Ndërlidhjet

Rënie e shpenzimeve për ushqim


Ilustrim
Ilustrim

Shpenzimet për ushqim në ekonomitë familjare në Kosovë kanë shënuar rënie. Kjo rënie, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike vjen si rezultat i të hyrave më të ulëta në familjet kosovare dhe rënia e dërgesave nga emigrantët.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare, shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike. Por që krahasuar me vitin 2012, në vitin 2013 shpenzimet për ushqim dhe pijet joalkoolike në ekonomitë familjare paraqesin një rënie rreth 2 për qind.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se rënia e shpenzimeve të ushqimit tek familjet në Kosovë, tregon se qytetarët po jetojnë me standard të ulët.

“Arsyet janë të shumta, çdo vit deri në 30 mijë persona të rinj hyjnë në tregun e punës, nuk ka mundësi reale që qeveria të bëjë ngritjen e nivelit të punësimit si dhe shumë pak familje në Kosovë kanë një siguri të të ardhurave mujore, të hyrat nga diaspora kanë rënë si dhe donacionet dhe investimet kanë shënuar po ashtu rënie”, thekson Tahiri.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxit rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më shumti dërgesa të emigrantëve, ku në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Një studim mbi remitencat në Kosovë kishte treguar se 43 për qind e qytetarëve kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë
pranuar remitenca prej familjarëve.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës dërgesat e emigrantëve kosovarë arrijnë vlerën e mbi 500 milion euro në vit.

Profesori i ekonomisë Tahiri thekson se kjo shifër e të hyrave nga emigrantët do të ketë rënie edhe në të ardhmen, pasi që sipas tij, edhe qytetarë e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit tanimë janë prekura nga kriza ekonomike në Evropë.

“Ka rënë edhe e hyra e gjithëmbarshme edhe në Evropë. Të hyrat e individëve të shqiptarëve që jetojnë në vendet evropiane kanë filluar të jenë më të ulëta, dhe tani edhe ata nuk janë në gjendje të ndihmojnë familjet e tyre”, shton ai.

Në anën tjetër, qytetarët janë ata të cilët shprehin shqetësim për reduktimin e shpenzimeve ushqimore.

Tefik Berisha me profesion arsimtar tregon se rënia e fuqisë blerëse ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve .

“Po çdo herë po ka rritje të çmimeve dhe normalisht që ne duhet t’i reduktojmë shpenzimet pasi që nuk arrin t’i blesh të gjitha gjerat e nevojshme. Pa dashje duhet të lësh shumë gjëra pa i blerë”, shprehet ai.

Ngjashëm shprehet edhe Flamur Bislimi.

“Po çdo herë po kemi rënie të shpenzimeve, është e natyrshme kur edhe të hyrat janë më të vogla. Çmimet në rritje, papunësi e larte dhe varfëri e skajshme”, shton Bislimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG