Ndërlidhjet

Më shumë se 5 milionë euro në vit për citostatikë


Ilustrim
Ilustrim
Në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë ditës ndihmë mjekësore kërkojnë deri në 180 pacientë. Gjatë vitit 2013 kanë qenë rreth 750 raste të reja me sëmundjen e kancerit.

Edhe përkundër asaj se një shumë prej më tepër se 5 milionë eurosh ndahen nga Ministria e Shëndetësisë për citostatikë, barna këto që shërbejnë për trajtimi ne të prekurve me kancer, shpeshherë në QKUK ka mungesë të tyre.

Por zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për personat që janë pjesë e kategorive sociale janë bërë disa ndryshime për trajtimin e tyre nga kjo sëmundje, e që do ta aplikohet gjatë vitit 2014.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, jep hollësi të tjera.

"Gjatë vitit 2014 rastet që janë pjesë e kategorive sociale do ta kenë të drejtën që të aplikojnë përmes programit për trajtim jashtë institucioneve publike që të sigurohen barnat të cilat nuk kanë mundësi t'i marrin në onkologji".

"Ndërsa rastet e tjera që nuk janë pjesë e skemës sociale do të mund të aplikojnë për sigurimin e kësaj terapie me një bashkëpagesë me ministrinë brenda së cilës ministria do të participojë me 50 deri 70 për qind të vlerës së ilaçit, ndërsa pjesën tjetër do ta bashkëfinancojnë familjarët", shprehet Hoti.

Behxhet Osmani, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Onkologjisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tash e pesë muaj po punohet me 2 ndërrime në radioterapi dhe kimioterapi.

Ai shton se instituti onkologjik gjatë tërë vitit ka punuar me kapacitete të plota.

"Në institut, në vitin 2013 janë bërë 24 mijë vizita specialistike, 12 mijë aplikime të kimioterapisë intravenoze, 4 mijë terapi tabletare. Kemi pasur rreth 4 mijë rrezatime për të sëmurët që vijnë të marrin këtë terapi ditore".

"Sa i përket furnizimit me barna ka pasur periudha kur kemi qenë mirë të furnizuar , por ka pasur periudha kur familjarët vetë është dashur ti blejnë për shkak të furnizimit të mangët", bën të ditur Osmani.

Zoti Osmani shton se tashmë ky institut është kompletuar edhe sa i përket stafit, e që prej kohësh ka pasur mungesë. Si rezultat i kësaj, asnjë pacient nuk është kthyer pa marrë shërbime mjekësore në këtë institut.

"Kemi gjithsej 17 onkologë, kemi fizikantë, teknikë, dhe infermierë të mjaftueshëm. Kemi filluar tash edhe të punojmë me dy ndërrime, prej orës 7 në mëngjes deri në orën 19. Kur kemi punuar vetëm në ndërrimin e parë nuk kemi mund t'iu ndihmojmë gjithë të sëmurëve".

"Tash punon edhe radioterapia, për ata që kanë nevojë të rrezatohen. Gjitha rastet po kryhen me sukses, asnjëherë nuk ka ndodhur një i sëmurë me të kthehet pa i marrë shërbimet"
, shpjegon Osmani.

Ndërsa zoti Hoti bën të ditur se barnat për trajtimin e sëmundjes së kancerit janë shumë të kushtueshme dhe ministria ndan çdo vjet nga rreth 5 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm për barna, vetëm për ato që shërbejnë për trajtimin e sëmundjes së kancerit.

"Çdo vit Ministria e Shëndetësisë ndan prej 4 deri 5 milionë euro për citostatik, që ka edhe donacione pikërisht për këtë sëmundje, shihet që mbulimi i kësaj kategorie është me prioritet por që prapë nuk i mbulon gjitha nevojat për shkak të kufizimeve që ekzistojnë".

"Buxheti që ndahet për barna për sektorin publik në Kosovë nuk i mbulon gjitha nevojat për barna, material shpenzues, për ato kategori që kanë nevojë për terapi. Ministria e Shëndetësisë i jep prioritet trajtimit të sëmurëve me kancer dhe një pjesë e madhe e buxhetit i dedikohet kësaj kategorie", thotë Hoti.

Por, pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit, thonë se gjatë trajtimit në Institutin Onkologjik, ka raste kur ka barna, por kryesisht barnat e shtrenjta vështirë gjenden brenda këtij instituti.

"Problemi më i madh ka qenë te barnat e shtrenjta. Por, fatmirësisht unë nuk pata problem. Një herë më thanë nuk ka, pastaj kontrolluan edhe i gjetën. Por, mandej prapë nuk ka pasur më. Mjeku më tha që para një dite i kanë sjellë nga Ministria e Shëndetësisë, por janë shpenzuar", tregon një pacient i quajtur Muhamet Latifi.

Ndryshe sipas zotit Hoti, gjatë vitit 2013 është mbajtur evidenca e sëmundjes së kancerit, duke shtuar se gjitha institucionet shëndetësore, publike dhe private, po raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për sëmundjen e kancerit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG