Ndërlidhjet

Policia merr nën kontroll Lazaratin


Lazarat
Lazarat
Në ditën e pestë të aksionit policor, forcat e rendit të Shqipërisë kanë marrë nën kontroll fshatin Lazarat.

Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar 14 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, kundërshtim të punonjësve të policisë, për kultivim kanabisi dhe për shkatërrim prone.

Po të premten, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e arrestit për disa prej të arrestuarve gjatë operacionit të policisë në Lazarat.

r Razip (Gate) Mahmutajn Gjykata ka shqiptuar masën e arrestit në burg.

Gjithashtu, është komunikuar masa e arrestit edhe për Matjaz Bocin dhe Emiljano Alikon. Mbi të tre rëndon akuza e vrasjes në tentativë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten e ka përshëndetur aksionin e policisë në Lazarat.

"Policia rilindi, është rikthyer dhe dëshmi është Lazarati, Republika e turpit brenda shtetit që për 20 vjet shtrëngoi për fyti me tym marihuane familje të tëra"
, ka thënë kryeministri gjatë një konferencë për shtyp.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë duke shprehur mirënjohje, argumentoi se tani mund të thuhet se, policia e shtetit ka rilindur brenda 300 ditëve të para të qeverisjes, për të vënë në vend kështu, siç ka thënë ai, një premtim të mbajtur.

Mbështetje për policinë e shtetit ka dhënë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

“Ne mbështesim fort veprimet e ndërmarra nga zbatuesit e ligjit. Unë dhe anëtarë të tjerë të ambasadës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Saimir Tahiri dhe kreun e policisë, Artan Didi”.

“Lazarati ka qenë problem për vite të tëra dhe jemi shumë të inkurajuar që qeveria ka vendosur të veprojë. Gjithashtu, vlerësojmë faktin që kanë treguar kujdes në shmangien e viktimave dhe të lënduarve. Shumë banorë nuk janë të përfshirë, por ja që jetojnë aty”, ka theksuar Arvizu.

Kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë, bëri thirrje që të vazhdohet me arrestimin dhe dënimin e personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme në Lazarat.

Në paraqitjen e parë me mediat në këtë ditë të aksionit anti-kanabis, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi, ka hedhur akuza ndaj institucioneve të drejtësisë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, se nuk ka sjell mjaftueshëm njerëz për të ndjekur vijimin e këtij aksioni me mbledhjen e provave dhe hetimin e tyre.

Didi ka thënë se policia do të realizojë objektivat e saj deri në fund, por, sipas tij, Prokuroria duhet të tregohet e gatshme për t’i mbështetur në hetime dhe se çështja tashmë nuk u takon vetëm veprimeve policore, por edhe veprimeve procedurale që drejtohen nga Prokuroria.

Një pjesë e personave të tjerë që goditën ndaj policisë, siç raportojnë mediat, thuhet se janë larguar nga fshati, ndërkohë që banorët e fshatit kanë vazhduar t’i djegin vetë parcelat me drogë të ruajtur, apo fidanët e rinj të sapombjellë.

Sipas Policisë, pas pesë ditësh aksion dhe përqendrimit të mbi 800 trupave policore, është mundësuar asgjësimi i rreth 81,300 rrënjëve të bimë narkotike dhe fidanëve, si dhe të një sasie mbi 23 ton e 404.1 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në Lazarat, janë gjetur dhe 4 laboratorë, nga të cilët 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armësh.

Vetëm gjatë ditës së premte u sekuestruan 11 armë të rënda, si dhe 1 armë gjahu, 7,334 fishekë të llojeve të ndryshme, 3 kallëp tritoli, 2 pako kapsolla detonuese, 10 granata, 4 krehër fishekësh.

Gjithashtu, është ushtruar kontroll edhe në territoret e mbi 130 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG