Ndërlidhjet

Pala kosovare e papërgatitur për gërmimet në Rashkë?


Rashkë...
Rashkë...
Pa planifikim buxhetor, por me vullnet për punë, dhe me shpresën se taksapaguesit kosovarë nuk do të duhet të paguajnë qindra mijëra euro për të kryer gërmimet në Rashkë.

Këto janë parimet me të cilat do të drejtohet delegacioni i ekspertëve mjeko-ligjor kosovar, i cili të premten takohet me homologët e tyre serb në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Takimi i 14 marsit i nën-grupit profesional, pritet të hedh dritë mbi të ardhmen e gërmimeve në varrezën masive, në të cilën u zbuluan mbetje mortore, që dyshohet se janë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i komisioni qeveritar i Serbisë për të pagjeturit, Velko Odalloviq ka dorëzuar një projekt-propozim për mbulimin financiar të punëve gjatë gërmimeve në Rashkë, ku kostoja totale është cek të jetë 291,575 euro.

Prenkë Gjetaj që është kryetar i komisionit qeveritar për të pagjeturit tha të hënën për Radio Evropa e Lirë, se pala kosovare nuk ka bërë plan të vetin për shpenzime, dhe as që e ka ndërmend që t’i mbulojë këto shpenzime që i ka paraqitur pala serbe.

Mirëpo, nuk e përjashton plotësisht as mundësinë që gërmimet në Serbi të bëhen me paret e taksapaguesve kosovarë.

“Ne nuk kemi projekt të veçantë për këtë çështje, sepse nuk është punë e jona. Sikur të ishte [Rashka] në hapësirën e Kosovës, sigurisht se do të mendonim, dhe jo vetëm të mendonim, por do t’i kryenim krejt punët. Nëse s’mundemi vet, sigurisht se do të kërkonim donatorë".

"Por kjo është çështje e Serbisë. Mirëpo, nëse mbetet pyetje, mjetet financiare, atëherë sigurisht se do të angazhohemi me mundësitë tona se si do ta ndihmojmë realizimin e projektit”
, thotë Gjetaj.

Qeveria në Prishtinë, ende nuk ka marr ndonjë vendim të prerë nëse do të financonte këtë gjë, meqë janë ngritur dilema morale për një veprim të tillë.

Implikimet buxhetore për gërmimet në Rashkë, besohet se do të shtyjnë sërish fillimin e punëve në këtë vend.

Dhe kjo duket se vlen edhe për përgatitjet që po i bënë komisioni qeveritar i Kosovës për gërmimet në këtë varrezë masive.

Arsim Gërxhaliu, i cili udhëheq grupin profesional të mjeko-ligjorëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një projekt kaq të madh nuk bënë që të vazhdohet puna me parimin “veç nisu e shko në Rudnicë”!

“Një çështje e keqe, të cilën më duhet ta pranojë, është se pala jonë, nuk është në një farë forme, e përgatitur aq sa duhet për këtë çështje! Në letra, dhe në projekt”, thotë Gërxhaliu.

“Si komision [për personat e pagjetur] ende nuk kemi ndonjë përgjigje, dhe as që ka filluar të përgatitet një projekt nga ana jonë. Jemi faktikisht në pikën zero”, shton ai.

Vendi ku janë gjetur mbetjet e para mortore në këtë varrezë, gjendet skaj magjistrales Rashkë-Mitrovicë, në pjesën e territorit të Serbisë, i cili ka shërbyer më parë si vend parkim i automjeteve të rënda industriale, dhe të makinave të tjera që janë përdorur nga një kompani shtetërore e mirëmbajtjes së rrugëve.

Një pjesë e madhe e këtij vendi është moçal, meqë sipas medieve serbe, nuk është shfrytëzuar që nga përfundimi i luftës.

Mirëpo, ndërtesa prej afro 100 metra katror, është ndërtuar pas luftës dhe për të po kërkohet dëmshpërblim, meqë dyshohet se nën të janë hedh trupat e shqiptarëve, dhe se duhet të rrënohet për t’i vërtetuar dyshimet.

Projekt-buxheti serb, shtrihet në tri faza, ndërsa afro 133 mijë euro kërkohen si dëmshpërblim për ndërtesën e kompanisë për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale, dhe rrënimin e saj.

Komisioni qeveritar i Serbisë për personat e pagjetur, ka paraqitur këtë projekt-buxhet, meqë pretendon se nuk ka mjete financiare për të mbuluar koston e punimeve në Rudnicë të Rashkës.

Deri më tani, nuk është lajmëruar asnjë donator për të financuar këto gërmime, ndërsa pala kosovare, po insiston që punët të rinisin sa më parë.

Gjetaj ndërkaq, thotë se logjika e palës serbe për kompensim, nuk është e shëndoshë.

"Në radhë të parë, është diçka që është e pakuptimtë, edhe për ne, edhe në përgjithësi. Kostoja e kompensimit e atij dëmi, në kuptimin e dëmit material, 100 e sa mijë euro, për ne nuk është as që duhet ta shqyrtojmë, për faktin se ata ish dashur të përgjigjen për krimin që kanë bërë, fshehjen e gjurmëve të trupave që i kanë varrosur aty. Tash na dalin me një kërkesë se duhet të bëhet kompensimi, kurse në fakt ata është dashur të përgjigjen se përse e ndërtuan atë objekt mbi varrezë", thotë Gjetaj.

Prokuroria serbe për krime të luftës, pretendon se në Rashkë janë hedh të paktën 250 viktima të luftës në Kosovë.

Sipas prokurorisë së Serbisë, trupat e shqiptarëve janë transportuar në këtë vend gjatë largimit të forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, dhe se këtë aksion e kanë ndërmarr njësitë speciale policore serbe.

Më 13 dhjetor, të vitit të kaluar, është konfirmuar dyshimi se në këtë vend, janë hedhur trupat e pajetë të shqiptarëve, kurse ekipet mjeko ligjore, serbe e shqiptare, gjetën mbetjet e të paktën gjashtë viktimave të luftës.

Sipas ekspertëve mjeko-ligjor, me të filluar gërmimet në këtë lokacion, do të duhen të paktën gjashtë muaj deri sa të përfundojë zhvarrimi i viktimave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG