Ndërlidhjet

Sfidat e qeverisë së ardhshme


Prioritet mbi gjithçka tjetër për qeverinë e ardhshme të Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentaret të 8 qershorit, duhet të jetë sundimi i ligjit dhe heqja e ndikimit të politikës nga sistemi i drejtësisë, vlerësojnë disa nga analistët politikë.

Ata thonë, po ashtu, se vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, do të jenë një sfidat tjetër serioze të qeverisë së ardhshme.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për vite me radhë sistemi i drejtësisë në Kosovës, nuk ka funksionuar në mënyrë të duhur.

“Vendosja e sundimit të ligjit do të thotë shteti i së drejtës, dhe heqja definitive e ndikimit politik mbi sistemin e drejtësisë përkatësisht gjykata, prokurori. Sfida e dytë, sigurisht do të jenë bisedimet me Serbinë, do të thotë vazhdimi i dialogut, zbatimi i marrëveshjeve, përkatësisht konstituimi i asociacionit të komunave me shumicë jo shqiptare në veri. Dhe, natyrisht çështjet sociale, përkatësisht zhvillimi ekonomik”, thotë Matoshi.

Në Raportin e progresit për vitin 201 3, është vlerësuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i dobët, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme në drejtësi dhe rrezikimit të pavarësisë dhe paanshmërisë.

Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Shpend Kursani, konsideron se Kosova dhe qytetarët e saj janë duke u përballur me probleme e vështirësi të mëdha, andaj sipas tij, qeveria e ardhshme që do të formohet pas zgjedhjeve do të ketë shumë çështje, me të cilat do të duhet të merret shpejt.

Ai mendon se një nga sfidat me serioze për qeverinë e ardhshme, do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë.

“Qeveria e ardhshme do ta ketë një sfidë shumë të madhe zbatimin e marrëveshjeve që qeveria e kaluar e ka arritur me Serbinë, sepse si marrëveshje me të vërtetë e ka cënuar sovranitetin dhe pavarësinë vendit”.

“Në një farë mënyre, e ka rritur varësinë e Kosovës ndaj Serbisë dhe si qeveria ashtu edhe kuvendi i ardhshëm në çështjet kyçe të vendit nuk do të mund të vendosë pa e pyetur Serbinë. Kështu që është një sfidë shumë e madhe se si në njëfarë mënyre të rikthehet kjo. E kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u rikthyer”,
mendon Kursani.

Si çështje të tjera serioze që e presin qeverisjen e re, Kursani përmend sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

“Është çështja e arsimit, e cila për 14 vite me radhë është degraduar dhe si rezultat, nuk po sjell as fuqi punëtore në bazë të kërkesave që janë në treg, por as njerëz të zgjuar, të cilët në të ardhmen mund të merren me problemet e vendit. Pa e zgjidhur çështjen e arsimit dhe kualitetit të tij njëherë e përgjithmonë, Kosova gjithmonë do t’i ketë këto probleme, ndoshta edhe më të përkeqësuara”, thekson Kursani.

Sa i takon politikës së jashtme, Kursani vlerëson se qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në atë që politika e jashtme të shërbejnë si instrumente për forcimin e shtetit.

“Qeveria e ardhshme do të duhej që integrimet në BE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, t’i bëjë instrument të përforcimit të pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës, e jo si qëllim sepse kur po e bëjnë këtë si qëllim atëherë po shesin gjithçka brenda vendit në mënyrë që të arrihet caku dhe kështu po i humbet edhe pavarësia, edhe sovraniteti vendit dhe kështu po destabilizohet përbrenda”,
shprehet Kursani.

Analistët në Prishtinë thonë se çështjet që lidhen me drejtësinë gjatë këtyre viteve kanë qenë në qendër të kritikave në raportet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, sikurse që është kritikuar edhe për shkallën e lartë të korrupsionit në pothuajse të gjitha institucionet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG