Ndërlidhjet

Shteti si pronar i kombinatit "Trepça"


Ilustrim
Ilustrim
Ndërrimi i pronësisë se kompleksit “Trepça” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tek ekzekutivi, hap një epokë të re për këtë kompleks, faktikisht përmirësohen gabimet e bëra para 14 vjetësh, kur padrejtësisht Trepça është futur nën menaxhimin e AKP-së.

Kështu vlerëson Halil Qela, ushtrues detyre i drejtorit gjeneral të kompleksit “Trepça”, pas inicimit të qeverisë që kompleksi "Trepça" të kalojë në ndërmarrje publike.

Ndërmarrjet publike janë në pronësi të shtetit dhe qeveria është kompetente për caktimin e bordit që do të udhëheqë këtë ndërmarrje.

“Prej këtu përfundon status-quo e shumë viteve të kaluara dhe një humbje shumë e madhe edhe e tregut edhe në aspektin teknologjik edhe në aspektin e konkurrencës. Tash hapen perspektivat qoftë për financim nga Qeveria e Kosovës, qoftë për bashkëpunim publiko-privat më kompanitë e interesuara, qoftë marrje kredish”, thotë Qela për Radion Evropa e Lirë.

Në qeveri tashmë ka kaluar koncept – dokumenti mbi amendamentin e Ligjit të ndërmarrjeve publike në të cilën do të trajtohet edhe “Trepça”.

Zyrtarë të qeverisë besojnë se në muajin shkurt ligji më amendamente për ndërmarrjet publike do të kalojë në Kuvend, ku Trepça do të hyjë në listën e ndërmarrjeve publike.

Sidoqoftë, edhe në një plan të vitit 2002 të përgatitur nga menaxhmenti i atëhershëm i Trepçës, është konstatuar se zgjidhja më e mirë për kombinatin është që të shndërrohet në ndërmarrje publike, thotë ish-drejtori i "Trepçës", Nazmi Mikullovci.

Shteti si pronar, thotë ai, me politika të caktuara, "Trepçën" mund të shndërrojë në shtyllë të madhe të zhvillimit ekonomik më investime private.

“Sa i përket për një zhvillim të mëtutjeshëm, nëse dëshirojmë të kemi një industri përpunuese, ku do të bien teknologji të reja bashkëkohore, të bëhet punësim dhe kapital i huaj do të vjen, aty dikush duhet të ofrojë një garanci dhe siguri për furnizim me metal”.

“Në qoftë se bëhet privatizimi i minierave, minierat privatizohen jo për profit, por për shkak të koncentratit. Metalurgjia që ndërtohen, ndërtohen për shkak të metalit. E ne duhet t’i shfrytëzojmë metalet për finalizim, aty ku është edhe profiti edhe mundësia e zhvillimit teknik- teknologjik”, shprehet Mikullovci.

Ndryshe, për aktivizimin e "Trepçës", Halil Qela, thotë se nevojiten deri në 350 milionë euro investime, duke përfshirë këtu edhe rregullimin e çështjes sociale të punëtorëve.

Do të thotë ish punëtorët tonë të cilët nuk kanë pasur mundësi që të përfshihen në punë, të mbulohen më pensione të merituara. Po ashtu edhe në miniera të bëhet modernizimi, modernizmi i flotacioneve, metalurgjisë dhe industrisë kimike”.

“Do të thotë, e tërë kjo shifër do të mbulonte të gjitha këto, më çmime aktuale. Kjo shifër ka ndryshuar vit pas viti. Në llogaritjen e parë që është bërë, janë nevojitur 170 milionë euro, kurse tashmë ka kaluar në 350 milionë euro në mungesë të investimeve dhe pritjes kaq të gjatë”, thotë Qela.

Aktualisht gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, është nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG