Ndërlidhjet

Radikalët e ultra-nacionalistët, fushatë në veri


Veri, foto nga arkivi
Veri, foto nga arkivi
Me këngë të ashtuquajtura “çetnike” ku bëhej thirrje për “përgatitje për beteja”, në mesditën e ditës së mërkurë, në Mitrovicën e veriut, ka nisur tubimi i të ashtuquajturit “blloku nacionalist” i përbërë nga Partia Radikale Serbe, si dhe lëvizjet “Obraz” (Fytyra) dhe “Nashi” (Tanët), të cilat lëvizje njihen si ekstremiste dhe ultra-nacionaliste në Serbi.

Me porosinë për disa qindra qytetarë të tubuar, se Partia radikale Serbe asnjëherë nuk do t’i tradhtojë, ata kanë nisur në Kosovë fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe kanë theksuar se kjo parti është e vetmja e cila së bashku me lëvizjet “Obraz” dhe “Nashi” kanë vendosur ta nisin fushatën parazgjedhore nga Kosova, për shkak se, sipas tyre, duan të tregojnë se asgjë nuk ka më të rëndësishme për ta se sa Kosova dhe se pa të, Serbia nuk mund të ekzistojë.

Dobrosav Dobriq, përfaqësues i partisë Radikale Serbe në Zveçan, u ka thënë qytetarëve të tubuar në Mitrovicën e veriut se Kosova do të mbetet gjithmonë në kuadër të Serbisë edhe pse qeveria aktuale e Serbisë po punon për të kundërtën përmes marrëveshjes së Brukselit.

“Këtu para jush janë njerëzit që e kanë fytyrën e pastër si loti dhe që guxojnë ta shikojnë secilin në sy. Ata i takojnë partive dhe opsioneve politike të cilat kanë mbetur në rrugën e drejtë, në rrugën e mbrojtjes së atdheut të quajtur Serbi, kushtetutës dhe integritetit territorial të saj”, ka thënë Dobriq.

Të tubuarve u është drejtuar edhe kryetari i Lëvizjes “Nashi”, Ivan Ivanoviq, duke kërkuar nga ta votat për Partinë Radikale dhe duke e quajtur tradhtar zëvendëskryeministrin e parë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Të gjithë ju jeni të vetëdijshëm se është nënshkruar marrëveshja e Brukselit dhe se të gjithë jemi të tradhtuar. Tradhtia nuk falet dhe ne nuk do ta falim. Për këtë arsye na nevojitet ndihma e secilit individ. Secili qytetar i Mitrovicës vendos për veten e tij. Askënd nuk mund ta fajësojmë më pas, nëse në këtë qytet ose në ndonjë qytet tjetër, qytetarët do të votojnë për tradhtarin Vuçiq”, ka theksuar Ivanoviq.

Kryetari i Lëvizjes “Obraz” Mladen Obradoviq, ka deklaruar se vetëm serbët e bashkuar në një numër të madh rreth, siç e ka quajtur ai, frontit nacionalist, mund ta ruajnë Kosovën në kuadër të Serbisë, si dhe serbët në territorin e Kosovës.

“Për herë të parë, pas kaq vitesh, ne e kemi krijuar frontin nacional dhe patriotik. Mos bini në mashtrime dhe në gënjeshtrat e atyre të cilët thonë se kinse radikalët serbë dhe Vojisllav Sheshelj nuk e kanë dashur bashkimin e forcave nacionale. Derisa shumë njerëz kanë folur për frontin patriotik, ne e kemi krijuar atë. Radikalët, ‘Obraz’ dhe ‘Nashi’ janë shpirt, një familje... në të është esenca e nacionalistëve ortodoks dhe serb dhe gjithë asaj që vlen dhe qëndron në atdheun tonë”, ka thënë Obradoviq.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës më herët kanë theksuar se lidhur me zgjedhjet parlamentare në Serbi, për qytetarët e Kosovës që kanë si shtetësi të dyfishtë edhe atë të Serbisë, nuk do të ketë qendra të votimit në Kosovë, por vetëm pika të grumbullimit.

Megjithatë, ata nuk janë deklaruar nëse do të lejohen tubimet zgjedhore për zgjedhjet parlamentare serbe në Kosovë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës konfirmojnë se leja për tubimin e së mërkurës në Mitrovicën e veriut nga i ashtuquajturi “bllok nacionalist” është kërkuar nga Dega lokale e Partisë Radikale Serbe.

Zheljko Bojiq, shef i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia e ka dhënë lejen për tubim dhe ai është mbajtur në sheshin “Shumadija” dhe se ka kaluar pa incidente.

“Tubimi është mbajtur në orën 12 në sheshin ‘Shumadija’. Ai ka qenë i lajmëruar si një tubim parazgjedhor i Partisë Radikale Serbe. Tubimi ka kaluar i qetë, pa incidente dhe pa probleme”, ka theksuar Bojiq.

Ndryshe, tubimi i së mërkurës në Mitrovicën e veriut është mbajtur me sloganin “Edhe Kosova edhe Rusia”.

Fushata e sotme ndërkaq është mbajtur vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të Kosovës, për kryetar komune në veri të Mitrovicës, të parapara për të dielën, 23 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG