Ekspertët vlerësojnë se nëpërmjet propozim-ligjit të ri për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, hartuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, i cili të martën u miratua nga Qeveria, të gjithë ata që në çfarëdo mënyre paraqiten si viktimë e dhunës, inkurajohen për të denoncuar dhunuesit para organeve përgjegjëse të shtetit.
Dushko Minovski, këshilltar i lartë në kuadër të dikasterit të Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni, thotë për Radion Evropa e Lirë se miratimi i një Ligji të veçantë për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, për herë të parë, për zgjidhjen e këtij problemi instalohet një sistem profesional i të gjitha institucioneve që prekin këtë çështje.
“Është e patjetërsueshme të instalohet një zgjidhje sistematike për të parandaluar dhunën në familje. Duhet të kuptohet qartë se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë integritetin e askujt. Deri më tani kjo çështje trajtohej përmes më shumë ligjeve, andaj dhe veprimi i institucioneve ishte më i ngathtë. Tani, përmes propozim-ligjit të ri mundësohet një veprim i sinkronizuar i të gjitha institucioneve, duke i ndarë qartë obligimet dhe detyrimet që kanë ata”, thotë Minovski.
Ai bën të ditur se të dhënat flasin se dhuna fizike zakonisht ushtrohet ndaj grave, por jo rrallëherë edhe burrat përballen me dhunë psikike ushtruar nga gratë e tyre.
“Në të shumtën e rasteve, meqë meshkujt janë më të fortë fizikisht, ata problemet tentojnë t`i zgjidhin përmes dhunës fizike, por gratë janë ato që ushtrojnë dhune psikike, duke harruar një element shumë të rëndësishëm se në rastet e këtilla viktima më të mëdha janë fëmijët”, shton Minovski.
Nga ana tjetër, Gjynere Nebiu, nga organizata joqeveritare “Antiko”, e cila realizon projektin “Zero tolerancë dhunë ndaj femrave”, thotë se është se është kriza ekonomiko-sociale ajo që sjell deri te dhuna në familje.
Por, siç shprehet ajo, e keqja më e madhe është se femrat edhe më tej në të shumtën e rasteve hezitojnë të denoncojnë dhunën para organeve kompetente, sepse ajo llogaritet si turp në rrethin ku jetojnë.
“Po e para është gjendja e vështirë ekonomike dhe nëse ato marrin guximin që të denoncojnë rastet, atëherë pamundësohet jeta në bashkësi, e nga ana tjetër ato femra nuk kanë pavarësi ekonomike për të siguruar një ambient tjetër jetese. Më pas këtu kemi dhe paragjykimet se në shumë raste situata e tilla dhe dhuna e këtillë, shihen si turp për gruan e cila s’ka qenë e aftë të menaxhojë familjen e saj”, thekson Nebiu.
Ajo shton se problem më vete parqet dhe fakti se fëmijët, të cilët rriten në ambient dhune, kjo reflektohet tek ata në të ardhmen, duke e trajtuar dhunën si mënyra e vetme për të menaxhuar mosmarrëveshjet në bashkëshortësi.
“Po të gjithë ata, të cilët shohin dhunë, mandej në jetën e tyre bëhen të dhunshëm, për arsye se janë rritur në kushte të dhunës dhe atë e shohin si një gjendje normale”, shprehet Nebiu.
Ndryshe, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, bën të ditur se dhuna në familje është në rritje.
“Nga viti 2011 deri në tremujorin e parë të këtij viti, dikasteri i Policisë ka regjistruar gjithsej 2,073 vepra penale të dhunës familjare, ku viktimat, në rreth 90 për qind të rasteve, kanë qenë gra dhe fëmijë”, theksoi Jankullovska.
Me propozim-ligjin e ri për parandalimin e dhunës në familje, me paraqitjen e rastit, policia obligohet të dalë në vendngjarje dhe të përpilojë një raport policor, viktimës t’i sigurojë trajtim adekuat mjekësor, njëherësh parashihet urdhëresë për ndalesë të përkohshme të autorit të dhunës për afrim pranë shtëpisë.
Po në bazë të propozim-ligjit parashihet që organet policore ta njoftojnë qendrën kompetente sociale me qëllim që të merren masa për mbrojtje të viktimës njëherësh dhe inicim i rastit në gjykatë.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale bën të ditur se para se të futet në procedurë parlamentare, projektligji në fjalë do të shqyrtohet nga ekspertë të ndryshëm në debat publik.