Ndërlidhjet

Forca e Armatosur, ëndërr e të rinjve


FSK
FSK

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, kanë paralajmëruar që në 7-vjetorin e pavarësisë, në vitin 2015, Kosova do ta ketë Forcën e Armatosur me kapacitete mbrojtëse.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, deklaroi se forca e re e Kosovës, do t’i ketë kapacitetet e mbrojtjes dhe do të ketë një mandat të ri, madhësi dhe strukturë të re.

Këtë njoftim qytetarët e Kosovës e kanë mirëpritur dhe thonë se edhe Kosova, sikurse çdo shtet tjetër, duhet ta ketë ushtrinë e vet.

Kurse, të rinjtë në rubrikën e përjavshme "VOX", të Radios Evropa e Lirë shprehen optimistë se në të ardhmen, Kosova nuk do të ketë nevojë për forca të huaja, si KFOR-i, pasi shteti do ta ketë ushtrinë e vet.

Nazim Fazliu, një kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, mendon se deri te shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, do të ketë shumë sfida.

“FSK-ja tashmë pritet të jetë ushtri dhe t’i ketë kapacitetet e plota. Standardet për të qenë ushtar apo një gradë më e lartë, kanë për të qenë shumë më të lartë, sepse do të jenë standarde evropiane, të SHBA-së, ose ushtrive të tjera të NATO-s. Nuk mendoj se është e vështirë jeta ushtarake. Ky profesion ka disiplinë shumë të madhe dhe unë ua preferoj të gjithë të rinjve ta provojnë jetën ushtarake”, thotë Nazim Fazliu.

Edhe kadeti tjetër, Bardhyl Dugolli është optimist se Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet.

“Po presim tash, po dëgjojmë që do të kemi Forca të Armatosura të Kosovës. Jam optimist se do të bëhet më mirë. Po shpresojmë, të parët tanë dhe më vonë të tjerët që kanë derdhur gjak, e kanë bërë për këtë ushtri që shpresojmë se do të bëhet. Shpresojmë që gjeneratat tonë që po shkollohen do të thotë kadetët po shkollohen në mënyrë profesionale dhe ushtria do të jetë më perfeksionuar”, pohon Bardhyli.

Kurse, Ardit Zogaj, nxënës i shkollës së mesme, shpreh dëshirën që në të ardhmen të jetë pjesëtar i ushtrisë së Kosovës, në mënyrë që, siç shprehet ai, ta mbrojë atdheun.

“Më pëlqen jeta ushtarake dhe kam dëshirë që në të ardhmen të jem një ushtar profesionist i Kosovës”, shprehet Arditi.

Edhe studenti Granit Ademi, i cili studion në Fakultetin Ekonomik, mendon ngjashëm:

“Po, kjo është e rëndësishëm, pra që ushtria të formohet dhe ta mbrojë shtetin. Gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e ushtrisë së Kosovës, për ta mbrojtur vendin”.

Kurse, Egzon Berisha, po ashtu student, thotë se është krenari e madhe që në të ardhmen, të rinjtë të kenë mundësi të jenë ushtarë të Republikës së Kosovës.

“Formimi i ushtrisë është diçka shumë e mirë. Çdo shtet duhet ta ketë dhe e ka ushtrinë e vet. Gjithkush, ka dëshirë të jetë ushtar i shtetit dhe jeta ushtarake është e mirë dhe pak edhe e vështirë”, thekson Egzon Berisha.

Por, Fitim Gashi për dallim nga të rinjtë e tjerë shprehet krejt ndryshe lidhur me këtë:

“Nuk më pëlqen, as jeta në Kosovë, e as jeta ushtarake. Nuk ia vlen sepse ka pasur shumë persona që kanë qenë ushtarë të Kosovës, kanë humbur jetën dhe asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë. Kosova është e njëjtë, për atë nuk më pëlqen”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përbën rrumbullakimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ndërsa, ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, parashohin se Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen gradualisht brenda një periudhe prej 5 deri në 10 vjetët e ardhshëm.

Me rritjen e tyre graduale, këto forca do ta zëvendësojnë KFOR-in në momentin kur NATO të vendosë për largimin e trupave paqeruajtëse nga Kosova.
XS
SM
MD
LG