Ndërlidhjet

E vërteta irakiane: Armiku i armikut tim është miku im


Irakianët sunnitë të armatosur në rrugët e Tikritit
Irakianët sunnitë të armatosur në rrugët e Tikritit
Si mund të shpjegohet e dhëna se islamistët dhe baathistët kanë përfunduar si aleatë në Irak, në njërën anë, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Irani, në anën tjetër, kanë interesa të përbashkëta?

Këto janë vetëm disa nga kundërthëniet që e karakterizojnë krizën aktuale në Irak.

Lindja e Mesme gjithnjë ka qenë labirint i ndryshimit të shpejtë të partneriteteve, por kjo kurrë nuk ka ndodhur më tepër se aktualisht në Irak.

Të fillojmë me aleancën, e cila ka bërë të mundshme përfitime të rrufeshme të Shtetit Islamik të Irakut dhe grupit Levant (shkurtesa angleze për të dy grupet ISIL), këtë javë në zemër të tokës sunite në Irak.

Sipas të gjitha parashikimeve, ISIL-ja po bashkëpunon ushtarakisht me versionin e rilindur të ish-partisë Baath, që sundonte në Irak.

Banorët e Mosulit thonë se fundamentalistët islamikë dhe baathistët, që kanë ideologji diametralisht të kundërta, së bashku e kanë marrë kontrollin ndaj këtij qyteti.

“Ata që kanë hyrë në provincën Nineveh janë përzierje e ish-ushtrisë, pra baathistët”, dhe militantët e tjerë sunitë të Irakut, së bashku me ISIL-in, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, programi për Irakun, një person me telefon nga Mosuli.

Kirk Sowell, analist me seli në Jordani, që është njohës i politikës në Irak, thotë se Partia Baath e ripërtërirë dhe grupimi ISIL, edhe më parë kanë bashkëpunuar në Falluxha, ku ata kanë luftuar kundër ushtrisë së qeverisë së Irakut, prej muajit janar të këtij viti.

“Derisa ata ende luftojnë kundër Bagdadit, derisa ata ende luftojnë kundër shërbimeve të sigurisë së Irakut, duket se ata janë së bashku, dhe kjo nuk duhet të jetë befasi për askënd, meqë ata janë së bashku për pesë muaj në Falluxha”, thotë eksperti Sowell.

Më tutje ai thekson:

“Duke supozuar se ushtria nuk e ka kthyer kontrollin me të shpejtë në Mosul, atëherë shtrohet çështja se sa gjatë ky bashkëpunim do të zgjasë. Dyshoj se ai do të jetë i gjatë, meqë përfundimisht, ISIL dhe Partia Baath nuk janë kompatibile”.

Gjatë periudhës së Saddam Husseinit, Partia Baath sekulare, në mënyrë të pamëshirshme i ka shfarosur të gjithë ata që e kundërshtonin pushtetin e saj absolut, përfshirë edhe kritikët religjiozë. Grupi Levant, po ashtu, e ka reputacionin e ekzekutimit brutal të secilit që e refuzon autoritetin strikt fundamentalist të tij.

ISIL-i synon krijimin e kalifatit islamik në Irak.

Të dy palët ende duhet së bashku të përpiqen ta ndajnë autoritetin gjatë kontrollit të territorit. Në këtë kuadër, Mosuli dhe Tikriti, që është vend i lindjes së Saddam Husseinit, paraqesin sfidat e para. Por, ISIL-ja dhe baathistët nuk janë çifti i vetëm aktualisht në Irak.

Për shkak të avancimit të tyre të papritur, Irani dhe Shtetet e Bashkuara, po ashtu, befas e kanë gjetur vetveten duke u radhitur në anën e njëjtë kundër armikut të përbashkët.

Duke reaguar ndaj avancimeve të ISIL-it, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Teherani do të luftojë kundër “dhunës dhe terrorizmit” të këtij grupi.

“Ky është një grup terrorist dhe ekstremist, që po vepron në mënyrë të egër”, tha Rohani në Televizionin shtetëror të Iranit.

Uashingtoni e sheh ISIL-in si kërcënim për kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki, dhe si xhihad global, që ka lidhje me al-Kaidën dhe ka ideologji të përbashkët anti-perëndimore.

Por, mbetet të shihet nëse Irani dhe Shtetet e Bashkuara, që kanë shprehur përkushtim për ta ndihmuar Irakun, në luftën kundër ISIL-it, a do ta bëjnë këtë dhe nëse armiku i përbashkët do t’i çojë që ata të bashkëpunojnë në ndonjë mënyrë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa prapa në Irak, për ta kundërshtuar avancimin e militantëve, por se do të shqyrtohen opsionet për ta ndihmuar Bagdadin.

Obama theksoi se kërcënimi nga militantët e ISIL-it, paraqet rrezik për popullin e Irakut dhe po ashtu, potencialisht, për interesat e Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë pjesën e vet, por e kuptojnë se përfundimisht u takon irakianëve, si vend sovran, që t’i zgjidhin problemet e tyre”, tha Barack Obama.

Megjithatë, eksperti Sowell thotë se Uashingtoni e sheh Iranin se po luan rol negativ në Irak, duke i financuar militantët shiitë.

Por, përfitimet aktuale të ISIL-it mund të jenë alarm për Uashingtonin dhe Teheranin, që të lëvizin kah bashkëpunimi eventual.

“Ne mund të punojmë me amerikanët për ta përfunduar kryengritjen në Lindjen e Mesme”, i tha agjencisë Reuters, në kushte të anonimitetit, një zyrtar iranian. Sipas tij, ky bashkëpunim i mundshëm me Uashingtonin po diskutohet brenda udhëheqjes së Iranit.

Pra, duket se vlen ajo thënia se armiku i armikut tim është miku im. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG