Ndërlidhjet

Nënshkruhet "Kushtetuta" e punëtorëve


Nënshkrimi i Kontratës Kolektive
Nënshkrimi i Kontratës Kolektive
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik Social, kanë nënshkruar të martën Kontratën e përgjithshme kolektive.

Ky dokument, i cili do t’i rregullojë raportet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve në Kosovë, është vlerësuar si një hap shumë të rëndësishëm në konsolidimin dhe modernizimin e tregut të punës të Kosovës.

Kryeministri Thaçi, pas nënshkrimit të Kontratës kolektive, e ka versuar atë si një marrëveshje shumë të vlefshme për Kosovën, për faktin që sipas tij, është më e avancuar dhe më gjithëpërfshirëse se sa Ligji i punës.

“Kjo kontratë përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi gjithashtu ka vlerësuar se kjo marrëveshje do ta rritë stabilitetin e punëtorëve në vendet e tyre të punës, si dhe do të sigurojë kushte më të mira për ta.

Siç ka thënë ai, të punësuarit kanë për të qenë më të motivuar dhe të përkushtuar ndaj punës, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të garantojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë garantuese e zbatimit të kësaj marrëveshje dhe do të siguroj përmbushjen e të drejtave që u takojnë punëtorëve. Nga kjo kontratë do të përfitojë tërë Kosova, pasi që do të përmirësojmë ndjeshëm klimën e tregut tonë, të burimeve njerëzore dhe do të minimizojmë mosmarrëveshjet dhe paqartësitë që lidhen me to”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, Haxhi Arifi, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se nënshkrimi i Kontratës kolektive është rrumbullakim i punës dhe pritjes dyvjeçare.

Këtë kontratë ai e ka quajtur “Kushtetutë e punëtorëve” dhe sipas tij është një marrëveshje e mirë, e cila është pritur nga të dyja palët, punëdhënësit dhe punëmarrësit.

“Është një Kushtetutë e punëtorëve dhe është akti më i rëndësishëm për punëtorët në Kosovë. Kjo është një marrëveshje mjaft e mirë, sepse 80 për qind është nxjerrë nga ligji i punës dhe 20 për qind është edhe më e avancuar dhe kjo nuk ndodhë në regjion. Por, ne ia kemi dalë me një mirëkuptim me punëdhënësit dhe me qeverinë”, tha Arifi.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit tha për Radion Evropa e Lirë, se kontrata kolektive, e cila është nënshkruar ditën e martë, do t’i ngarkojë buxhetet vjetore të punëdhënësve, por do t'i kënaq dhe avancojë kërkesat e punëtorëve të sektorit privat dhe publik.

“Vlen të theksohet se kontrata kolektive, e nënshkruar sot, do të ketë më shumë ngarkesë buxhetore dhe kjo ngarkesë buxhetore, në nivel vjetor, për kompanitë private dhe ato shoqërore, apo për punëdhënësin, do të jetë diku rreth 175 milion euro shtesë, që do të shpërndahen në forma të ndryshme tek punëmarrësit. Kjo do t’i ndihmojë shumë mirëqenies së punëtorit dhe kjo do ta avancojë pozitën e tij në kompanitë private dhe ato publike”, tha Shahini.

Shahini ka shtuar se marrëveshja për kontratën kolektive, nuk është më e përkryera, por siç ka theksuar ai, partnerët social mund ta ndryshojnë atë në çdo kohë, në qoftë se i harmonizojnë qëndrimet e tyre lidhur me ndryshimet eventuale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG