Ndërlidhjet

Remitencat për konsum ditor


Diaspora kosovare vitin e kaluar ka dërguar më tepër mjete financiare në Kosovë, se sa vitin 2012.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, thuhet se nga janari deri në shtator të vitit 2013, shuma e remitencave ka arritur në 454.6 milionë euro apo 17.9 milionë euro më tepër se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2012, kur dërgesat emigrantëve kosovarë ishin 436.7 milionë euro.

Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më shumti dërgesa të emigrantëve, por në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Sokol Havolli, zëvendësdrejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar dhe të Analizave Ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë tregon për mënyrën e shpenzimeve të këtyre dërgesave.

“Nëse e kemi parasysh se ato dërgohen gjatë gjithë vitit në shuma më të vogla apo në periudha një mujore ose tre mujore, varësisht prej secilit individ që dërgon dhe secilës familje që pranon. Kështu që këto kryesisht janë të orientuara në drejtim të konsumit ose edhe në drejtim të edukimit apo ngritjeve të ndryshme profesionale. Kurse, një pjesë shumë e vogël e tyre shkon edhe në investime”, thotë Havolli.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se shuma e remitencave mund të jetë më e lartë, për shkak se jo të gjitha dërgesat arrijnë përmes institucioneve bankare.

Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë se remitencat janë esenciale për ruajtjen e paqes sociale.

“Kjo nuk është shifër reale për shkak të kulturës dhe mentalitetit tonë. Besojmë se diaspora kontribuon edhe më shumë, se sa që janë statistikat zyrtare. Marrë parasysh faktin dhe traditat e transferit të mjeteve financiare në Kosovë".

"Por, fatkeqësia më e madhe e gjithë kësaj është se remitencat në Kosovë shfrytëzohen për konsum ditor dhe shumë pak për investime. Numri i investitorëve nga diaspora nuk është i kënaqshëm edhe pse ka një potencial dhe interesim shumë të madh", thekson Morina.

Megjithatë, Morina thotë se trendi i remitencave për konsum viteve të ardhshme mund të ulet për shkak të ndryshimit të strukturës.

Ai nuk e mohon faktin se lidhjet shpirtërore mes diasporës dhe vendit të prejardhjes mbeten të fuqishme, por thotë, vërehet një ndryshim i këtyre marrëdhënieve.

Gjeneratat e reja që kanë lindur në shtete të ndryshme të Evropës, shumë pak dërgojnë mjete financiare te familjarët e prindërve të tyre.

“Nëse flasim për zbehje të marrëdhënieve, sigurisht që vërehet një zbehje e marrëdhënie, kryesisht te gjenerata e dytë dhe e tretë, të cilat kanë tendenca që të kenë marrëdhënie më të dobëta me Kosovën".

"Sa i përket dërgesave, sigurisht se gjenerata e dytë dhe e tretë dërgojnë më pak ose fare mjete materiale në Kosovë, për shkak se ata kanë lindur dhe rritur në një kulturë ndryshe. Kjo dallon prej mentalitetit që ka gjenerata e parë, apo prindërit e tyre, emigrantët e viteve të '80- '90", bën të ditur Morina.

Ndryshe në një studim mbi remitencat në Kosovë i publikuar vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve gjatë vitit 2012.

Ky studim ka intervistuar 8 mijë ekonomi familjare në Kosovë dhe 443 emigrantë të cilët dërgojnë remitenca në para të gatshme dhe mallra e shërbime në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG