Ndërlidhjet

Trazirat në Irak shkaktojnë akuza në Washington


Irak
Irak
Avancimi dramatik i militantëve islamikë në Irak, e ka shkaktuar një lojë të fajësisë në Washington, ndërmjet zyrtarëve aktualë dhe atyre të mëparshëm, lidhur me atë se cilat politika ishin të gabuara.

Ligjvënësit e lartë republikanë e kanë akuzuar presidentin, Barack Obama, për lejimin e përparimit të përgjakshëm të Shtetit Islamik të Irakut dhe grupit Levant (shkurtesa në gjuhën angleze ISIL) në Irak, duke dështuar të veproj në mënyrë të vendosur në Siri dhe kompletimin e tërheqjes totale të trupave të Shteteve të Bashkuara nga Iraku, në vitin 2011.

Demokratët, nga ana tjetër, fajin ia kanë hedhur paraardhësit të zotit Obama, ish-presidentit, George Bush i riu, për udhëheqjen e invadimit në Irak para një dekade, duke e krijuar terrenin për krizën e thellë aktuale.

Senatori republikan, Lindesy Graham, nga Karolina Veriore, në rrjetin televiziv CNN ka vlerësuar se Obama është në gjendje “iluzioni” dhe “i shkëputur”.

“Presidenti që ne e kemi, i udhëhequr nga kokëfortësia, i cili mendon se dinë më tepër se çdokush tjetër, që i ka tërhequr trupat dhe e ka ekspozuar këtë vend te një gjë e pashmangshme, duhet t’i ndyshoj shpejt politikat e tij. Nëse e bën këtë, ne ende mund ta ruajmë situatën”, tha senatori Graham.

Administrata Obama ka thënë se tërheqja e plotë ishte bërë për shkak se Bagdadi kishte refuzuar të vazhdoj të garantoj imunitet për ushtarët amerikanë nga ndjekja në gjykatat e Irakut.

Kritikat në adresë të administratës i ka forcuar ish-kandidati presidencial republikan, Mitt Romney, i cili humbi kundër zotit Obama në vitin 2012.

Ne kemi fuqi që të jemi në gjendje që Maliki ta nënshkruaj Marrëveshjen për Statusin e Forcave. Presidenti tha se ai dëshironte ta kryej këtë dhe ai nuk e bëri. Prandaj, dështimi i tij për ta arritur këtë është njëra nga gjërat që ka çuar te ky lloj i krizës që ne e shohim tash”, tha Mitt Romney në një intervistë në rrjetin televiziv, NBC.

Senatori demokrat, Carl Levin, nga Miçigeni, e ka mbrojtur administratën, pas një takimi sekret me zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, javën e kaluar, duke tërhequr vërejtjen nga veprimi i pamatur.

“Qeveria e Irakut para disa vitesh, kur ata e kishin rastin ta nënshkruanin marrëveshjen për një prani të ushtarëve amerikanë, e refuzoi një gjë të tillë”, tha Levin dhe ka shtuar se “ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mendojmë mirë para se të bëjmë diçka”.

Anëtari republikan i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Mike Rogers, tha se ISIL, që është një degë sunite e al-Kaidës, e cila i ka okupuar disa qytete në pjesën veriore të Irakut, dhe i ka nën kontroll pjesë të Sirisë fqinje, ishte e aftë t’i ndërtoj kapacitetet e veta, meqë administrata Obama “e ka lënë anash Sirinë për tri vite”.

“Pavendosmëria e ka shkaktuar këtë aftësi të tyre që të ripërtërihen, të kenë financime, të jenë të trajnuar dhe ta lansojnë këtë sulm ushtarak në Irak”, i tha rrjetit Fox News, zoti Rogers.

Administrata Obama i ka hedhur poshtë kritikat për udhëheqjen e krizës në Siri, duke thënë se kërcënimi me sulme ushtarake amerikane kundër Damaskut, ka çuar në marrëveshjen SHBA – Rusi për ta detyruar presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, ta dorëzoj për shkatërrim armatimin e tij kimik.

Anëtarja e njohur demokrate e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, është përpjekur ta largoj rrëfimin nga kritikat e republikanëve në adresë të administratës aktuale, duke thënë se fajet për krizën aktuale i kanë rrënjet te ish-presidenti, George Bush i riu, i cili e lansoi invadimin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, në vitin 2003.

“Mendoj se kjo përfaqëson politikën e dështuar, e cila na solli këtu para 11 vitesh”, tha Nancy Pelosi.

Zonja Pelosi e ka akuzuar ish-presidentin, George Bush i Riu, se i ka udhëhequr Shtetet e Bashkuara në luftë me Irakun nën “konkluzione të rrejshme”për armatim të shkatërrimit në masë, që dyshohej se i kishte diktatori i Irakut, Saddam Hussein. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG