Ndërlidhjet

Ku janë paratë e emigrantëve?


Ilustrim
Ilustrim

Janë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, e që shumica prej tyre dërgojnë para te familjarët e tyre. Mbi gjysmë miliard euro është shumë e dërgesave të emigrantëve kosovarë, që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas raporteve zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë, vite me radhë.

Këto mjete, kryesisht shpenzohen për konsum dhe shumë pak për investime, siç është krijimi i bizneseve të reja.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësojnë se mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve do të ishte orientimi i tyre në investime në sektorë të ndryshëm në Kosovë, në hapjen e bizneseve familjare, e që rrjedhimisht do të mundësonte punësim dhe zbutje të varfërisë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se kontributi i dërgesave të emigrantëve kosovarë ka qenë jashtëzakonisht i madh, por fokusi i remitencave duhet të ndërrohet.

“Një pjesë e madhe e parave të diasporës shpenzohen për ahengje, për dasma e që në fakt, kanë efekte afatshkurtër në ekonominë nacionale dhe efekti i tyre do të ishte shumë i dobishëm sikur ato dalëngadalë të orientoheshin nga dërgesat e drejtpërdrejta për familjarët e tyre në dërgesa në investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat do të gjeneronin vende të punës dhe të ardhura për familjarët e tyre në Kosovë”, vlerëson Gashi.

Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara. Thuhet se mbi 25 për qind e familjeve në Kosovë pranojnë remitenca.

Por, për t’i orientuar këto mjete në investime, autoritetet e Kosovës vlerëson eksperti i ekonomisë Naim Gashi, duhet të krijojnë parakushte për investime.

Deri më tani, shton ai, nuk është bërë sa duhet që të mobilizohet ky potencial financiar që posedon diaspora kosovare.

“Hulumtimet kanë treguar se vetëm ¼ e potencialit financiar të diasporës vjen në Kosovë, kurse pjesa tjetër ruhet në bankat dhe institucionet financiare në vendet ku diaspora kosovare jeton dhe punon. Unë mendoj se mundësia më e madhe e Kosovës për të inkurajuar investimet e jashtme është pikërisht diaspora jonë, e cila ka një potencial të fuqishëm financiar dhe mundësi të mëdha për të investuar”, thekson Gashi.

Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderojnë se dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë qenë fuqi ekonomike për Kosovën.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se deri më tani ka qenë e nevojshme që remitencat të shpenzohen për konsum apo për ndërtimin e shtëpive, siç ka ndodhur menjëherë pas luftës në Kosovë. Por, që tani investimi i këtyre mjeteve duhet të bëhet në krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Diasporën ne nuk e kemi vetëm fuqi të krahut në vendet e perëndimit, por tani kemi menaxherë të mirë, biznesmenë të mirë deputet, njerëz që u shërbejnë shteteve të ndryshme, të gjitha këto e ngritin imazhin e diasporës tonë dhe i ngritin të hyrat edhe për vete dhe i jepet mundësia për të investuar në ndonjë biznes”, konsideron Shahini.

Ndryshe, emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete.

Por, ishte vlerësuar që marrëdhënia me diasporën kosovare të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë të tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre, Kosova duhet të bëhet një vend ku sundon ligji, ku zhvillohet luftë e rreptë kundër korrupsionit dhe ku mbizotëron një mjedis i favorshëm për biznes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG