Mungesa e sistemit të këshillimit në karrierë për nxënësit e shkollave të mesme, sipas ekspertëve të çështjeve të arsimit në Kosovë, ka bërë që një numër i konsiderueshëm i nxënësve të përfundojnë në ato drejtime të studimeve, të cilat nuk janë të preferuara për ta, apo edhe që nuk iu mundësojnë punësim në të ardhmen.
Janë rreth 46 mijë nxënës që kanë përfunduar shkollën e mesme në Kosovë.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Dukagjin Popovci, ekspert i çështjeve të arsimit, vlerëson se orientimi në karrierë në kushte normale do të duhej të bëhej gjatë shkollimit të mesëm, përmes përdorimit të metodave të ndryshme, të cilat iu ndihmojnë atyre që të përcaktohen për drejtimin e studimeve.
“Duke marrë parasysh se kjo në shkollat tona nuk bëhet, tani mënyra e vetme mbetet që nxënësit të përcaktohen në bazë të preferencave të tyre, në bazë të asaj se si ata e vlerësojnë situatën dhe në bazë të mundësive që i kanë familjet e tyre. Pra, është e qartë se një numër i konsiderueshëm i tyre do të përfundojë në ato drejtime, të cilat nuk janë ndoshta më të preferuarat për ta, ose në ato drejtime që nuk iu mundësojnë punësim pas përfundimit të studimeve”, thekson Popovci.
Përveç mungesës së këshillimit në karrierë, Popovci thotë se në Kosovë ka mungesë edhe të planifikimit të arsimit të lartë.
Sipas tij, shumë drejtime studimore hapen pavarësisht nevojave të tregut të punës, gjë e cila, siç thekson Popovci, po shkakton dilema te nxënësit, pasi që ata konsiderojnë se aty ku ka vende të lira, mund të regjistrohen, por që në të ardhmen ata kanë vështirësi në punësim.
“Te ne tani dihet se në disa fusha kemi tepricë të kuadrove, por ka disa fusha ku ende kërkohen kuadro të kualifikuara dhe ku njerëzit nuk shkojnë në masë aq të madhe”, thotë ai.
Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik në Prishtinë për vite me radhë kanë qenë fakultetet ku interesimi i nxënësve ka qenë mjaft i madh.
Sipas organizatave ekonomike, persona të kualifikuar në këto drejtime, ka mjaftueshëm në Kosovë, derisa ka mungesë të personave të kualifikuar në lëmi të tjera, siç janë hoteleria, ndërtimtaria apo bujqësia.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se gjatë shkollimit, nxënësit kanë marrë informacione për drejtimet e shumta që ofron Universiteti i Prishtinës dhe sipas tij, ata do të përcaktohen sipas dëshirave të tyre se ku do të regjistrohen.
“Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë dokument strategjik, përmes të cilit do t’iu tregonte maturantëve se cilat drejtime do të ishin më të mira që ata të drejtohen, pasi që kemi konsideruar se hulumtimi i tregut të punës është më shumë detyrë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe detyrë e vetë Odave të biznesit që janë në Kosovë”, shprehet Mustafa.
Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kohë më parë kanë bërë një hulumtim mbi nevojat e tregut të punës dhe profesionet që kërkohen, e që ka mungesë të njerëzve të profesionalizuar në ato fusha, ka dal të jenë sektori i ndërtimtarisë së ulët, hotelerisë dhe agrikultura.
Zëvendësministri i Arsimit, Mustafa, bën të ditur se pas shuarjes së klasës së 13-të, ka dyfishim të maturantëve dhe për këtë është kërkuar që të krijohen më shumë vende në universitete.
Ndër të tjera, ai sqaron se nxënësit, të cilët përfundojnë testin shtetëror të maturës mund të aplikojnë për t’u regjistruar në ndonjërin nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës apo ato private, derisa ata që nuk e kalojnë këtë test, humbin të drejtën për të ndjekur studimet.
“Çdo kush që tenton të regjistrohet në ndonjërin universitet shtetëror apo atë privat, pa provimin e maturës, do të bëjë shkelje të ligjit, mirëpo janë dy kolegje private që kanë akredituar programe të nivelit post-sekondar ku mund të regjistrohen edhe ata maturantë që nuk tregojnë sukses në testin e maturës, por ata në fund nuk pajisen me diploma universitare, por marrin certifikata, të cilat dëshmojnë aftësimin e tyre profesional”, sqaron Mustafa.