Ndërlidhjet

Qeveria "humb" 70 milionë euro donacione


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) thonë se kanë siguruar një letër të Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, letër kjo dërguar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se konferenca e paraparë e donatorëve për energji të ripërtritshme është anuluar.

Nezir Sinani nga KOSID bën të ditur se anulimi i kësaj konference është bërë për shkak të moszbatimit të masave që çojnë në mbylljen e termocentralit “Kosova A”.

Ne kemi siguria një letër që është dërguara nga drejtorati për zgjerim i Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore të cilët ju kanë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kanë qenë shumë direkt duke shpjeguar se cilat janë arsyet e anulimit të konferencës së donatorëve për energji të ripërtritshme. Në këtë letër thuhet se arsyet e vetme janë për zhvillimet e fundit që ka ndërmarrë Kut për punën e termocentralit Kosova A”, thotë Sinani.

Si pjesëmarrëse e Traktatit për Komunitetin e Energjisë së Evropës Juglindore, Kosova e kishte pranuar obligimin juridik për zbatimin e standardeve të BE-së në emetimin e gazrave brenda afatit të përcaktuar, që do të thotë mbylljen e termocentralit Kosova A, deri në vitin 2017.

Këtë përkushtim të qeverisë për të zbatuar standardet e BE-së, në atë kohë e kishte përshëndetur zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ata patën thënë se BE-ja, do të jetë aleat dhe e gatshme që financiarisht ta mbështesë mbylljen e Kosovës A.

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik konsiderojnë se mbyllja e termocentralit “Kosova A” është një proces mjaft kompleks.

Leonita Shabani, zëdhënëse në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë marrë të gjitha masat me qëllim të realizmit synimit që konsiston me arritjen e obligime që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Të tri grupet punuese të cilat janë të angazhuara për kryerjen e të gjitha procedurave që kanë të bëjnë më mbylljen termocentralit ‘Kosova A’ janë funksionale. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka përsëritur disa herë që ky është përkushtim i qeverisë dhe të gjitha hapat e nevojshëm që do të ndërmerren nga këto tri grupe punuese do të realizohen në vazhdimësi. Takimi i fundit është mbajtur para një muaji dhe ne shpresojmë se do kemi rezultate konkrete nga ky proces”, thotë Shabani.

Ai bën të ditur se licencat për operim për termocentralin “Kosova A” nuk janë duke u lëshuar më gjatë se sa është e përcaktuar.

Përkushtim i Qeverisë së Kosovës mbetet mbylla e termocentralit ‘Kosova A’ deri në vitin 2017 dhe të gjitha licencat do të vlejnë deri në këtë periudhë kohore dhe në këtë nuk ka asnjë dyshim”, thekson Shabani.

Termocentrali “Kosova A” ka kapacitet prodhues rreth 400 megavat orë energji, ndërkaq në fillim të këtij viti, KEK-u ka filluar revitalizimin e njësisë A-2 të këtij termocentrali.

Sidoqoftë, konferenca e anuluar për energji të ripërtritshme sipas shoqërisë civile parashihej të mblidhet të paktën 70 milion euro e të cilat do të investoheshin në projekte të efiçencës së energjisë dhe në fushën e zhvillimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë në Kosovë.

Nezir Sinani nga KOSID thekson se shoqëria civile është e zhgënjyer rreth dështimit të kësaj konference. Sipas tij, një sjellje e tillë e qeverisë paraqet shantazh karshi zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend si dhe rrezikon furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Kosovës.

Një ngecje e tillë në sektorin energjetik e vjeljes së donacioneve që vinë nga institucionet e rëndësishme financiare dhe shtetet mike të Kosovës është e paarsyeshme të bëhet nga Qeveria e Kosovës sidomos e paarsyeshme kur dihet se qëllimi i anulimit të kësaj konference është mbyllja e termocentralit ‘Kosova A’ e cila shkakton dëme të mëdha dhe nuk ofron asnjë të mirë”, thotë Sinani.

Termocentrali ‘Kosova A’ konsiderohet njëri nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në vend. Njohës të fushës së energjetikës kishte thënë se mbyllja e tij do të ketë ndikim të madh në ambientin përreth termocentraleve me thëngjill dhe shëndetin e njerëzve që jetojnë në këto hapësira.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG