Ndërlidhjet

Kostiq: Koha për dobësimin e ekstremistëve


Mitrovicë
Mitrovicë
Pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, serbët gjenden në pozitë më të mirë dhe tashmë kanë përfaqësuesit e tyre që janë më legjitimë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Vladeta Kostiq, udhëheqës i Iniciativës qytetare Serbe, e cila në zgjedhjet lokale ka fituar mandatin e kryetarëve në 9 komuna. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Kostiq i quan të dëmshme grupet ekstreme dhe thotë se ka ardhur koha që ato forca të dobësohen dalëngadalë dhe të bisedohet me sinqeritet.


RADIO EVROPA E LIRË
Përmbyllja e ciklit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat kanë marrë pjesë edhe serbët në veri, në çfarë pozicioni politik i rendit serbët?

VLADETA KOSTIQ
Serbët në Kosovë, për momentin, pas këtyre zgjedhjeve lokale, sipas mendimit tim personal, gjenden në pozitë dhe situatë më të mirë. Më në fund, në nivelin lokal, kanë marrë përfaqësuesit që janë më legjitimë ose më saktë, që kanë kredibilitet të caktuar, duke pasur parasysh që dalja në votime ka qenë më shumë se që kemi pritur dhe më shumë se e kënaqshme.

Tashmë, në mënyrë përfundimtare, në nivelin lokal, sa i përket kryetarëve të komunave, kryetarëve të Kuvendeve komunale dhe të tjerave, serbët i kanë përfaqësuesit e tyre. A i kanë zgjedhur drejtë dhe mirë, si dhe a i kanë zgjedhur njerëzit kualitativ, mbetet tash që ata ta tregojnë veten në momentet që i kanë para vetes.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Kosovës kanë vlerësuar se nuk do të ketë më bisedime në nivel kryeministrash lidhur me themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe se themelimi i saj është vetëm çështje procedurash. Si mendoni ju, a ka mbetur gjë për t’u biseduar lidhur me këtë temë?

VLADETA KOSTIQ
Unë tash mund t’i kuptoj deklaratat e politikanëve në Prishtinë, por gjithashtu edhe të atyre në Beograd, duke pasur parasysh që tashmë janë shpallur zgjedhjet në Beograd dhe se së shpejti priten zgjedhje parlamentare edhe në Kosovë.

Prandaj, edhe mund të pres deklarata të tilla, që ju i përmendët, nga politikanë të ndryshëm, duke pasur parasysh që e gjithë kjo është mbledhje e pikëve të fundit politike nga ai trup zgjedhor, i cili është kundër Bashkësisë së komunave serbe, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi. Mendoj se e gjithë kjo është në domenin e politikës ditore të mbledhjes së pikëve.

E rëndësishme është që bisedimet do të vazhdojnë. Se a do të jetë formati i delegacioneve i nivelit të kryeministrave apo të grupeve punuese, këtë nuk e përcakton as Beogradi e as Prishtina. Këtë e përcakton Brukseli dhe për këtë vetëm kaq mund të them.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, autoritetet në Beograd kanë deklaruar se presin që Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet gjatë këtij muaji, ndërkohë që përfaqësuesit e vetë komunave serbe, thonë se nevojitet më shumë kohë. Kur, sipas jush, mund të ndodhë kjo?

VLADETA KOSTIQ
Përsëri më duhet të them që ky është mendimi im se formimi i Bashkësisë së komunave serbe do të fillojë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Gjithashtu, mendoj se kështu është mirë, sepse kemi nevojë që të kemi dy qeveri, me mandate dhe kapacitete të plota para vetes, si dhe të kemi dy parlamente, të cilat do t’i kenë fuqitë politike. Në Beograd e kemi Qeverinë e Serbisë, e cila është teknike dhe e kemi një parlament të shpërndarë.

Ndërkaq, këtu e kemi një Qeveri të Kosovës, e cila nuk e ka shumicën në Parlament dhe me këtë nuk e ka as fuqinë politike për të sjellë procedurat e caktuara ligjore, kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Për këtë arsye, mendoj se vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe me këtë e mendoj edhe Bashkësinë e komunave serbe, do të ndodhë vetëm pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kostiq, Iniciativa Qytetare Serbe, të cilën e keni udhëhequr ju në fushatën zgjedhore, ka qenë e pozicionuar ashpër kundër shtetësisë së Kosovës. Tashmë kjo iniciativë ka fituar në 9 komuna. Cila do të jetë tash qasja ndaj shtetit të Kosovës?

VLADETA KOSTIQ
Ne, në fushatën tonë, nuk kemi pasur qëndrime kundër, siç thoni ju, shtetësisë së Kosovës. Ne, gjatë fushatës, në paraqitjet tona, nuk jemi marrë me politikë të lartë. Politika e lartë u është lënë që ta bëjnë qeveritë në Beograd dhe në Prishtinë dhe për gjithçka që arrihet marrëveshje në Bruksel, ne jemi këtu që ta zbatojmë në terren dhe në nivelin lokal.

Do të thotë, ne në zgjedhjet lokale jemi marrë me tema lokale dhe me problemet e njerëzve të thjeshtë. Në këtë mënyrë i kemi fituar 9 komuna. Iniciativa Qytetare Serbe ka treguar me këtë se është e mundur që të bëhet një konsensus i gjerë ndërmjet serbëve në bashkësinë serbe në Kosovë dhe ne tashmë të përgatitur mund t’i presim zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Se a do të dalim në formatin e Iniciativës qytetare apo do ta regjistrojmë partinë, për këtë do ta sjellim vendimin në periudhën e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti më i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, gjatë vitit 2013 në Kosovë, ka evidencuar ekstremistët serbë në veri si problem kryesor që kanë bllokuar normalizimin e gjendjes atje. Si e shihni ju këtë dhe a mendoni se këta ekstremistë do të jenë pengesë edhe për forcimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet reja në veri?

VLADETA KOSTIQ
Iniciativa Qytetare Serbe ka pasur kundërshtarë, pikërisht në ato partitë politike ultra të djathta, të cilat i tubojnë serbët. Por, dua t’ua rikujtoj se kundër Iniciativës Qytetare Serbe kanë qenë edhe forcat ultra të djathta brenda vetë Kosovës, gjegjësisht partitë politike ultra të djathta, të cilat i tubojnë shqiptarët në Kosovë.

Por, më duhet të them se në të njëjtin raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, gjithashtu qëndron edhe vërejtja lidhur me mosrespektimin e pakicave nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të vlefshme, sikurse edhe mosrespektimi i popullatës LGBT dhe grupeve tjera pakicë.

Gjithashtu, është shënuar vërejtja edhe për përhapjen e madhe të korrupsionit dhe vetë krimit të organizuar në Kosovë. Nuk është vendosur theksi vetëm në grupet ekstreme në veri, por në përgjithësi në gjendjen e përgjithshme, në të cilën gjendet shoqëria e Kosovës. E gjithë kjo, nuk është fare e mirë, jo vetëm për ne, serbët, që jetojmë në Kosovë, por edhe për vetë shqiptarët apo në fakt, për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga cila bashkësi etnike vijnë ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, a mendoni se ekstremistët mund të jenë pengesë për forcimin e institucioneve?

VLADETA KOSTIQ
Ekstremistët janë gjithmonë problem. Nga cilado anë që vijnë, ekstremistët nuk na sjellin asgjë të mirë, as serbëve, as shqiptarëve, as romëve, askujt, e as bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që ato forca të dobësohen dalëngadalë dhe përfundimisht të fillohet që të bisedohet me sinqeritet. Përderisa të mos ketë sinqeritet nga të dyja palët, ne nuk mund të llogarisim se mund ta zgjidhim cilindo problem tonin.

Ndërkaq, do t’ua përkujtoj që në Kosovë ka probleme, sikurse kudo në botë dhe në rajon, me këtë krizë dhe me këtë papunësi të madhe të të rinjve, të cilën në mënyrë shumë të shkathtë po e shfrytëzojnë ato grupe ekstremiste, që ta orientojnë atë pakënaqësi sociale. Ju mund të shihni një mori shembujsh në mjedisin e Ukrainës. Kështu që, mendoj se askush nga ne, që jeton në mënyrë të ndershme nga puna e vet, nuk do të donte që të ndodhte diçka e tillë, jo vetëm neve, por askujt.
XS
SM
MD
LG