Ndërlidhjet

Ndasi të vazhdueshme etnike në Maqedoni


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, gjatë një dëgjimi para Komisionit të Posaçëm në Senatin e Shteteve të Bashkuara për kërcënimet mbi sigurinë në botë në vitin 2014, ka përmendur edhe Ballkanin Perëndimor.

Duke radhitur ndasitë e vazhdueshme etnike në Ballkan në kuadrin e sfidave me të cilat do të përballet siguria globale këtë vit, zoti Clapper ka veçuar Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë.

Partitë politike në pushtet në Maqedoni, VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk kanë dashur të komentojnë dokumentin e drejtorit të Zbulimit Kombëtar të SHBA-së, James Clapper, ku theksohet se, "Sa më gjatë që rruga e Maqedonisë për anëtarësimin në BE dhe NATO, të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, si dhe të marrëdhënieve të dobëta dypalëshe me Bullgarinë, aq më i madh është rreziku që tensionet etnike të rriten".

Ndërsa, për partinë maqedonase në opozitë, Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, ky qëndrim paraqet konfirmim të shqetësimeve të ngritura nga kjo parti se qeveria aktuale nuk është e angazhuar në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, por është e përkushtuar të vërë në pah pjesë të së kaluarës së lavdishme të Maqedonisë.

Me Qeverinë e VMRO DPMNE-së, ne përjetojmë dy lloje të rrezikut. E para ka të bëjë me varfërinë e thellë, e cila është evidente dhe njëherësh mund të shpërthejë në revoltë sociale. Më duhet të theksoj se kur të shpërthejnë pakënaqësitë sociale, është çështje kohe se kur ata do të reflektohen në përkeqësimin e raporteve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Petre Shilegov.

Ndërkohë, për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, shqetësues është pjesa, në të cilën zoti Clapper thekson se "Qeveria e Maqedonisë vazhdon të nxisë programe që synojnë të inkurajojnë nacionalizmin e maqedonasve etnik, në kurriz të integrimit euro-atlantik të vendit".

“Ky sinjal duhet të merret shumë seriozisht nga ana e elitës politike, e cila është në pushtet dhe të njëjtin element është e obliguar ta ndajë me opozitën. Në të kundërtën, Maqedonia do të reflektojë si hapësirë destabilizuese në rajon”, ka vlerësuar Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO.

Sipas tij, bllokimi i procesit integrues ka ngritur aq shqetësime para faktorit ndërkombëtar saqë ata tani shmangin dhe fjalorin diplomatik kur shprehin vërejtjet e tyre.

Bekim Kadriu, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, ka thënë se inicimi i projekteve mono-etnike që theksohet nga ana e zotit Clapper, nuk ka të bëjë vetëm me realizimin e projektit “Shkupi 2014”, por kjo gjë tashmë është evidente në çdo pore të shoqërisë.

“’Shkupi 2014’ është vetëm një nga projektet me karakter mono-etnik. Kur flas për karakterin mono-etnik, kam parasysh dhe format e obstruksionit, si për shembull, të punësimit të shqiptarëve në kuadër të administratës shtetërore”.

“Përderisa Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit bën 200, 300 e deri në 400 punësime të administratorëve shqiptarë, në anën tjetër Qeveria e Maqedonisë dhe dikasteret ministrore bëjnë 2 mijë apo 3 mijë punësime”.

“Kuptohet se ky paraqet projekt mono-etnik, me ç’rast krijohen prioritete për bashkësinë etnike, e cila është këtu shumicë, pra maqedonasit, duke i bërë obstruksion dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”
, ka theksuar Kadriu, ligjërues në Fakultetin Shtetëror të Tetovës.

Sipas tij, si projekte mono-etnike duhet shikuar dhe të gjithë mekanizmat që përdor partia maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, për të mos implementuar të drejtat e shqiptarëve, të cilat janë të garantuara me dokumentin kornizë të Ohrit.

“Këtu duhet theksuar mospërdorimin e gjuhës shqipe. Merreni si shembull incidentin e djeshëm, kur një deputet shqiptar ka refuzuar të prononcohet për mediat, sepse pankarta para së cilës ai duhet të japë deklaratë në Parlament, është e shkruar vetëm në gjuhën maqedonase”.

“Ose, kemi këtu dhe rastin kur nënkryetares së Kuvendit i krijohen barriera të shumta që të mos udhëheqë asnjë seancë në gjuhën shqipe. Të gjitha këto obstruksione, për mua, normalisht nuk shkojnë në funksion të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike, përkundrazi kanë efekt të kundërt”,
ka shtuar Kadriu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG