Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe ata të komunave të Mitrovicës jugore dhe Mitrovicës veriore, në nivel të ekspertëve, janë marrë vesh që të respektohet moratoriumi për të mos u ndërtuar në dy komunat e Mitrovicës asgjë pa planet rregulluese hapësinore, të cilat do të bëhen në bashkëpunim të ndërsjellë.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.
"Praktikisht, ne jemi dakorduar që të vazhdojmë me bashkërendim të veprimeve në mes dy komunave dhe qeverisë, që planet rregulluese hapësinore të bëhen me bashkëpunim dhe në harmoni me ligjet e Republikës së Kosovës, do të thotë, me ligjet e planifikimit hapësinor dhe ligjet e ndërtimit. Parimisht, kjo është marrëveshja, që nuk do të ketë asnjë veprim nga asnjëra anë, pa u dakorduar në tërësi se si do të duket ajo pjesë e qytetit të ndarë në dy komuna”, ka ka thënë Gashi.
Nevoja për një marrëveshje të tillë ka ardhur për shkak të situatës së krijuar pas rivendosjes së barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, dhe fillimit të ndërtimit të sheshit “Mbreti Lazar”, i cili e prek cepin verior të kësaj ure, që i lidh të dy komunat.
Fillimi i ndërtimit të sheshit “Mbreti Lazar” nga strukturat komunale të Mitrovicës veriore, ishte pasuar me kundërpërgjigjen e banorëve shqiptarë që jetojnë në këtë komunë, të cilët kanë vënë cilindra të betonit në dy rrugë, duke i emërtuar si “Sheshi i Adem Jasharit” dhe “Sheshi UÇK”.
Në takimin e fundit të palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Fernando Gentilinit, drejtor për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, ishte arritur një moratorium për mosvazhdimin e punimeve të mëtutjeshme nga cilado palë.
Por, ministri në largim i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se ky moratorium ishte shkelur nga organet lokale në Mitrovicën e veriut, që ditën e nesërme, duke rinisur punimet për sheshin dhe zonën e këmbësorëve .
Në anën tjetër, ditë më parë, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se çështjet lidhur me ndërtimet në Mitrovicën e veriut, duhet zgjidhur përmes bisedimeve dhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve të asaj komune.
“Kjo është një çështje, për të cilën, para së gjithash, duhet mbështetur në praktikën e deritashme dhe ligjet, si dhe në vullnetin e qytetarëve në Mitrovicën e veriut. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së veriut, në përputhje me ligjet e Kosovës ka sjellë vendimin për rregullimin e zonës së këmbësorëve, jo në anën jugore, por në Mitrovicën veriore. Mendoj se duhet të bisedojmë për atë se si të krijojmë parakushte që njerëzit të jetojnë normalisht”, ka theksuar Gjuriq.
Por, pohimet e Gjuriqit i ka hedhur poshtë ministri në largim, Gashi, i cili ka theksuar se fillimi i ndërtimit të sheshit “Mbreti Lazar” dhe zonës së këmbësorëve, nuk ka qenë në përputhje me ligjet e Kosovës, ashtu siç nuk janë edhe vendosja e cilindrave të betonit dhe emërtimi i rrugëve me emrat e caktuar nga ana e banorëve shqiptarë në lagjet ku ata jetojnë në Mitrovicën e veriut.
“Ata e kanë marrë një vendim në Asamble dhe po konsiderojnë që, pasi që kanë marrë vendim në Asamble, ai është i ligjshëm. Vendimi, si i tillë, i Asamblesë mund të jetë edhe i jashtëligjshëm, gjë që ka ndodhur mjaft shpesh që ne t’ua rrëzojmë vendimet komunave të ndryshme, që nuk u janë përmbajtur ligjit. Sheshet duhet të jenë pjesë e planifikimit hapësinor. Në këtë rast nuk është pjesë e planifikimit hapësinor dhe nuk ka qenë fare, asnjëherë, në konsiderim ky plan hapësinor”.
Ndryshe, me 22 korrik, pritet që në Bruksel të takohen sërish delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar çështjen e barrikadave dhe shesheve të veriut, të cilat Qeveria e Kosovës i konsideron të paligjshme.
Zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri, ka theksuar se moratoriumi duhet të respektohet.
“Në qoftë se dikush thyen këtë moratorium, ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, me organe kompetente do të marrim masa sipas ligjeve në fuqi të shtetit të Kosovës. ndërkohë, edhe më 22 korrik, kur të hartohet ky plan, një prej parimeve që do të jetë – dhe ne do të kërkojmë të jetë – është që, në qoftë se nuk ka plan apo në qoftë se plani bëhet, por nuk respektohen afatet, organet kompetente të shtetit të Kosovës, me masa ligjore, jo vetëm që do t’i ndalin ndërtimet e reja, por do t’i heqin edhe të gjitha pengesat nga ura”, ka deklaruar Tahiri.
Më 11 korrik në Bruksel ishin takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje për situatën në zonën përgjatë lumit Ibër në Mitrovicë. Por, të dyja palët, nuk ishin kishin arritur ndonjë marrëveshje, përveç pajtimit që të formojnë një grup punues që do të takohet më 22 korrik në Bruksel për të diskutuar situatën.