Ndërlidhjet

Dëshmitë e para kundër grupit të dyshuar për terrorizëm


Gjashtë të arrestuarit nga grupi prej shtatë personave të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë, kanë dalë të martën vonë para Gjykatës në Prishtinë, ku përmes një video lidhje janë dëgjuar dëshmitë e dy shtetaseve amerikane.

Ato pretendojnë se ishin rrahur në mënyrë brutale nga të arrestuarit. Dy shtetaset amerikane shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjtë të Ditës së Fundit dhe ishin pjesë e një misioni me seli në Tiranë në kuadër të Misionit të Adriatikut Jugor, i cili përfshin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Prokurori i EULEX-it, Robert Kucharski është në krye të këtij hetimi.

Të dyshuarit, sipas hetimeve të para dyshohet se ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar.

Avokati Bajram Tmava, i cili mbron në këtë rast të dyshuarin, Nuredin Sylejmani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij, mes tjerash, po ngarkohet edhe për përgatitje për terrorizëm.

“Klienti im ngarkohet për përgatitje për terrorizëm, ngarkohet për sulm fizik dhe për përçarje, nacionale, fetare e tjera...janë gjetur disa armë, një sasi e armëve te klienti im, mirëpo ne e kemi tezën e mbrojtjes se për çka ato armë janë gjetur dhe për çka kanë qenë të dedikuara”, ka thënë Tmava.

Gjatë arrestimit dhe bastisjeve te këta persona, të cilët dyshohet si i takojnë një grupi të organizuar janë gjetur armë, municione e mjete tjera që janë klasifikuar si dyshime për terrorizëm.

Provat që janë siguruar, sipas pretendimeve të Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit ishin duke u përgatitur për të kryer vepra të ndryshme penale me motiv doktrinën radikale fetare, tipike me xhihadin.

Avokati, Nikë Shala i cili mbron klientin e tij, Valon Shala ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai dyshohet për përgatitjen e akteve terroriste kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket kësaj veprës penale për të cilën dyshohet ai e ka mohuar në mënyrë kategorike se nuk ka të bëj fare me të. E vërteta është që në shtëpinë e tij me rastin e bastisjes është gjetur një armë ajrore dhe sasi municioni. Për këtë vepër penale, armëmbajtje pa leje, do të thotë klienti im e ka pranuar, por sa i përket veprës tjetër që dyshohet për përgatitje të veprës terroriste ai e mohon në mënyrë kategorike”, ka thënë avokati Shala.

Të arrestuarit nën dyshime për terrorizëm janë; Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Bekim Mulolli dhe Fidan Demolli. Ky i fundit është ende në arrati.

Ata janë arrestuar më datën 5 nëntor 2013. Këta 6 persona janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë.

Ky grup në mesin e të cilëve njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani.

Deri më tani, ndaj tyre ende nuk është ngritur aktakuzë dhe se ata janë nën veprime hetimore.

Një zëdhënës i EULEX-it në Prishtinë, Blerim Krasniqi ka prezantuar një pasqyrë të rasteve të dyshuara dhe hetuara për terrorizëm në Kosovë.

“Prokurorët e EULEX-it momentalisht janë duke u marrë me tetë raste të terrorizmit prej të cilave tri janë në fazën preliminare, ndërkaq deri më tash prokurorët e EULEX-it kanë ngritur dy aktakuza për rastet e terrorizmit”, ka thënë Krasniqi.

Krahas formave tjera të terrorizmit, në Kosovë po bëhen përpjekje të parandalohen dhe luftohen aktet që kanë të bëjnë me formën e karakterit fetar.

Një nga indikatorët që autoritetet kanë vlerësuar se mund të ndikoj tani në shtimin e akteve dhe veprimeve terroriste është fenomeni i pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftën e Sirisë.

Së fundit, qeveria e Kosovës ka proceduar për miratim në Kuvend edhe
Projektligjin me të cilin u ndalohet qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në konfliktet e armatosura jashtë territorit të shtetit.

Projektligji e përcakton si veprën të dënueshme penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG