Ndërlidhjet

Lista Serbe nuk hyn në koalicione pa bekimin e Beogradit


Lista Serbe, e cila ka fituar përqindjen më të madhe të votave në krahasim me subjektet tjera serbe, nuk do të hyjë në koalicion si partner qeverisës me askënd, pa miratimin e Qeverisë së Beogradit, theksojnë përfaqësuesit e kësaj liste.

Lista Serbe, në zgjedhjet parlamentare të Kosovës i ka fituar 29 mijë e 124 vota, gjegjësisht 4.17 për qind.

Lista serbe është krijuar pas porosisë së Beogradit zyrtar, i cili pati theksuar se është e rëndësishme që në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, serbët të marrin pjesë të unifikuar.

Në këtë subjekt politik janë shkrirë vet Lista Serbe, e cila në zgjedhjet lokale në Kosovë ka marrë shumicën e komunave me shumicë serbe, si dhe Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanoviqit dhe Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, e cila në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë partner koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit.

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se lista që ai drejton, fillimisht është duke e pritur shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të kuptuar se cila është shumica që mund të krijohet, në bazë të numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt.

“Me kë do të fillojë Lista Serbe bisedimet për koalicion, kjo do të varet nga qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë, sepse, thjeshtë, ne pa qeverinë serbe nuk do të hyjmë në asnjë aranzhim me asnjë opsion politik. Nuk ka lidhje se a është ky opsion politik i shqiptarëve të Kosovës apo ndonjë opsion tjetër politik serb. Do të thotë, pa konsultime me Qeverinë e Serbisë, Lista Serbe nuk do të bëj asnjë aranzhim të koalicionit lidhur me formimin e pushtetit ekzekutiv në Kosovë”, tha Jabllanoviq.

Ish- zëvendëskryeministri dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, i Partisë së Pavarur Liberale dhe tash kandidat në Listën Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se është fakt që Listën Serbe e kanë votuar qytetarët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që përmes institucioneve t’i mbrojnë interesat e veta.

“Ajo që gjithashtu është e qartë është fakti se Beogradi zyrtarë ka dhënë orientim të qartë dhe i ka ftuar qytetarët e bashkësisë serbe që të marrin pjesë në këtë proces dhe të dalin në numër sa më të madh. Në këtë mënyrë kanë dëshiruar që një pjesë të përgjegjësisë ta marrim ne vet, për atë që na pret në të ardhmen”, theksoi Petroviq.

Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, tashmë pjesë e Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se me vetë faktin që serbët kanë dalë në zgjedhje me thirrjen e Qeverisë së Serbisë, ata po ashtu me Serbinë do të merren vesh për hapat e mëtutjeshëm.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që në Kuvend të përfaqësohen interesat e bashkësisë serbe, si dhe për mbijetesën dhe përmirësimin e jetës së serbëve në tërë territorin e Kosovës. Shpresoj që përveç 10 ulëseve të garantuara, Lista Serbe do të marrë më shumë se aq”, ka thënë Bozhoviq.

Sido që të jetë, pavarësisht faktit se në Listën Serbe janë unifikuar përfaqësuesit e tri subjekte politike, sipas Jabllanoviqit, ata do ta respektojnë qëndrimin e subjektit, pjesë e të cilit janë tashmë.

“Të gjithë kandidatët, të cilët nga Listën Serbe janë gjetur si kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës, që më parë e kanë ditur dhe e kanë pranuar obligimin që në qoftë se hyjnë në Kuvendin e Kosovës ta zbatojnë vetëm politikën e Qeverisë së Serbisë dhe kurrsesi politikën partiake dhe personale. Kështu që, qëndrimet dhe mbështetjet e caktuara personale, secili prej tyre nëse i ka, mund t’i lë anash, lirisht. Lista Serbe do të paraqitet e unifikuar, si në zgjedhje ashtu edhe në Kuvend dhe lidhur me këtë nuk do të ketë kurrë farë devijimi”, tha Jabllanoviq.

Përfaqësuesit e bashkësive pakicë në Kuvendin e Kosovës i kanë të garantuara 20 ulëse, 10 për bashkësinë serbe, ndërkaq që 10 të tjera ndahen nga bashkësitë: boshnjake, turke, gorane dhe bashkësia e romëve, ashkalive dhe egjiptasve.
XS
SM
MD
LG