Ndërlidhjet

Maqedoni: Dygjuhësia forcon karakterin e shtetit multietnik


Ilustrim
Ilustrim
Një propozim/rezolutë, iniciuar nga raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, ka aktualizuar sërish çështjen e dygjuhësisë në vend.

Rezoluta, e cila ishte diskutuar në Komitetin e politikës së jashtme, parashihte zbatimin e gjuhës maqedonase dhe shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë, por pas reagimeve të shumta, ajo pësoi ndryshime me rekomandimin për përdorimin e shqipes si gjuhë jo të detyrueshme edhe atë vetëm në sistemin arsimor.

Propozimi i raportuesit Howit, vjen në kohën kur në Maqedoni tash një kohë të gjatë zhvillohen debate për statusin e gjuhës shqipe, nëse ajo është zyrtare dhe në cilat rajone dhe nivele të institucioneve duhet përdorur.

Pos kësaj, debatet kanë të bëjnë edhe me arsimin integruar apo mësimin nga nxënësit nëpër shkolla të gjuhës së bashkësive të ndryshme etnike.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike dhe mësues në një shkollë me përbërje të përzier etnike në periferi të Shkupit, nuk dëshiron të komentojë propozim-rezolutën e raportuesit Hoëit, apo debatet tjera mbi statusin e gjuhëve, por ai thotë se njohja e gjuhës së tjetrit, është pasuri që duhet ta synojnë të gjithë.

“Njohja e çdo gjuhe, përveç asaj amtare, është pasuri jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë, por edhe më gjerë. Nuk duhet të paraqesë ndonjë pengesë njohja e gjuhës së tjetrit, përkundrazi konsideroj se është pasuri e madhe të njohës gjuhën e fqinjit apo të një komuniteti tjetër me pjesëtarët e të cilit jetojnë e punojnë së bashku”, thotë Dimoski.

Edhe Ibrahim Mehmeti, njohës i çështjeve të ndëretnicitetit, konsideron se çështja e gjuhës duhet të hiqet nga agjenda e partive politike dhe të gjithë të pranojnë se njohja dhe përdorimi i saj sjell vetëm përfitime për shtetin dhe shoqërinë, në përgjithësi.

“Kjo nuk duhet të jetë aspak pengesë për qeverinë që gjuha që bëhet një instrument i ndërtimit të një shteti, ashtu siç deklaron qeveria, domethënë shtet multi-etnik me frymë të re bashkëpunimi, apo që së paku të kuptohet se gjuha është një parakusht pa të cilin nuk mund të flasim për ndërtimin e një ambienti apo mirëkuptimi mes qytetarëve”, konsideron Mehmeti.

Dallimet gjuhësore dhe mosnjohja e kulturave dhe traditave të njëri-tjetrit nuk ndihmojnë në afrimin e komuniteteve, thonë njohësit e kësaj sfere, duke shtuar se shqiptarët, e në veçanti maqedonasit, duhet të lënë paragjykimet dhe t’i qasen mësimit të gjuhës shqipe.

Për momentin debatet po zhvillohen që, të paktën, gjuha shqipe të jetë fakultative për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase

“Kudo ku ka mirëkuptim mes njerëzve, kur njohin gjuhën e traditat e njëri – tjetrit, konflikte nuk ka. Unë gjuhën shqipe e flas tash e 12-13 vjet. Askush nuk më ka detyruar që ta mësoj atë, por kam ndjerë nevojë se duhet ta mësoj këtë gjuhë. Veç kësaj, vlerësoj se gjuha mund edhe të mos ndikojë në paraqitjen e konflikteve, pasi ajo më tepër iniciohet nga politikanët për interesat e tyre partiake, por gjuhën e njërit-tjetrit konsideroj se është mirë ta mësojmë”, shton Dimovski.

Në këtë kuadër, Ibrahim Mehmeti, analist dhe njohës i çështjeve të ndëretnicitetit, thekson:

“Të gjithë duhet të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit dhe jo të ndodhë e kundërta, sepse kjo nuk është në frymën e Evropës që synon bashkimin. Ne kemi shtete, jo vetëm në BE, por edhe në rajon, ku respektohet kultura e njëri-tjetrit, njohja e gjuhës së njëri-tjetrit, tradita dhe gjithë ajo që e bën një popull të ndryshëm, e që është parakusht për bashkëpunim dhe mirëkuptim”.

Sipas Kushtetutës aktuale, në Maqedoni, zyrtare është gjuha maqedonase si dhe gjuha e bashkësisë etnike që përbën mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës, që nënkupton gjuhën shqipe, por përdorimi i saj rregullohet me ligj.

Në bazë të zgjidhjes së fundit ligjore, ajo përdoret vetëm në ato komuna ku numri i popullatës është mbi 20 për qind, ndërsa dokumentet personale dhe të tjerat jepen në dy gjuhë, por në bazë vullnetare dhe jo si obligim i detyrueshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG