Ndërlidhjet

Ekonomia e Kosovës stagnon, rritja ekonomike 3.5 për qind


Kosova gjatë vitit 2013 ka shënuar rritje ekonomike më të lartën në rajon. Kjo rritje është 3 për qind, por që si e tillë sipas ekonomistëve të Bankës Botërore nuk ishte e mjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Në raportin e rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore thuhet se në vitin 2013, secili nga të gjashtë shtetet e Evropës Juglindore shënuan ritme pozitive rritjeje. Rritje në nivelin 3 për qind ose më shumë u shënua në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi.

Përmes një video konference, Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Evropën Juglindore ka thënë se në vitin 2013, Evropa Juglindore filloi të rimëkëmbej nga recesioni.

“Rritja ekonomike u bë e mundur falë kërkesës në rritje për eksportet e rajonit nga shtetet me të ardhura të larta, veçanërisht nga shtetet e Bashkimit Evropian. Përmbytjet shkatërruese në mes të majit janë një fatkeqësi humanitare për disa vende të Evropës Juglindore dhe do të kenë ndikime në rimëkëmbjen ekonomike për disa vite në vijim, të cilat pritet të vlerësohen më tej”, ka shtuar Goldstein.

Lidhur me situatën në të ardhmen për vendet e Evropës Juglindore, raporti i Bankës Botërore parashikon rritje ekonomike me 1.9 për qind në vitin 2014 dhe me 2.6 për qind në vitin 2015.

Për Kosovën në vitin 2014 Banka Botërore ka parashikuar që të ketë rritje ekonomike jo më shumë se 3.5 për qind.

Ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj gjatë prezantimi të këtij raporti ka theksuar se projeksionet për rritje ekonomike për vitin 2014 kanë qenë 4.2 për qind, por për shkak të zhvillimeve të fundit ekonomike në Kosovë ka bërë parashikimet të jenë më të ulëta.

“Pse kjo rënie, fillimisht eksportet nuk kanë përformuar ashtu siç kemi pritur. Eksportet e mallrave në vitin e kaluar kanë qenë 6.3 për qind rritje, derisa në këtë viti për tre muajt e parë kemi pasur rënie prej 2.3 për qind, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Një pjesë e projeksionit pse është zvogëluar nga 4.2 për qind në 3.5 për qind, është se në buxhetin e Kosovës parashihet ndërtimi i autostradës së re që është një shumë prej rreth 100 milion euro, e që kjo ende nuk është nënshkruar dhe ne e kemi inkorporuar si mungesë të investimeve”, sqaron Demukaj.

Të hyrat buxhetore në vitin e kaluar, sipas Demukaj po ashtu nuk kanë arritur të realizohet sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës.

Doganat e Kosovës kanë pasur rënie të të hyrave në vitin 2013 për 1 për qind, krahasuar me vitin 2012.

Ekonomisti i Bankës Botërore Agim Demukuaj thekson se Kosova gjatë këtyre pesë viteve në aspektin ekonomik ka stagnuar.

“Ka qenë një rritje ekonomikë krahasuar me vendet tjera, por Kosova nuk ka realizuar që të del nga 3 për qindëshi ka mbet rreth 3 për qindëshit, që në kohën kur vendet e rajonit kanë pasur një rënie ekonomike deri në minus 4.5 për qind, Kosova në atë kohë pra në vitin 2009 ka qenë 2.9 për qind rritje. Derisa vendet tjera kanë arritur mu rrit në 3 për qind, Kosova prapë ka mbetur në 3 për qind të rritjes”, tregon Demukaj.

Sipas raportit të Bankës Botërore zbutja e huave të këqija të larta dhe në rritje, rifillimi i rritjes së kreditimit për bizneset huamarrëse, vendosmëria për përpjekje konsoliduese për të ruajtur bilancin fiskal dhe ulja e borxhit publik do të çonin në përshpejtimin e aktivitetit ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG