Ndërlidhjet

Intervenimet e kushtueshme jashtë, tani pa pagesë në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar vënia e dy pajisjeve në zemër, të quajtura ICD dhe Pejsmejker, implantime këto automatike që bëjnë konvertimin e ritmit të zemrës.

Mjeku Bedri Zahiti, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky intervenim tash e tutje do të kryhet në këtë klinikë dhe pacientët këtë shërbim do ta kenë pa pagesë.

Ndryshe, sipas tij, çmimi i një ICD-je kushton deri në 16 mijë euro, derisa pejsmejkeri rreth 4 mijë e 500 euro.

“Sot kemi organizuar vënien e ICD-ve. Kjo është implantim automatik, i cili bën konvertimin e ritmit të zemrës. Në vitin 1982 është vënë me sukses për herë të parë dhe ka vazhduar më pastaj në tërë botën. Qe një vit e gjysmë janë dhënë mjetet për tender për blerjen e këtyre aparateve dhe tash është realizuar ardhja e pejsmejkerëve dhe ICD-ve, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Para dy muajsh, me angazhimin tonë dhe të ministrit Agani e kemi realizuar këtë qëllim. Tani për tani, do të bëhen pa pagesë këto shërbime, edhe pse askund në botë nuk bëhen pa pagesë, por ministria duhet ta vendosë çmimin dhe po pritet të bëhet një gjë e tillë. Një ICD kushton deri në 16 mijë euro. Ndërsa, pejsmejkeri deri rreth 5 mijë euro”,
ka thënë Zahiti.

Për ta asistuar këtë intervenim te pacientët në Qendrën Klinike Universitare ka ardhur një ekip nga Kroacia. Ky ekip do ta trajnojnë stafin kosovar për ta kryer një punë të tillë.

“Sot ka ardhur një kompani me mjekë nga Kroacia që do të marrin mjekët tanë në trajnim dhe do ta përgatisë stafin për kryerjen e kësaj pune. Disa mjekë kosovarë do të shkojnë në Zagreb, e më pastaj edhe në Itali”.

“Sa i përket pacientëve, nuk e dimë a do të ketë, pasi që ky shërbim nuk është kryer këtu, por sipas statistikave ndërkombëtare, në 2 milionë njerëz duhet t’i vëmë deri në 500 pejsmejkerë brenda një viti. Pacientët kanë shkuar jashtë Kosovës për këtë shërbim, andaj nuk e kemi regjistruar numrin e tyre sa ka qenë i shprehur si fenomen”,
ka shpjeguar Zahiti.

E, doktor Sami Gjoka, shef i Kardiologjisë Invazive në QKUK, ka thënë se tash e tutje do të bëhen listat e pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj intervenimi dhe të njëjtin do ta marrin në këtë klinikë.

“Që nga dje ka filluar implantimi i pejsmejkerëve të përkohshëm dhe të përhershëm. Është zhvilluar nga aspekti profesional. Në këtë klinikë ajo çka nuk është bërë më herët, mund të bëhet tash. Deri më tani kjo nuk ka qenë punë rutinore jona - pra vënia e pejsmekerëve. Tash e tutje do të bëhet lista e pacientëve dhe të paraqiten këtu, në mënyrë që pastaj pacientët të hyjnë në rend për këtë shërbim”, ka theksuar Gjoka.

Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur se kjo ministri ka ndarë një shumë prej 650 mijë eurosh për një vit, për shërbimet që kanë filluar të kryhen sot në QKUK.

“Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 650 mijë euro sa i përket furnizimit me këto pajisje për QKUK-në për këtë vit. Ministria ka kontratë me operatorë dhe varësisht nga nevojat që kanë klinikat, ata do t’i bëjnë edhe kërkesat. Brenda QKUK-së ekziston një udhëzim administrativ i miratuar nga MSH-ja, në bazë të të cilit ekziston një bashkëpagesë, por në çdo variant këto shërbime do të kushtojnë më lirë sesa në sektorin privat”, ka bërë të ditur Hoti.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, aparati pejsmejker, është kombinim nga çipa kompjuteri dhe baterie, të cilët mund të programohen, montohet në kraharor menjëherë nën ashtin kyç nën lëkurë. Telat special futen në venat e zemrës nën ashtin kyç. Pastaj, kabllot lidhen deri te sistemi i baterive.

Kjo procedurë zgjatë, 1-2 orë nën anestezion lokal dhe llogaritet si intervenim minimal. Pacienti qëndron në spital 1 deri në 2 ditë pas intervenimit të kryer në sallë.

Ndërkaq, aparati tjetër me emrin ICD, është pajisje e programuar të shënojë ngadalësimin e zemrës dhe aritmi potenciale në rrezik. Pajisja automatikisht e diagnostikon dhe korrigjon aritminë me elektroshok të papritur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG