Ndërlidhjet

Përplasje për organet komunale në Mitrovicën e veriut


Veri...
Veri...
Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë zgjedhur kryetarët e kuvendeve komunale, pak para përfundimit të afatit ligjor për zgjedhjen e këtyre kryetarëve.

Në komunën e Mitrovicën e veriut, për kryetare të Kuvendit komunal është zgjedhur Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanoviqit.

Për kryetar të kuvendit komunal të Zubin Potokut është zgjedhur Nemanja Jakshiq nga Iniciativa qytetare Serbe. Nga kjo iniciativë është zgjedhur edhe Zoran Todiq në Leposaviq.

Ndërkaq, Darko Radovanoviq nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia drejtësia” është zgjedhur në Zveçan.

Megjithatë, debati më i zëshëm është zhvilluar në Kuvendin komunal të Mitrovicës së veriut.

Pas një debati disaorësh, në mbrëmjet e ditës së hënë, me 10 shkurt, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut ka zgjedhur kryetaren Ksenija Bozhoviq, e cila menjëherë pas zgjedhjes tha se edhe më tutje subjekti prej nga vjen ajo do të angazhohet për lirimin e liderit të saj Oliver Ivanoviq.

“Pas 4 orësh debat, më në fund e kemi kryetarin e kuvendit komunal nga Iniciativa qytetare ‘Serbia, demokracia, drejtësia’ e Oliver Ivanoviqit. Me këtë rast, dëshiroj të them se iniciativa jonë qytetare do të angazhohet dhe qëllimet themelore do të jenë që të argumentojmë dhe kërkojmë, madje edhe nga pozita e kryetares së kuvendit komunal, që lideri ynë është i pafajshëm dhe se duhet të lirohet”, ka thënë Bozhoviq.

Zgjedhja e Bozhoviqit për kryetare të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, ka pasuar si rezultat i koalicionit ndërmjet Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” dhe Iniciativës qytetare Serbe.

Përfaqësuesi i kësaj të fundit, Aleksandar Shpiriq ka theksuar se këto dy subjekte kanë marrëveshjet e përbashkëta.

“Marrëveshja për koalicion nënkupton që pas mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarë të komunës, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i komunës nuk mund të jenë nga radhët e partisë së njëjtë politike”, ka thënë Shpiriq.

Por, Emir Azemi këshilltar komunal në Mitrovicën e veriut, i cili nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës përfaqëson komunitetin shqiptar në këtë komunë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryetarja e kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut nuk është zgjedhur me konsensusin e siç i quan ai, partia shqiptare dhe partia boshnjake, të cilët sipas tij, nuk votuan fare.

Megjithatë, siç thotë ai, debati ishte nxehur lidhur me çështjen e zgjedhjes së zëvendës kryesuesit të Kuvendit komunal.

“Në bazë të ligjeve në fuqi, pozita e zëvendës kryesuesit i takon ose është e rezervuar në mënyrë decidive dhe të qartë për komunitetet jo shumicë aty. Ne kërkuam dhe insistuam fuqimisht që kjo të futet në rend të ditës, por ata dolën prej atij lloj ‘konstruktiviteti’ që e proklamuan fillimisht".

"Nuk pranuan që ta zgjedhim zëvendësin, me arsyetimin që kjo të shtyhet për një seancë tjetër. Ata këtë e hodhën në votim dhe me shumicë votash ata na mbivotuan, sepse serbët ishin shumicë, ndërkaq, ne ishim gjatë. Në këtë rast, ata e pamundësuan lëvizjen e procesit përpara”, shprehet Azemi.

Se ka pasur mosmarrëveshje dhe debat lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit komunal të Mitrovicës, e konfirmon edhe Nexhat Ugljanin, këshilltari komunal nga radhët e komunitetit boshnjak në Mitrovicën e veriut.

Ka pasur mosmarrëveshje edhe më pas, sidomos për bazën ligjore. Aty kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Ministrisë për vetëqeverisjet lokale, sepse nuk u votua nënkryetari i Kuvendit”, thekson Ugljanin.

Por, Azemi ka shtuar se këshilltarët serb të iniciativave që janë në koalicion, kanë pasur edhe kërkesa tjera, siç i quan ai absurde, që komitetet obliguese, siç janë: komiteti për politik dhe financa, si dhe komiteti për komunitete, të përbëheshin vetëm nga serbët.

“Atëherë, ne morëm vendim që ta lëshojmë kuvendin, të dalim nga seanca. Në momentin që ata e panë vendosmërinë tonë politike – ishin aty përfaqësuesit e Ministrisë (pushtetit lokal), të bashkimit Evropian, të UNMIK-ut – na lutën që të qëndrojmë brenda. Në njëfarë forme, pas një tollovie prej 30 apo 40 minutash, arritëm një lloj marrëveshje ose konsensusi që komiteti në fjalë, ti ketë 5 serbë, 3 shqiptarë dhe 1 boshnjak”, bën të ditur Azemi.

Ndryshe, autoritetet e Beogradit, me herët patën paralajmëruar se pas zgjedhjes së organeve udhëheqëse të komunave në veri të Kosovës, do të formohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, me 23 shkurt, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, pas refuzimit të këtij mandati nga kryetari i zgjedhur me balotazh, me 3 nëntor, Kërstimir Pantiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG