Ndërlidhjet

Kur forcat e armatosura ruse varen nga Ukraina…


Kufiri me Rusinë...
Kufiri me Rusinë...
Është ironik fakti se shumica e pajisjeve që përdorin trupat ruse në Krime dhe ato që manovrojnë në kufirin me Ukrainën janë të prodhuara nga industria ushtarake e Kievit.

Këto pajisje përfshijnë motorë të helikopterëve luftarakë të Rusisë, motorë të anijeve detare dhe gjysmën e raketave ajër-ajër.

Një gjë e tillë tregon se sa shumë rrezikon ushtria ruse, të qëllojë veten e saj në këmbë, nëse tensionet në rritje bëjnë që dy vendet të ndërpresin marrëdhëniet.

Në një artikull të kohëve të fundit, korrespondenti i Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë, Vladimir Voronov, ka argumentuar se prishja e marrëdhënieve me Ukrainën do të kishte ndikim më dramatik në programin rus të mbrojtjes, sesa sanksionet perëndimore, që kufizojnë shitjen e pajisjeve ushtarake të Perëndimit.

Voronov thotë se komplekset industriale ushtarake të dy vendeve janë aq të integruara, saqë çdo fund i bashkëpunimit me Ukrainën do të rrezikonte seriozisht ambiciet ruse për programin e modernizimit.

Integrimi i industrive ushtarake të Rusisë dhe Ukrainës daton që nga koha e Bashkimit Sovjetik, kur planifikuesit në Moskë kanë vendosur qëllimisht fabrikat në republika të ndryshme sovjetike, për të forcuar unitetin kombëtar.

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Moska ka bërë përpjekje të krijojë industrinë e brendshme ushtarake, por programi saj i vetëmbështetjes mbetet larg kompletimit.

Rusia parashikon shpenzimin e së paku 20 trilionë rublave (563 miliardë dollarëve) nga viti 2011 deri më 2020, për të mondernizuar ushtrinë, duke përfshirë përditësimin e forcave të saj strategjike bërthamore, zgjerimin e flotës dhe modernizimin e forcave ajrore dhe tokësore.

Megjithatë, zyrat e projektimit janë tejet të ngarkuara dhe, siç ka thënë, zëvendëskryeministri Dmitry Rogozin, ato nuk kanë kohë për të gjithë urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Igor Sutyagin,
ekspert për Rusinë në Institutin Mbretëror të Londrës, merr si shembull motorët për helikopterët luftarakë dhe transportues.

“Rusia ka nevojë për rreth 3,000 sish dhe ka arritur të krijojë vetëm një. Aktualisht planifikon të prodhojë rreth 50 në vit”,
thotë Sutyagin.

Lidhje të rëndësishme ushtarake mids Rusisë dhe Ukrainës përbëjnë edhe forcat strategjike bërthamore të Rusisë.

Shumica e kokave bërthamore ruse shpërndahen nga raketat që janë prodhuar ose projektuar nga fabrikat në Ukrainën sovjetike.

Por, Moska duket se vë bast se nëse marrëdhëniet me Kievin përkeqësohen edhe më tej, bashkëpunimi midis industrive të tyre ushtarake do të braktiset i fundit.

Sutyagin thotë se arsyeja nuk është vetëm rëndësia strategjike e marrëdhënieve për Rusinë, por edhe rëndësia e saj komerciale në Ukrainë.

“Industria ushtarake e Ukrainës varet shumë nga Rusia, sepse Rusia përfaqëson 30 për qind të eksporteve të Ukrainës dhe këto janë eksportet më të vlefshme pasi janë më të shtrenjtat. Do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për fabrikën Motor Sich, që prodhon motorë për helikopterë dhe avionë, të gjejë treg evropian, sepse tregu tashmë është i dendur dhe këta motorë nuk iu përshtaten në mënyrë të përkryer standardeve evropiane dhe botërore, standardeve të cilësisë, të zhurmës dhe të ndotjes”, thekson Sutyagin.

Megjithatë, ngushtimi i partneritetit ushtarak industrial midis Rusisë dhe Ukrainës e bën atë një faktor të paparashikueshëm në krizën e tanishme.

Dëshira e të dyja palëve për të ruajtur tregtinë e tyre ushtarake mund të ndihmojë në frenimin e tensioneve. Por, rreziku i humbjes së saj mund të hedhë vaj në dëshirën e Moskës për të pasur një qeveri besnike në Kiev, pa marrë parasysh çmimin.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG