Ndërlidhjet

Vazhdimi i ulëseve të rezervuara, ndesh me Kushtetutën


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kërkesa e përfaqësuesve serbë që në Kuvendin e Kosovës të kenë edhe më tutje ulëset e rezervuara, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sepse kohëzgjatja prej dy mandatesh e ulëseve të rezervuara për minoritete, e përcaktuar sipas Planit të Ahtisarit, skadon pas mandatit të tanishëm, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese dhe ata të shoqërisë civile.

Gjatë dy mandateve, komunitetet pakicë në vend i kanë pasur 20 mandate të rezervuara, që nënkupton 20 ulëse të sigurta në Kuvendin e Kosovës, plus ulëset e fituara me vota të drejtpërdrejta në zgjedhje.

Prej tyre, 10 ulëse kanë qenë të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb. Ndryshe, pas kalimit të dy mandateve, përfaqësuesit e serbëve i kanë të garantuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe kjo nënkupton që në qoftë se me vota të drejtpërdrejta në zgjedhje i fitojnë 6 apo 8 ulëse, atëherë 4 përkatësisht 2 të tjera, që mbeten, i kanë të garantuara.

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Riza Smaka, dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që kërkesa e përfaqësuesve serbë për ruajtjen e ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, nuk ka bazë në Kushtetutën e Kosovës.

“Janë dashur dy mandate që të vazhdohen privilegjet për minoritete. Sipas Kushtetutës, nuk ka bazë (kërkesa e përfaqësuesve serbë). Ishte dashtë që të ndryshojë Kushtetuta. Kjo është kërkesë megalomane dhe politikisht jo morale e pakicave”, thotë profesor Smaka.

Ai shton se përfaqësuesit e pakicës serbe do të vazhdojnë t’i kenë të garantuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe realizmi i kërkesës së tyre për mandate tjera për ulëse të rezervuara, do të ishte padrejtësi ndaj popullatës shumicë.

“Minoriteti serb i ka 10 vende të garantuara. Në ato të garantuarat, praktikisht, edhe në qoftë se nuk kanë vota, hyjnë 10 veta. Domethënë, me 100 vota mund të hyjë aty. Ndërkaq, këto të rezervuarat, janë pozicion tjetër dhe nuk duhet të bëjmë padrejtësi në njërën anë, në dëm të shumicës, ndërsa në anën e pakicës të bëhen favorizime të papara dhe të padëgjuara”, vlerëson Smaka.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe njëkohësisht edhe përfaqësues i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e përfaqësuesve serbë shkojnë përtej asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Kjo kështu nuk mund të bëhet. Kjo, në mënyrë definitive, duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Kjo do të reflektojë. Do të thotë, nëse eventualisht klasa jonë politike, po them në mënyrë hipotetike, pajtohet që kjo të ndodhë, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe ajo të përcaktojë që edhe për një ose dy mandate, mund t’i kenë vendet e rezervuara dhe më pas, të vlejë parimi i vendeve të garantuara”.

“Në të kundërtën, çdo qasje tjetër do të ishte kundër kushtetuese dhe çdo iniciativë për ta ngritur këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese do të dilte fituese dhe do ta rrëzonte si vendim ose si iniciativë”
, shprehet Selmanaj.

Ai thekson se futja në, siç i quajti ai, aranzhime apo aventura të tilla, si do të mund të ishte, sipas tij, vazhdimi eventual i mandateve të ulëseve të rezervuara, do ta dëmtonte ndërtimin e një demokracie funksionale në Kosovë, si dhe do ta vështirësonte edhe vendimmarrjen brenda vetë Kuvendit të Kosovës.

“Është fjala se a dëshirojmë ta ndërtojmë një sistem demokratik në Kosovë ku Kuvendi i Kosovës është vërtet përfaqësues i qytetarëve të Kosovës apo dëshirojmë ta shndërrojmë Kuvendin e Kosovës në një institucion, i cili themelohet ose formohet me legjitimitet të cunguar, që i bie që dikush edhe me 5 vota mund të futet në Kuvendin e Kosovës?”.

“Atëherë, a jemi duke e ndërtuar një institucion vërtet përfaqësues, i cili më pas ka legalitet dhe legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme për këtë vend apo kemi një institucion, i cili është i konstruktuar si i tillë që për shkak të përkatësisë etnike, mund të jesh pjesë e një institucioni, por jo për shkak të delegimit në bazë të votës së lirë”
, potencon Selmani.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, shprehin mendimin se në qoftë se kërkesa e përfaqësuesve serbë për ulëset e rezervuara, plotësohet, atëherë në të ardhme mund të arrihet një situatë ku vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës do të jetë krejtësisht në dorën e minoriteteve.

Ata kanë shprehur mendimin se lidhur me këtë çështje, partitë politike parlamentare nuk duhet t’i nënshtrohen presionit të përfaqësuesve të pakicave dhe as presionit të faktorëve ndërkombëtarë, sepse lëshimi pe në këtë pikë, mund ta dëmtojë në të ardhmen ndërtimin e një demokracie funksionale në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG