Ndërlidhjet

Opozita - qeverisë: Keni punuar në dëm të vendit


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Me akuza dhe kundërakuza ndërmjet opozitës dhe Qeverisë, ka nisur seanca e së enjtes në Kuvendit të Kosovës.

Deputetët opozitarë kanë akuzuar Qeverinë duke thënë se ajo ka bërë koncesione në vazhdimësi me Serbinë në dëm të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, derisa i është përgjigjur kritikave, tha se Kosova për një kohë të shkurtër ka arritur suksese të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm.

Sipas saj, dialogu me Serbinë ka sjellë rezultate të prekshme.

“Pse ju i shihni vetëm anët jo të mira, dhe injoroni dhe mohoni rezultatet e prekshme që konfirmohen edhe nga faktori ndërkombëtar. Ne jemi tash në veri sepse kemi shtrirë sovranitetin dhe në fushat si ato në drejtësi, në siguri. Në funksionalizimin e komunave, përkatësisht në pushtetin lokal në doganë, në kontrollin kufitar të shtetit dhe kemi vënë kufirin ndërshtetërorë me Serbinë”, tha Tahiri.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se qeveritarët kosovarë janë treguar kompromisaxhinj të pashembullt.

Ai shtoi se politika e Qeverisë së Kosovës ndaj veriut të Kosovës ka qenë një dështim total, teksa ka rikujtuar barrikadat në veri.

“Ajo që e ka karakterizuar pushtetin qeveritar të Kosovës këto gjashtë vitet e pavarësisë ka qenë një prirje e vazhdueshme për të lëshuar pe ndaj Serbisë. Qeveritarët e Kosovës janë kompromisaxhinj të pashembullt”, tha Konjufca.

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj vlerësoi se gjendja në veri, jo që nuk ka ndryshuar për të mirë, por sipas tij, është përkeqësuar.

“Unë dua që ato fjalë të jenë reale, por gjendja atje (në veri të Kosovës) nuk ka ndryshuar. Nëse shkoni sot dhe e shihni gjendjen e vërtetë, sinqerisht mund të ju them se është më keq se shumë vite më përpara. Keni deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje të Serbisë në Kosovë. Ne pamë fare mirë se pat zgjedhje, pat vendvotime, kishte edhe siguri nga Policia e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në seancën e sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk votuan pro futjes në rend dite të Ligjin për Veteranët e Luftës me procedurë të shmangies.

Deputetët, pasi kanë votuan për shqyrtimin e projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, projektligji ka mbetur për t’u diskutuar në vazhdimin e seancës që do të mbahet të premten.

Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të diskutohet pas një procesi reformash të filluar para tre vjetësh.

Në vend të reformave kushtetuese e zgjedhore siç ishin paralajmëruar në pjesën e parë të vitit 2011, si epilog i këtij procesi tani ka mbetur miratimi i ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, por i cili nuk do të ndryshojë asgjë nga sistemi zgjedhor dhe më shumë ka të bëjë me avancimet në zbatimin praktik të tij sa i përket organizimit të zgjedhjeve.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se nuk mund të bëhet fjalë për reforma zgjedhore, nga që Kuvendi në fakt po miraton vetëm një ligj të ri, por pa prekur në sistemin zgjedhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG