Ndërlidhjet

Lista me emra të rinj, e kualitet të vjetër


Listat e partive politike me kandidatët e tyre për deputet në legjislaturën e ardhshme, kanë disa risi, por ato nuk garantojnë ndonjë kualitet të ri, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, partitë politike kanë nxituar që në fillim të procesit zgjedhor të përfshijnë në vete emra të rinj të cilët edhe i kanë futur nëpër listat e kandidatëve për deputetë duke u përpjekur kështu që të bindin votuesit se po sjellin një kualitet të ri.

Analisti Krenar Gashi vlerëson se listat e kandidatëve për deputet kanë shënjestër kryesisht votuesit e rinj, të cilët i janë shtuar listës së votuesve.

Ai personalisht shprehet i dëshpëruar me listat e partive politike, ngaqë aderimet e reja para zgjedhjeve, sipas tij, kishin si qëllim vetëm përfshirjen e emrave të rinj, por pa sjellë ndonjë risi qoftë në program apo ofertë parazgjedhore.

"Listat për deputetë janë një miks i çuditshëm i atyre që i kemi parë deri më tani, pra partive politike të cilat nuk kanë demokraci të brendshme, nëpër të cilat nuk e dinë se si njerëzit avancohen dhe në anën tjetër njëfarë shtese artificiale me fytyra të reja, me njerëz të papërlyer, me njerëz të cilët kanë aspirata që të jenë politikanë të ndershëm dhe me duar të pastra në të ardhmen. Këtu më duket që qëndron paradoksi i këtyre zgjedhjeve", thotë Gashi.

Ndërkohë, analisti Shpend Kursani thotë se listat e partive politike me kandidatë për deputetë kanë ofruar disa risi, por nuk premtojnë me asgjë në ndryshimin e kualitetit.

Ai thotë se edhe fytyrat e reja të përfshira në këto lista do të jenë pjesë e skemave të vjetra të partive politike, të cilat udhëhiqen nga të njëjtit njerëz dhe të njëjtat kryesi.

"Sa i përket kualitetit unë nuk besoj që do të ketë ndonjë kualitet më të madh sepse deputetët gjithnjë e më shumë varen nga strukturat udhëheqëse të partive politike të cilat nuk kanë ndryshuar. kështu që edhe nëse ndryshojnë deputetët e në anën tjetër nuk ndryshojnë shumë udhëheqësitë apo kryesitë e partive politike atëherë nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në kualitetin e legjislativit të ardhshëm", thotë Kursani.

Një vërejtje tjetër që analistët politikë tërheqin në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë është edhe ajo e mos mbajtjes së premtimeve nga liderët e partive politike për mos përfshirjen në këto lista të njerëzve të kërkuar nga drejtësia.

Sipas tyre, shumë nga partitë politike, sidomos ato më të mëdhatë, në listat e tyre të kandidatëve për deputetë kanë përfshi sërish njerëz nën hetime.
XS
SM
MD
LG