Ndërlidhjet

Dokumentet kundërthënëse të OSBE-së


Ilustrim
Ilustrim
Ligjvënësit kosovarë kanë reaguar gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ditën e enjte, për, siç kanë thënë ata, “përfshirjen e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, si pjesë e Serbisë", në disa dokumente të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Deputetja Alma Lama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj të japë sqarime rreth kësaj çështjeje.

“Edhe pse OSBE-ja ka një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, në asnjë mënyrë nuk mund të shkruajë që Mitrovica gjendet në Serbi. Në fakt, ky institucion jo që nuk e ka respektuar mënyrën zyrtare të referimit ndaj Kosovës, por ka shkuar shumë larg, duke e konsideruar një pjesë të territorit të Kosovës të njohur nga shumica e vendeve të BE-së si shtet i pavarur, si pjesë të Serbisë. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur në një dokument, por në disa dokumente, sepse ketë e pashë pasi hulumtova pak më shumë”, u shpreh deputetja Lama.

Ministri Enver Hoxhaj tha në Kuvendin e Kosovës se është në dijeni për këtë çështje dhe se pas kontaktit me zyrën e shefit të OSBE-së është thënë se ajo që ka ndodhur, ishte një problem teknik.

Po ashtu, ministri Hoxhaj bëri të ditur se pikërisht për këtë çështje javën e ardhshme do të ketë një takim me ambasadorin e OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger.

“Kosova nuk është anëtare e OSBE-së, por në çdo raport që OSBE-ja deri më tash e ka publikuar për Kosovën, para se të botohet një raport i tillë, kemi bërë përpjekje përmes shteteve anëtare që janë sponsorë dhe mbështetës të Kosovës, që të ndërhyjmë në raporte të tilla. Dhe, mund t’ju them se OSBE-ja, ka pasur raporte, të cilat kanë qenë të dëmshme për Kosovën”, tha para deputetëve ministri Hoxhaj.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë, zyra për media ka sqaruar se misioni i OSBE-së është i paanshëm:

“OSBE-ja është organizatë e paanshme ndaj statusit, e cila punon sipas mandatit të dhënë me vendimin 305 (korrik 99) të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së. Mundësitë tona të punësimit janë në këtë ndërlidhje [http://www.osce.org/employment/vacancies ] dhe siç mund ta shihni, ato janë renditur në një mënyrë të paanshme ndaj statusit”.

Ministri Hoxhaj theksoi se ekziston një tendencë nga ana e Serbisë dhe ajo e Rusisë që ta përdorin misionin e OSBE-së për agjendat e tyre politike.

“Qasja jonë ndaj OSBE-së dhe qasja jonë ndaj shumë misioneve, të cilat veprojnë në Kosovë falë Rezolutës 12 44 është që këto misione, të cilat kanë gjoja qëndrim neutral karshi Kosovës, t’i lëvizim drejt një statusi pozitiv për Kosovën, që ta pranojnë realitetin e shtetit të Kosovës”, theksoi Hoxhaj.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni nga LDK-ja, tha se “nëse ndonjë organizatë ndërkombëtare në Kosovës mban qëndrim neutral ndaj statusit dhe shtetësisë së Kosovës, ai është qëndrim i Qeverisë së Kosovës dhe i kësaj ministrie të Jashtme”.

“Unë, në vazhdimësi e kam thënë se ky shtet nuk ka politikë të jashtme. Ky shtet e ka pranuar neutralitetin ndaj statusit dhe nuk është duke bërë asgjë që këtë neutralitet ndaj statusit ta heqë dhe përfundimisht institucionet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh Hyseni.

Donika Kadaj- Bujupi
nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, tha se ajo që ka ndodhur nga ana e OSBE-së, është e papranueshme.

“Ministrat dhe Qeveria Thaçi, sillen si OJQ, dalin në fund të mandatit të dytë dhe pranojnë para qytetarëve, përmes Kuvendit dhe deputetëve, se organizatat e ndryshme, siç është OSBE-ja, vazhdojnë të kenë status neutral ndaj Kosovës, që është gjë e papranueshme dhe e pakuptimtë”, pohoi Kadaj- Bujupi.

Përveç OSBE-së, edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka qëndrim neutral karshi statusit, KFOR-i, siç ka edhe ajo çfarë ka mbetur nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
XS
SM
MD
LG