Lëvizja FOL ka publikuar statistikat për periudhën gjashtëmujore të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, në kuadër të Platformës së Statistikave Anti-Korrupsion.
Monitorimi është bërë për kategoritë e veprës penale të korrupsionit për marrje e dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kjo lëvizje gjithashtu ka monitoruar vendimet e veprimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës në fushën e luftimit të korrupsionit në Kosovë përgjatë kësaj periudhe gjashtëmujore.
Fidan Kalaja, hulumtues në FOL, tha se gjatë monitorimeve që i janë bërë këtyre dy institucioneve, në Kuvendin e Kosovës për 15 seanca plenare që janë mbajtur, vetëm një herë është diskutuar për korrupsionin.
Ndërsa Qeveria ka marrë vetëm një nga 169 vendime, që është i lidhur me korrupsion.
"FOL ka monitoruar edhe vendimet dhe veprimet të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës gjatë këtyre gjashtë muajve. Kuvendi i Kosovës, deri në shpërbërje, pra deri në muajin maj, ka mbajtur 15 seanca plenare, ku vetëm një është diskutuar për luftimin e korrupsionit, pra ka të bëjë më Ligjin për deklarimin e pasurisë. Ndërsa nga 169 vendime që i ka marrë nga janari deri në qershor të këtij viti, vetëm një vendim ka të bëjë ose është i ndërlidhur me luftimin e korrupsionit", thotë Kalaja.
Gjetjet e hulumtimit të FOL-it, thonë se rreth 1,800 raste kanë mbetur të pazgjidhura nga Prokuroria dhe Gjykatat e Kosovës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Prokuroria e Kosovës
Në hulumtim thuhet se për kategorinë keqpërdorim të pozitës zyrtare, Prokuroria e Kosovës ka pasur gjithsej lëndë ku kanë qenë të implikuar 1,244 persona, ku 372 janë zgjidhur, ndërsa 1,065 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.
Për veprën dhënie e ryshfetit, Prokuroria ka pasur gjithsej lëndë ku kanë qenë të implikuar 55 persona, ku 24 nga këto lëndë i ka zgjidhur ndërsa 16 prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.
Ndërsa për marrje të ryshfetit nga 53 persona të implikuar, 13 lëndë janë zgjidhur, ndërsa 19 kanë mbetur të pazgjidhura.
Gjykatat e Kosovës
Sa i përket gjykatave, në hulumtim thuhet se Gjykatat e Kosovës, për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit kanë pasur gjithsej lëndë që kanë implikuar 171 persona, ku nga kanë zgjidhur vetëm 20 prej tyre, ndërsa 77 kanë mbetur të pazgjidhura.
Për dhënie të ryshfetit Gjykatat e Kosovës kanë pasur lëndë ku kanë qenë të implikuar 87 persona, ku 8 nga këto lëndë i kanë zgjidhur, ndërsa 44 lëndë janë të pazgjidhura.
Sa i përket veprës penale të korrupsionit keqpërdorim i pozitës zyrtare, Gjykatat e Kosovës kanë pasur lëndë ku janë implikuar 619 persona, ku nga këto 93 lëndë janë zgjidhur ndërsa 573 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.
Policia e Kosovës
Sa i përket Policisë së Kosovës, në hulumtimin e lëvizjes FOL thuhet se për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit, policia ka trajtuar gjithsej 19 raste, ku për 6 persona ka ngritur kallëzim penal dhe 6 persona janë arrestuar.
Për dhënie të ryshfetit, policia ka trajtuar 30 raste, ku për 10 persona është ngritur kallëzim penal dhe 6 persona janë arrestuar.
Ndërkaq, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Policia e Kosovës ka trajtuar 236 raste të korrupsionit, ku për 106 persona është ngritur kallëzim penal dhe 34 persona janë arrestuar.
Fidan Kalaja thotë se në krahasim me hulumtimin e bërë vitin e kaluar nga Lëvizja FOL, shifrat nuk kanë ndryshuar. Ai thotë se ato janë pothuajse të njëjta, dhe vazhdon të vërehet një përformancë e ulët e institucioneve të drejtësisë karshi problemit të korrupsionit.
"Gjashtëmujori i parë i këtij viti, në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, nuk ka dallim esencial, që do të përbënte dallim përnjëmend të këtyre aktiviteteve në luftën anti korrupsion, pra statistikat pothuajse janë të njëjta. Numri i lëndëve të pazgjidhura është i njëjtë. Mungesa, ose një përformancë e ulët e këtyre institucioneve vërehet, sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit. Pra nuk ka ndonjë dallim esencial i cili do të vlente të theksohej në këtë kontekst", thotë ai.
Fidan Kalaja thekson edhe një zhvillim të fundit që ka ndodhur në lidhje me korrupsionin, që është raporti i Komisionit Evropian, për procesin e liberalizimit të vizave.
"Sa i përket zhvillimeve tjera që kanë ndodhur në lidhje me korrupsionin në Kosovë, më e fundit dhe më e rëndësishmja është se Komisioni Evropian në procesin e liberalizimit të vizave ka publikuar një raport, raportin vlerësues, ku ka theksuar që Kosova ka ngecur në luftimin e korrupsionit. Pra korrupsioni po del të jetë një nga pengesat kryesore n ë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe në përgjithësi në procesin integrues në Bashkimin Evropian", thekson Kalaja.
Komisioni Evropian këtë raport e ka prezantuar javë më parë, dhe thuhej se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj.
Ndër tjerash, në raport cekej nevoja për zhvillimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe krijimin e një regjistri të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Korrupsioni në Kosovë, sipas analistëve dhe zyrtarëve të ndryshëm institucional, vazhdon të mbetet një sfidë, dhe cilësohet si kërcënuesi kryesor i çdo procesi prosperues të shtetit të Kosovës.