Ndërlidhjet

Në betejën e sanksioneve me Perëndimin, Rusia më e dobët


Rusia dhe Perëndimi janë në teh të një beteje ekonomike lidhur me inkursionin e Moskës në Krime të Ukrainës.

Në krizën e cila po shndërrohet në konfrontimin më të keq ndërmjet Perëndimit e Lindjes prej Luftës së Ftohtë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, po përgatiten për konfrontim me Rusinë lidhur me ndërhyrjen e saj në Ukrainë.

Por, kësaj radhe, duket se armët kryesore do të jenë bankat e jo tanket.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po lëvizin me një intensitet të pazakonshëm në imponimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe e kanë parasysh edhe perspektivën e sanksioneve të mprehta sikur ato kundër Iranit.

Kjo po ndodhë përkundër integrimit të thellë të Rusisë në ekonominë globale dhe pashmangshëm, sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë, do të kenë çmime të dukshme për Perëndimin, po ashtu.

Analistët thonë se aftësia e Rusisë për të imponuar kundërmasa të dhembshme ndaj Perëndimit, mund të jenë shumë më të dobëta se sa zakonisht mendohet, bile edhe duke pasur parasysh vartësinë e Evropës nga gazi natyror i Rusisë.

Evropa është tregu kryesor për naftën dhe gazin rus, ndërsa të ardhurat nga ky treg përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit të Rusisë.

Nga ana tjetër, kompanitë e Rusisë, ato të kontrolluara nga shteti dhe private, janë të varura nga bankat perëndimore për financimet madhore.

Anders Aslund është ekspert në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare me seli në Uashington. Lidhur me këtë çështje, ai thekson:

“Qendra financiare e Rusisë është Londra. Tash Rusia është shumë e varur nga situata globale financiare. Ne kemi parë në vjeshtë të vitit 2008, se si bursat ruse shënuan rënie nga maji e deri në tetor të vitit 2008, për jo më pak se 80%”, thotë Anders Aslund.

Sipas firmës Bloomberg, kompanitë ruse kanë marrë 58 miliardë dollarë kredi nga Perëndimi në vitin 2013, ndërsa në vitin 2012, kjo shumë ishte 38 miliardë dollarë.

Aktualisht po zhvillohen negociata për afro 8 miliardë dollarë, ka raportuar gazeta Moscow Times, ndërsa këto biseda janë në shkatërrim e sipër për shkak të tensioneve lidhur me Ukrainën.

Nga ana tjetër, në raportin e organizatës joqeveritare Integriteti Global Financiar (GFI) me seli në Uashington, theksohet se ekonomia e Rusisë është thellë e ndërlidhur me qendrat perëndimore, që konsiderohen parajsë për tatime.

Qiproja, megjithëqë e ka GDP-në e përgjithshme vetëm 23 miliardë dollarë, është burimi më i madh dhe destinacion kryesor për investimet direkte të jashtme ruse.

Qiproja është “makina kryesore e pastrimit të parave për kriminelët rusë”, thotë raporti.

Dev Kar është ekonomisti udhëheqës në organizatën joqeveeritare Integriteti Global Financiar dhe autor i raportit.

Duke u shprehur për ekonominë joformale të Rusisë ai thotë:

“Në vitin 2011 ajo ishte 35% e GDP-së. GDP-ja zyrtare është rritur shumë prej vitit 1994, dhe kjo është arsyeja se përse, në përbërje të GDP-së ka shënuar rënie, por shkalla absolute është shumë e lartë”, thotë eksperti Dev Kar.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, investitorët e tjerë të mëdhenjë në Rusi dhe pranues të investimeve ruse janë edhe Holanda, Ishujt Virgjine Britanike, Bermudet, Bahamet dhe Luksemburgu.

Profiti nga këto transaksione për strukturat financiare perëndimore është shumë i lartë dhe financierët, që përfitojnë nga ato shpeshherë u nënshtrohen ndikimeve politike.

Kjo ka ndikuar që disa vëzhgues, me gjasë edhe vetë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të konkludojnë se vendet si Britania dhe Gjeermania, do tu rezistojnë sanksioneve serioze.

Ben Judah është gazetar britanik dhe autor i një libri për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin.

Lidhur me këtë çështje ai thekson:

“Derisa elita ruse para 15, 20 dhe 30 vitesh kishte frikë se establishmenti evropian ishin oficerë të dikurshëm të SS dhe M16, dhe njerëz të tjerë të tmerrshëm,që e shkatërruan Bashkimin Sovjetik, tash ata, që shumë mirë i njohin këto elita të njëjta evropiane, mendojnë se ato u ndihmojnë atyre për ta plaçkitur Rusinë. Kjo ndodhë pasi bankerët britanikë, avokatët francezë dhe kontabilistët gjermanë, janë ata që paratë e tyre i vendosin në Perëndim”, thotë Ben Judah.

Megjithatë, bisedimet e ashpra të papritura në Uashington dhe kryeqytetet evropiane, gjatë ditëve të fundit, duket se i përgënjeshtrojnë këto shqetësime.

Më 11 mars, Parlamenti Evropian me shumicë të madhe votash i miratoi masat për luftimin e komanive anonime duke i bërë publikë emrat e korporatave përfituese.

Eksperti Anders Aslung thotë se për shkak të rolit që e luajnë shumë kompani shtetërore të Rusisë, duke u mundësuar zyrtarëve për ta plaçkitur ekonominë e Rusisë, ato në esencë janë “sindikata të krimit të organizuar”. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG