Ndërlidhjet

Fuele inkurajon bashkëpunimin ndërfqinjësor


Atifete Jahjaga dhe Stefan Fuele
Atifete Jahjaga dhe Stefan Fuele
Nyja e përparimit të Kosovës dhe shoqërisë së saj është sundimi i rendit dhe ligjit, deklaroi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Ajo tha se sukseset do të vijnë nëse do të ketë qasje serioze në reforma dhe mostolererncë ndaj të gjitha dukurive negative që, siç tha ajo, po ngadalësojnë zhvillimin e vendit.

“Respektimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësore për të pasur sukses në ketë rrugëtim, ashtu siç është edhe reforma e nisur në sistemin e drejtësisë që ka për qellim krijimin e një drejtësie të pavarur dhe efikase”, tha presidentja Jahjaga duke kërkuar që të ketë një intensifikim të shtuar të përpjekjeve dhe fuqizim të dialogut për viza.

Jahjaga duke folur për liberalizimin e vizave tha se “qytetarët e Kosovës, e sidomos të rinjtë, e meritojnë të realizojnë perspektivën evropiane ashtu si qytetarët e tjerë të rajonit”.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk e rrezikojnë askënd. Në rrugëtimin tonë të mëtejmë ne duam një trajtim të barabartë, sepse kemi dëshmuar pjekuri politike dhe vendimmarrje të guximshme, në favor të paqes dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon”, tha Jahjaga.

Në takimin e këtij këshillit Jahjaga tha se Kosova, ka gjetur vullnetin politik për të adresuar çështjet e interesit të përbashkët me vendin me të cilin ndan një të kaluar të tmerrshme.

Në këtë rrafsh ajo tha se shtetet e Bashkimit Evropian, sidomos ato që ende nuk e njohin Kosovën, të tregojnë një pragmatizëm të njëjtë për një realitet tashmë të pamohueshëm.

Në takimin e sotëm të këtij këshilli, përveç kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryeministrit Hashim Thaçi dhe liderëve të tjerë politikë e përfaqësues të shoqërisë civile, i pranishëm ka qenë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.

Ai tha se Kosova duhet të vazhdojë me zhvillimin e reformave, me ndërtimin e urave me fqinjët dhe duhet të sigurojë për të gjitha komunitetet pjesëmarrje në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët.

“Kosova ka bërë një përparim të madh në rrugën e saj të gjatë në reformat ekonomike. Suksesi i zhvillimit të një shoqërie prosperuese varet nga vizionet afatshkurta. Integrimi evropian në këtë rrafsh është një e arritur e përbashkët që nuk duhet të ishte problem. Përvoja me vendet tjera tregon se rruga drejt integrimit evropian kërkon një konsensus të gjerë nacional”, tha Fuele.

Në vijim Fule ka folur edhe për procesin e ardhshëm zgjedhor, të cilin e ka cilësuar sërish si një test të pjekurisë politike për Kosovën.

“Kushdo që fiton duhet t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka nënshkruar. Shpresoj se Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane të jetë në gjendje të konfirmojë se agjenda evropiane e Kosovës është në rruge të mirë, se dialogu me Serbinë po jep rezultate të mira dhe se e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt”, u shpreh Fuele.

Kurse, presidentja e Jahjaga, sa i takon zgjedhjeve, para të pranishmeve tha se “zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të dëshmojnë pjekuri politike dhe demokratike, si dhe standardet të larta që janë vendosur në zgjedhjet e fundit lokale”.

Kurse, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit e nënshkruar me BE-në është një dokument bazë, i cili do të forcojë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.

Ai tha po ashtu se MSA-ja, përbën një ndërtim të ndërsjellë që e vulosë përcaktimin strategjik të shtetit të Kosovës nga njërën anë dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që janë dhenë përpara dhe besoj se gjithë mundi i investuar do të njihet dhe se qytetarët e Kosovës do t’ju njihet e drejta e tyre për lëvizje të pa viza në vendet e BE-së së shpejti”, theksoi Thaçi, në një konferencë për media me Komisionarin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule në Qeverinë e Kosovës.

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, përmendi se parlamenti ka miratuar një numër të konsiderueshme të ligjeve që kanë të bejnë me procesin e liberalizimit të vizave dhe se siç njoftoi ai disa ligje të tjera të kësaj natyre janë në proces.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG