Ndërlidhjet

Maqedoni: Heshtje ndaj dyshimeve për korrupsion


Përkrahës të kryeminsitrit Nikolla Gruevski.
Përkrahës të kryeminsitrit Nikolla Gruevski.
Institucionet shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit, as të martën nuk kanë dhënë asnjë informacion (për gjashtë ditë), pas publikimit të audio-incizimit nga partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate, sipas së cilës pretendohet se kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, është i përfshirë në marrje të mitos në vlerë prej 1,5 milion eurosh gjatë shitjes së “Bankës Maqedonase”, biznesmenit serb, Jovica Stefanoviq, të njohur si “Gazda Nini”.

Prokurori publik, Marko Zvrleski, nuk ka dhënë asnjë detaj rreth asaj nëse kanë ndërmarrë ose jo ndonjë aktivitet për të ndriçuar këtë rast organet kompetente.

Nga ana tjetër, gjithmonë kur bëhet fjalë për aferë koruptive, ekspertët theksojnë se rasti sa më parë duhet të marrë epilog juridik, që të shmangen spekulimet, si dhe të zbardhet e vërteta rreth asaj se ku dhe si përfundojnë paratë e taksapaguesve, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.

"Po rreth rastit në fjalë, duhet të veprojnë organet e shtetit, gjegjësisht organet për ndjekje penale, duke filluar nga policia përmes Prokurorisë deri te Gjyqësori. Natyrisht se sistemi gjyqësor në këtë rast është organi i fundit, i cili duhet të japë fjalën, kur dhe përpilohet aktakuza se ka ose jo vepër penale”, thotë Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Ai shton se pavarësisht se në këtë rast bëhet fjalë për njeriun e parë të Qeverisë dhe shteti gjendet në fushatë zgjedhore, organet përkatëse në asnjë mënyrë nuk janë të penguara për të vepruar konform ligjeve dhe procedurave juridike.

“Nuk kam të dhëna se për çka është fjala, se pse organet kompetente heshtin rreth kësaj çështjeje. Pavarësisht se shteti gjendet para një aktiviteti të rëndësishëm politik, që ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, kur bëhet fjalë për këto vepra, në rastin konkret po pretendohet se ka edhe dëshmi, të cilat janë publikuar nga opozita në opinion, më duhet të theksoj se nuk ka asnjë pengesë juridike që të mos zhvillohet procedura juridike. Pra, procedura duhet të fillojë sa më parë dhe të konstatohet se ka ose jo vepër penale dhe ka ose jo përgjegjësi, dhe njëkohësisht cila do të jetë shkalla e përgjegjësisë eventuale”, vlerëson Kadriu.

Ndërkohë, sociologu Gjorgji Tonovski, duke komentuar heshtjen e opinionit publik rreth rastit në fjalë, thotë se popullata është bërë imune ndaj aferave korruptive, të cilat paralajmërohen me pompozitet, por të njëjtat nuk marrin epilog gjyqësor. Kjo, sipas tij, ndodh si pasojë e mungesës së vullnetit politik që seriozisht të merren me luftën kundër korrupsionit, me vite të tëra.

“Më duhet të theksoj se sensibilizimi i opinionit është vënë në pikëpyetje si pasojë, jo vetëm e mosfunksionimit adekuat të institucioneve politike, por te ne ndodh një fenomen edhe më i rëndë, mosfunksionimi i institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për çështje të caktuara, përfshirë këtu dhe luftën kundër korrupsionit”, thekson sociologu Tonovski.

Ndryshe, edhe të martën, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili bëri publik audio-incizimin, ku, sipas tij, pretendohet se është zëri i kryeministrit Nikolla Gruevski duke kërkuar ryshfet prej 1.5 milion eurosh për shitjen e "Bankës Maqedonase", duke iu shmangur edhe tatimit ndaj shtetit, sot ka ngritur procedurë penale ndaj Gruevskit, për, siç ka thënë ai, marrje të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës dhe fshehje të tatimit.

Zaev njëherësh ka kërkuar që Prokuroria, me të gjitha kapacitetet, sa më parë të vihet në funksion të zbardhjes së këtij rasti.

Ndërkohë, kryeministri Nilkolla Gruevski, publikimin e audio-incizimit e ka quajtur veprim të njerëzve të dëshpëruar nga humbja e madhe që po pëson opozita edhe në këto zgjedhje.

“Kur e panë që nuk mund të na mundin me punë, përkushtim dhe përgjegjësi, ata filluan me një fushatë negative dhe të zezë, me akuza, me montime, me gënjeshtra dhe manipulime. Mendojnë se në këtë mënyrë do të manipulojnë me popullin", është shprehur Gruevski, para simpatizuesve të partisë së tij, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG