Ndërlidhjet

Ku janë shpenzuar mjetet e Konferencës së donatorëve?


Ilustrim
Ilustrim
Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në Bruksel është mbajtur Konferenca e donatorëve, që vlerësohej si shpresa kryesore për rritjen ekonomike.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në Konferencë, ishte 1.2 miliard euro. Komisioni Evropian kishte dhënë 500 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës - 400 milionë dollarë, kurse Gjermania 100 milionë euro.

Ndërkaq, Norvegjia dhe Britania e Madhe kishin premtuar nga 30 milionë euro dhe Luksemburgu 15 milionë.

Por, sa janë absorbuar këto mjete dhe në cilat projekte janë shpenzuar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të komisioneve në Kuvendin e Kosovës, thonë se nuk kanë informacione për shpenzimin e këtyre mjeteve.

Teuta Sahatçiu, zëvendëskryetare e parë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, nga Lidhja Demokratike në Kuvendin e Kosovës, thotë se ekzekutivi asnjëherë nuk ka ofruar ndonjë informatë në legjislativ.

“Ne e dimë që projektet madhore, siç është autostrada dhe projekte tjera, në fakt, janë projekte të cilat janë bërë nga buxheti i Kosovës, dhe në projektet tjera ku potencialisht janë shfrytëzuar këto mjete, Qeveria deri më tani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. Mendoj se qeveria duhet t’i tregojë Kuvendit, se ku kanë shkuar ato mjete, si janë shpenzuar, me çfarë dinamike janë shpenzuar dhe kush ka përfituar nga ato mjete”, konsideron Sahatçiu.

Në vitin 2008, Instituti për Studime të Avancuara, GAP, kanë qenë pjesë e ekipit përgatitor për projekt – propozimet që janë përgatitur në Konferencën e donatorëve nga institucionet vendore.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv në këtë Institut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se efektet e shpenzimeve të këtyre mjeteve, vërehen shumë pak. Ai thekson se këto mjete, në fillim, ishte paraparë që të shpenzohen brenda tre vjetëve. Por, ende nuk ka një dokument zyrtar, i cili shpjegon saktë se sa kanë qenë ndihmat konkret e secilit vend.

“Për shkak se as Qeveria e Kosovës, as Ministria e Integrimeve Evropiane, platforma për informim për donatorë, nuk i ka këto shifra për Konferencën e donatorëve. Është shumë vështirë të matësh sa prej këtyre investimeve kanë ardhur në Kosovë, sepse nga 1.2 miliard vetëm 208 milionë euro kanë ardhur direkt në buxhetin e vitit 2009, 2010 dhe 2011. Kurse, pjesa tjetër çka ka të bëjë me asistencën teknike, është vështirë e matshme, për shkak se pjesa e asistencës teknike është realizuar nëpërmjet organizatave ndërkombëtare të qeverive të ndryshme”, thekson Demi.

Në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian, ministri kjo që është përgjegjëse për koordinimin e asistencës së jashtme, duke përfshirë edhe koordinimin e mjeteve të donatorëve, thonë se në disa raste shpenzimi i këtyre mjeteve ka vazhduar edhe pas periudhës trevjeçare.

Në përgjigje identifikohen disa nga projektet që kalojnë shumën prej 10 milionë eurosh.

“Bashkimit Evropian, për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, ka shpenzuar 15.2 milionë euro. 16. 6 milionë euro i ka shpenzuar Banka Botërore në fushën e gjenerimit dhe furnizimit me energji elektrike. Projektet e USAID-it në fushën e decentralizimit të qeverisjes nëpër komuna, janë shpenzuar 14. 8 milionë euro, në fushën e të bërit biznes 12 milionë euro, përkrahje në modernizimin e KEK-ut - 20.8 milionë euro dhe në fushën e sundimit të ligjit 14.9 milionë euro”, thuhet në përgjigjen elektronike.

Ndërkaq, projektet e Gjermanisë në përkrahjen e sektorit të energjisë dhe minierave kanë kushtuar 32.2 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG