Ndërlidhjet

SHBA i mban anën Ukrainës


Barack Obama dhe Arseniy Yatsenyuk
Barack Obama dhe Arseniy Yatsenyuk
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka mbështetur fuqishëm Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë.

Ai dhe kryeministri i Ukrainës, Aresniy Yatsenyuk, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, ditën e martë, e kanë kundërshtuar referendumin e planifikuar në Krime për të dielën, i cili mund të çojë në aneksimin e këtij rajoni të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Obama tha se Moska do të ballafaqohet me “çmime” që nuk i ka specifikuar, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e respekton sovranitetin e Ukrainës.

“Ne kemi qenë shumë të qartë se ne konsiderojmë që inkursioni rus në Krime, jashtë bazave ruse, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare, të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat Rusia i ka nënshkruar, dhe shkelje e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”, tha Barack Obama.

Ai theksoi se beson se komuniteti ndërkombëtar do të qëndrojë fuqishëm me qeverinë e Ukrainës.

Arseniy Yatsenyuk tha se qeveria e tij është e gatshme të bisedoj me Moskën, por “kurrë nuk do të dorëzohet” në luftën e saj për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës.

“Kjo është për liri. Ne luftojmë për lirinë tonë, ne luftojmë për pavarësinë, për sovranitetin tonë dhe kurrë nuk do të dorëzohemi”, tha Yatsenyuk.

Nga ana tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se në vend që të veprojë si partner për stabilitet në krizën e Ukrainës, Rusia synon për ta shfrytëzuar dobësinë e fqinjit të vet.

“Integriteti territorial i Ukrainës nuk mund të vihet në pikëpyetje”, tha Angela Merkel, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin e Gjermanisë, dhe e ka bërë të qartë se situata në rajonin Krime të Ukrainës nuk mund të krahasohet me rastin e Kosovës në Ballkan.

Zonja Merkel ka tërhequr vërejtjen se Bashkimi Evropian mund të imponojë sanksione kundër zyrtarëve rusë dhe ukrainas, javën e ardhshme, nëse dështojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes diplomatike.

“Pothuajse para një jave ne thamë se nëse nuk janë sanksionet e suksesshme brenda pak ditësh, ne duhet ta shqyrtojmë shkallën e dytë të sanksioneve. Gjashtë ditë kanë kaluar prej atëherë, dhe ne duhet ta pranojmë, megjithëqë do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për formimin e grupit të kontaktit për Ukrainën, se ne nuk kemi bërë asnjë progres”, tha Angela Merkel.

Ajo ka theksuar se pjesa politike e marrëveshjes kryesore ndërmjet Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, mund të nënshkruhet gjatë këtij muaji. Merkel ka paralajmëruar se ky nënshkrim mund të bëhet “me gjasë në samitin e ardhshëm të BE-së”, të paraparë për 20 dhe 21 mars.

Një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara e ka miratuar legjislacionin me të cilin autorizohen 1 miliardë dollarë garantime për hua për qeverinë e re të Ukrainës dhe për lejimin e administratës amerikane për imponimin e sanksioneve kundër zyrtarëve rusë, që janë përgjegjës për intervenimin ushtarak në Krime të Ukrainës.

Komiteti për marrëdhënie të jashtme i Senatit të Shteteve të Bashkuara votoi në favor të këtij legjislacioni me 14 për dhe 3 vota kundër, ndërsa për tu bërë fuqiplotë ky legjislacion duhet të miratohet në Senat me përbërje të plotë, e pastaj edhe në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG