deputetet e LDK-së, AAK-së, Nisma, Vetëvendosjes dhe pakicave, ishin kthyer në sallë. Me prezencë të 83 deputetëve dhe me 65 vota për, seanca kishte zgjedhur më 17 korrik Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.
Mirëpo, me këtë vendim nuk ishte pajtuar PDK-ja e cila e kishte proceduar lëndën në Gjykatë Kushtetuese. Pas shqyrtimit të lëndës së PDK-së, me kërkesë të LDK-së, më 21 gusht ishte thirrur edhe një seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.
Një ditë më vonë, Kushtetuesja nxorri aktgjykimin, duke e shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e mbajtur nga 83 deputetë.
Partia Demokratike Kosovës kishte propozuar deputetin e saj Agim Aliu për kryetar të Kuvendit dhe me atë rast, blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma si edhe Lëvizja Vetëvendosje lëshuan sallën, duke i pamundësuar Kuvendit vazhdimin e seancës.
Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës, Flora Brovina kishte mbyllur mbledhjen deri në ftesat e ardhshme për deputetët.
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.
Seanca konstituive e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, ka filluar më 17 korrik. Në atë seancë, deputetët miratuan verifikimin e mandatëve dhe dhanë betimin. Kurse në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit deputetët u ndanë në dy blloqe.