Ndërlidhjet

A do të kenë shërbime më cilësore të burgosurit?


Ilustrim
Ilustrim
Me organogramin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë, është bërë transferimi i kompetencave mbi sistemit shëndetësor në burgjet e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, çështja e mirëmbajtja e kushteve të shëndetësisë nëpër burgje, nga Ministria e Drejtësisë, në atë të Shëndetësisë, është pjesë e reformës shëndetësore të vendit, thotë Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe bartësi kryesor i këtij procesi.

"Ne kemi bërë përgatitjet lidhur me këtë dhe e kemi futur [bartjen e kompetencave] edhe në Ligjin për shëndetësi, e edhe në Ligjin për sigurime shëndetësore; janë marrë të gjitha masat që shërbimet shëndetësore të ofrohen për të gjithë, edhe për të burgosurit"
.

"Ajo që është e rëndësishme, bashkëpunimi ka ekzistuar mes dy ministrive, dhe kemi qenë të mendimit, derisa kjo marrëveshje është bërë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për shëndetësi. Periudha e transferimit do të bëhet me 1 janar të vitit të ardhshëm; si e plotë do të kalojë kompetenca në Ministrinë e Shëndetësisë, për ofrimin e kujdesit shëndetësorë nëpër burgje, njëjtë sikurse për qytetarët e tjerë", thotë Gjocaj.

Transferimi i kompetencave nga Ministria e Drejtësisë në atë të Shëndetësisë, ka qenë rekomandim edhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për hollësi të tjera rreth këtij procesi flet Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate në Kosovë.

"Rekomandimi i OBSH-së, përkatësisht rrjetit evropian për shërbime shëndetësore në kuadër të burgjeve, është që shërbimet shëndetësore të burgjeve duhet të jenë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të ofrimit më cilësor të shërbimeve shëndetësore, mundësisë së integrimit të shërbimeve të përgjithshme që u ofrohen popullsisë, e edhe për të burgosurit si dhe ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve të stafit që punojnë në sistemin shëndetësor të burgjeve, stafit shëndetësor, pavarësisë së punës së tyre si dhe ofrimit profesional të ndihmës mjekësore për të burgosurit".

"Ky është rekomandim i OBSH-së që u jepet edhe shteteve tjera anëtare dhe në këtë kuadër ne jemi shumë të kënaqur që Qeveria e Kosovës ka marrë në konsideratë këtë rekomandim dhe ka kaluar kompetencat me kalimin e shërbimeve shëndetësore për burgjet nga Ministria e Drejtësisë në atë të Shëndetësisë", bën të ditur Syla.

Gani Shabani, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kuadër të këtij institucioni është formuar edhe instituti i psikiatrisë forenzike, ku të burgosurit, shërbimet e niveleve më të larta do t'i marrin aty.

"Ne kemi formuar departamentin e shërbimeve shëndetësore të burgjeve, rregullorja e brendshme është në përfundim e sipër. Janë bartur kompetencat dhe të burgosurve do t'u ofrohen shërbimet shëndetësore, që do t'u ofrojnë mjekët varësisht nga nevojat që kërkojnë".

"Instituti i psikiatrisë forenzike është një institut për ata të cilët kanë nevojë për nivele më të larta, dhe është një institut që nga muaji mars do të lëshohet në funksion. Punëtorët janë duke mbajtur tashmë trajnime në klinikën e psikiatrisë, janë pranuar edhe psikologë, psikiatër, derisa shërbimet shëndetësore do t'i marrin nga mjekët varësisht nga nevojat", thotë Shabani.

Sidoqoftë, sipas zotit Gjocaj nga Ministria e Shëndetësisë, trajnimet e stafit mjekësor, sigurimi i barnave, licencimi i pajisjeve, e shumë gjëra të tjera do të kontrollohen nga një departament në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, departament ky i cili funksionon në bazë të aktit nënligjor që tashmë është përgatitur dhe është dërguar edhe në Qeverinë e Kosovës.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG