Ndërlidhjet

Për pesë muaj shuhen 652 biznese


Fabrikë në Kosovë...
Fabrikë në Kosovë...
Shuarja e bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin Bizneseve, Gazmend Mejzini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se vetëm brenda pesë muajve, 652 kompani të ndryshme në Kosovë kanë shuar biznesin e tyre.

“Numri total i bizneseve, të cilat kanë aplikuar për shuarje vullnetare në kuadër të agjencisë për regjistrimin e bizneseve nga janari deri më tani është 652. Ky numër është i njëjtë me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar dhe nuk mund të thuhet se është tendencë në rritje e shuarjes së bizneseve”, bën të ditur Mejzini.

Arsyet e shuarjes së bizneseve nuk bëhen të ditura nga Mejzini, por përfaqësues të këtyre bizneseve thonë se kjo shuarje po ndodh për shkak ambientit të pafavorshëm biznesor.

Mungesa e qasjes në kapital, politikat e pafavorshme fiskale, ekonomia joligjore janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Në Kosovë ambienti i të bërit biznes nuk është i favorshëm, sidomos për atë ndërmarrje që janë mikro. Duke u nisur nga faktorë të përgjithshëm ndoshta është mungesa e lehtësirave fiskale, qasja në financa që është shumë e vështirë për këtë kategori të bizneseve, normat tatimore që në dy vitet e fundit janë përkeqësuar, sidomos për kategorinë e bizneseve të shërbimeve, ku kemi pasur një rritje tatimore prej 5 deri në 9 për qind”, thekson Zeka.

Shuarja e bizneseve duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, në mënyrë që të ndërmarrin hapa konkretë për ta përkrahur sektorin privat.

Me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së papunësisë në vend.

Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 30.9 për qind.

Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 130 mijë. Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Një arsye tjetër e shuarjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shton drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, është edhe fakti se një pjesë e madhe e tyre hapin biznese pa pasur një plan të mirëfilltë biznesi dhe pa analizuar se cili sektor është më profitabil për ta.

“Përgjithësisht po e fajësojmë ambientin e biznesit për fajin e falimentimit të bizneseve, por në shumë raste edhe vetë kompanitë hyjnë në sektorin privat të papërgatitura”, vlerëson Zeka.

Raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bërit Biznes”, kishte vlerësuar se Kosova ka shënuar të arritura, në krijimin e një klime të favorshme për bizneset. Ky raport e kishte radhitur Kosovën në vendin e 86-të, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e 2012.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG