Ndërlidhjet

Kosova, e gatshme për ndeshjen e parë


Ilustrim
Ilustrim
Pasi që Federata Botërore e Futbollit, FIFA, i ka lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, përfaqësuesit e Federatë së Futbollit të Kosovës thonë se ndeshja e parë mund të zhvillohet me pesë mars të këtij viti.

Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme që Kosova do të luajë ndeshje miqësore dhe se, sipas tij, kjo mundësi nga FIFA do të shfrytëzohet maksimalisht dhe marrëveshja do të realizohet ashtu siç është arritur.

“Me potencialin e futbollistëve jemi të gatshëm dhe ju e dini që kemi talent. Të gjitha mediat dhe ekspertët e futbollit, duke pasur parasysh potencialin e kosovarëve që janë nëpër ekipet dhe kombëtaret e ndryshme të tjera si p.sh Zvicra, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Shqipëria e të tjera, na kanë vlerësuar dhe na kanë cilësuar që jemi diku kombëtarja e 10 më e mira në botë”, thotë Ademi.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) një ditë më para i lejoi Kosovës që të luajë ndeshje miqësore, por pa simbole shtetërore, me fusnotë dhe me kushtin tjetër që të mos luajnë me përfaqësueset e ish-Jugosllavisë.

Ademi thotë se çështja e fusnotës nuk do të paraqesë asnjë problem, pasi që shumë nga ndeshjet e futbollit, do të luhen në Prishtinë dhe tifozët nuk mund t’i ndalojë askush që të mbajnë flamuj në stadiume apo edhe të këndojnë këngë-himne.

“Nuk besoj që (fusnota ) do të paraqesë problem për vetë faktin që luhet në Prishtinë dhe çdo herë, kush nuk mund t’ia ndalojë publikut që ta mbushë flamuj dhe ta këndojë himnin live, ashtu siç e kemi traditë dhe zakon ne. Ato do të ndodhin. Çështja zyrtare do të jetë me fusnotë. Unë shpresoj se fusnota është edhe e tejkaluar edhe në politikë, e lëre më në sport”, thekson Ademi.

Sportistët kosovarë e kanë mirëpritur lejimin e FFK-së nga FIFA për ndeshje miqësore.

Afrim Tovërlani, trajner i klubit të futbollit Prishtina, i cili vitin e kaluar është shpallur nga FFK-ja si trajneri më i mirë, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se kjo është një arritur e madhe për Kosovën, edhe pse me disa pengesa të vogla.

“Është shumë e rëndësishme, sepse tash edhe ne, si Kosovë, kemi të drejtë t’i zhvillojmë ndeshjet miqësore dhe me klube, edhe pse me klube kemi zhvilluar ndeshje, ka qenë më herët e lejuar. Mirëpo, kjo është një arritur e madhe. Megjithatë, nuk është aq e arritur derisa nuk pranohemi me të drejta të barabarta. Kuptohet që është jashtëzakonisht mirë që do të luajmë ndeshje miqësore pa marrë parasysh fusnotave”, shprehet Tovërlani.

Sipas trajnerit Tovërlani, Kosova është e gatshme për të bërë ndeshje miqësore me cilindo klub të shteteve të ndryshme, por problemi kryesor tash për tash, është infrastruktura e dobët e stadiumeve që nuk i plotësojnë kërkesat e nevojshme.

“Infrastruktura jonë për momentin është e dobët, do të thotë tash duhet në mënyrë të përshpejtuar edhe FFK-ja, edhe Qeveria, edhe Ministria e Sportit dhe komunat, si në Prishtinë, si në Mitrovicë, që janë dy stadiume që i plotësojnë kushtet, të intervenojnë dhe sa më shpejt t’iu japin ‘infuzion’ rreth përmirësimit të stadiumeve”, shton Tovërlani.

Në maj të vitit të kaluar, FIFA është pajtuar në parim për të lejuar Kosovën që të luajë ndeshje miqësore, por për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga Serbia dhe presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini, ka zvarritur marrjen e vendimit përfundimtar.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka fituar ende njohjen nga Kombet e Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG