Ndërlidhjet

Fatura të majme të energjisë elektrike


Pamje nga protestat e vitit të kaluar
Pamje nga protestat e vitit të kaluar
Ankesat e qytetarëve lidhur me faturat e energjisë elektrike janë të shumta. Sipas tyre, faturat e muajit dhjetor kanë ardhur dyfish më të shtrenjta se sa muajt paraprak.

Këtë e thotë Tahir Tahiri, pensionist, i cili thotë se jeton me gjashtë anëtarë tjerë të familjes, që të gjithë të papunë.

"Muajin e kaluar fatura e rrymës më ka ardhur 40 euro, tash 88 euro. Unë jam nga Prishtina, lagjja e Vranjevcit. Pensionist jam, vetë i gjashti anëtar, me pension duhet ta paguaj rrymën, të ardhura tjera nuk kemi", thotë Tahiri.

Derisa zyrtari për informim në Distribucionin e Furnizimit më Energji Elektrike, KEDS, Guri Shkodra, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vetëm gjatë një dite, kanë pranuar më shumë se 25 ankesa nga qytetarët.

"Jemi të vetëdijshëm për pakënaqësinë e qytetarëve për faturat e energjisë elektrike. Vetëm sot kemi pranuar rreth 25 ankesa për fatura të larta, por konsumi i energjisë elektrike rritet shumë gjatë muajit dhjetor dhe janar dhe tarifat dimërore që janë të caktuara nga zyra rregullatorit të energjisë në Kosovë parashohin ngritje të çmimit".

"Për këtë arsye shpesh qytetarët i keqkuptojnë. Për më shumë, KEDS është për reformim të sistemit tarifor të Kosovës por nuk është kompetencë e KEDS-it të reformojë sistemin tarifor të Kosovës", shprehet Shkodra.

Ai gjithashtu ka shtuar se secila ankesë e qytetarëve do të shqyrtohet me kujdes dhe ata do të hiqen nga lista e shkyçjes derisa të merret vendim për ta.

"Jemi duke i diskutuar hapat tonë që do të merren me problemet e qytetarëve dhe koha e reagimit të qytetarëve që ka qenë 30 ditë do të zvogëlohet pasi që ne do të mobilizohemi dhe t'u përgjigjemi qytetarëve në afate më të shkurta kohore".

"KEDS nuk i fryen çmimet, por gabimet në faturim mund të ndodhin, por qytetarët duhet të ankohen në zyrat e KEDS kudo në Kosovë. Në momentin që qytetarët ankohen, largohen nga lista e shkyçjes së konsumatorëve", bën të ditur Shkodra.

Edhe një tjetër, qytetar Ragip Morina, ekonomist me profesion, mendon se fatura e muajit dhjetor i ka ardhur shumë e shtrenjtë, andaj është duke menduar që të bëjë ankesë.

"Muajin e kaluar fatura e energjisë elektrike ka ardhur 20 euro, derisa tash 44 euro e 99 cent. Mua më është dukur e tepërt, sepse e di sa shpenzoj. Fatura më ka ardhur sot, dhe nuk kam mundur të ankohem, por do të shoh nesër se çfarë do të bëj", thotë Morina.

Ndryshe të enjten është mbajtur një konferencë për media, lidhur me këtë problematikë.

Naxhije Pajaziti-Arifaj, menaxhere e Departamentit për Komunikim me Publikun në KEDS, tha se kjo kompani është e vetëdijshme për paqartësitë që kanë konsumatorët dhe se ata tashmë janë mobilizuar për shqyrtimin e ankesave.

"KEDS është gjithmonë i mobilizuar për lexim të drejtë të njehsorëve, sidomos gjatë muajve të dimrit. Jemi të vetëdijshëm që mënyra e kalkulimit të shpenzimit të energjisë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit ngrit paqartësi te konsumatorët".

"Për këtë KEDS është mobilizuar në mënyrë sa më të mirë, duke krijuar grupe emergjente të veprimit apo Task Forcë, për shqyrtimin e ankesave me të vetmin qëllim që të jetë sa më afër konsumatorëve. Që t’i informojë konsumatorët në mënyrë sa më korrekte dhe transparente”, thotë ajo.

Sidoqoftë, vitin e kaluar Grupi i Qytetarëve të Organizuar patën protestuar me moton “Ndal hajninë, zhvilloje shtetin”.

Zemërimi i qytetarëve ka nisur qysh me faturat e energjisë elektrike për muajin janar të vitit 2013, që sipas tyre kanë qenë të fryra.
XS
SM
MD
LG