Ndërlidhjet

Nëse ju duhet të flisni me Evropën, thirrni Ashtonin!


Catherine Ashton
Catherine Ashton
Disa javë pasi presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, është përmbysur nga një grusht-shtet ushtarak në muajin korrik, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është dërguar, pa truproje dhe ndihmës, me një helikopter, pastaj me një makinë me xhama të errët, në një lokacion të panjohur, ku ai mbahej.

Deri më sot, ajo është e vetmja zyrtare perëndimore, e cila ka folur me Morsin që prej largimit të tij.

E emëruar si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme dhe politika të sigurisë në vitin 2009, Ashton shpesh e ka gjetur veten në qendër të vëmendjes në vitin 2013.

Pas disa viteve të vështira, të cilat kanë parë Brukselin duke luftuar me krizën financiare dhe krizën nga Pranvera Arabe, Ashton dhe politika e jashtme e BE-së kanë bërë hapa të mëdhenj këtë vit, thonë analistët.

Susi Dennison është analiste politike në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

“Në vitin 2013, mendoj se kemi parë një lloj ndryshe të vitit, jo vetëm për Ashtonin, por edhe për politikën e jashtme evropiane. Sukseset e veçanta të negociatave Kosovë-Serbi, të cilat kanë kulmuar në muajin prill, dhe marrëveshja me Iranin në muajin nëntor paraqesin zona ku BE-ja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm strategjik”, shprehet Dennison.

Në muajin prill, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa në nëntor, Ashton ka qenë në qendër të bisedimeve, të cilat kanë prodhuar një marrëveshje të rëndësishme, edhe pse afatshkurtër, për programin bërthamor të Iranit.

Ashton tani po luan rol qendror edhe në përpjekjet për të ngjallur një marrëveshje asociimi midis bllokut dhe Ukrainës.

Andrea Frontini është analist politik në Qendrën për Politika Evropiane në Bruksel.

“Duhet të pranojmë se baronesha Ashton ka pasur sukses në krijimin e Shërbimit të Aksionit të Jashtëm Evropian për një kohë mjaft të shkurtër, me burime relativisht të pakta, si financiare, ashtu edhe nga pikëpamja njerëzore”, thotë Frontini.

Përveç kësaj, personaliteti dhe stili i Ashtonit kanë luajtur po ashtu rol.

Analistja Dennison thotë se edhe marrëveshja Kosovë-Serbi, edhe bisedimet për Iranin kanë qenë rezultat i “viteve të planifikimit” dhe “durimit strategjik”.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë se ngurrimi i Ashtonit për të folur me mediat ka luajtur rol të rëndësishëm në të dyja rastet. Ajo ka dhënë vetëm një intervistë pas marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe nuk ka folur fare për mediat në lidhje me marrëveshjen për Iranin.

Megjithatë, politika e jashtme e BE-së mbetet sfidë. Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka thënën njëherë: “Kë e thërrisni kur doni të flisni me Evropën?”.

Çështja e konkurrimit dhe agjendave të kundërta në mesin e vendeve anëtare të BE-së mbetet vendimtare dhe mund të dëmtojë efektivitetin e BE-së, thotë Dennison.

“Siria është një zonë, ku në gjysmën e dytë të këtij viti roli i Evropës është mënjanuar tërësisht dhe aktorët e vërtetë, që kanë ndikim atje, janë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”, thotë Dennison.

Arsye për këtë joefikasitet, sipas saj, është dallimi në qasje midis Britanisë dhe Francës në njërën anë dhe shumicës së anëtarëve të tjerë në anën tjetër.

Për dallim nga kjo, analisti Frontini thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi ka qenë një shembull i suksesshëm i punës së mirë ekipore, në mesin e vendeve anëtare.

Situata sa i përket Partneritetit Lindor të Bashkimit Evropian dhe hezitimit të Kievit për të nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit është më pak e qartë.

Një pjesë e problemit rrjedh nga fakti se kur është themeluar Shërbimi i Aksionit të Jashtëm Evropian, kompetenca të rëndësishme, që zakonisht lidhen me politikën e jashtme, të tilla si tregtia dhe ndihmat për zhvillim, kanë mbetur prerogativa të Komisionit Evropian.

Partneriteti Lindor, i cili zhvillon marrëdhëniet e BE-së me Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, nuk është teknikisht pjesë e shtrirjes së Ashtonit, edhe pse ajo ka marrë pjesë në elementin politik-diplomatik.

Edward Lucas, redaktor ndërkombëtar në “The Economist”, thotë se edhe pse programi ka qenë problematik që nga konceptimi i tij, në muajt e fundit blloku ka qenë në gjendje të ndërtojë një konsensus befasues rreth tij.

“Kemi parë që BE-ja, përfshirë vendet që tradicionalisht nuk janë shumë të interesuara për Lindjen, ka trajtuar Partneritetin Lindor si prioritet. Kjo është një gjë e madhe për BE-në dhe ka peshë të madhe politike dhe burokratike pas saj”, thotë Lucas.

Sido që të jetë, çështja e unitetit mbetet sfidë për Bashkimin Evropian, sidomos gjatë krizave. Por, analistët thonë se Ashton, mandati i së cilës skadon në tetor të vitit 2014, ka shfrytëzuar të gjitha mjetet që ka pasur në dispozicion për të kapërcyer vështirësitë e tilla si efektet e krizës ekonomike globale dhe ndarjet e qenësishme brenda BE-së.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG