Ndërlidhjet

Reformat e thella në drejtësi pas largimit të EULEX-it


Reforma e tanishme gjyqësore dhe prokuroriale në Kosovë është duke u zhvilluar pa pasur strategji dhe rrjedhimisht mungojnë edhe qëllimet e qarta të saj.

Kështu kanë deklaruar të hënën përfaqësuesit e Institutit Kosovar të Drejtësisë të cilët kanë publikuar edhe një raport për reformat në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se reformat në drejtësi janë evidente dhe se sipas tij, ligjet në këtë lëmi janë më të mirat në rajon.

Reforma është dinamike. Dhe unë po them se reforma e thellë do të fillojë kur të shkon EUELX-i, në kuptimin e qëndrueshmërisë fizike, po e quaj intelektuale të guximit e kështu me radhë, por ka punë të mira që bëhen”, tha Kuçi.

Ai tha po ashtu se Kosova në sistemin e drejtësisë ka pasur reforma të vazhdueshme edhe në kohën e pasluftës, UNMIK-ut, EULEX-it, pas pavarësisë, dhe një gjë të tillë, sipas tij, Kosova do të ketë edhe në të ardhmen.

Nëse kemi pasur qëllim deri më tani, unë e quaj ta ndërtojmë arkitekturën e drejtësisë dhe t’i vëjmë standardet në drejtësi, unë besoj se i kemi arritur të dyja”, theksoi Kuçi.

Nga ana tjetër, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha mes tjerash se pavarësisht që ristrukturimi i plotë i gjyqësorit dhe reformat kanë nisur kohë më parë, në këtë sistem nevojitet një funksionim më cilësor.

“Mungesa e një oferte të qartë dhe në përgjithësi kuadrot jo-profesionale kanë ndikuar negativisht në rezultatin e këtij procesi. Në përgjithësi kësaj reforme i ka munguar një strategji gjithëpërfshirëse që do të orientonte angazhimin e institucioneve dhe do të bënte më të matshëm vlerësimin e arritjes në këtë proces të reformës".

"Mungesa e kësaj strategjie gjithëpërfshirëse ka bërë që institucionet të krijojnë institute dhe mekanizma të rinj, të ri-dizajnojnë proceduar dhe mekanizmat ekzistues, dhe të ndërmarrin aktivitete tjera në baza ad-hoc dhe duke reaguar sipas nevojës”, tha Musliu.

Në raportin e “Reforma e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet se Kosova është përballuar me shumë sfida të cilat “kanë vënë gjyqësorin në një gjendje thuajse konstante të reformimit”.

Gjyqtarja Valdete Daka, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmendi se reformat në sistemin e drejtësisë janë duke vazhduar, bazuar në ligjet përkatëse.

“Fillimi i menjëhershëm në zbatimin e ligjeve të reja, me zbatimin e një strukture të re gjyqësore, ka qenë një sfidë e madhe për sistemin gjyqësor. Krijimi i Gjykatës së Apelit për herë të parë; krijimi i gjykatave të reja themelore në Ferizaj e Gjakovë; bartja e kompetencave territoriale; lëvizja e lëndëve nga një gjykatë në gjykatën tjetër, ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e madhe”, tha Daka.

Në raportin e fund të Institutit të Kosovës për Drejtësi, theksohet po ashtu se përgjatë gjithë procesit të reformave të ndryshme në sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile kanë qenë të mënjanuara.

Një praktikë e tillë, thuhet në raport, vazhdon edhe në ditët e sotme.

“Mungesa e transparencës dhe bashkëpunimit me qytetarët është qasje tejet e dëmshme e reformës të një sistemi kaq vital për shoqërinë. Pa ndërtim të konsensusit, shoqërisë po i imponohet t’i përshtatet normave të krijuara nga grupe të ngushta interesi”, thuhet në raport.

Ndryshe, disa nga rekomandimet e raportit ishin se:

Duhet të bëhen vlerësime dhe analiza të thella sa i takon themelimit te gjykatave/ dhomave të veçanta sikurse ajo për Krime të Renda dhe çështje Administrative.

Të bëhet një strategji se si do të vazhdohet me tutje me reformën.

Të ndahen resurset për të mundësuar zbatimin e plotë të ligjeve, sidomos atyre bazike për sistemin e gjyqësor dhe prokuroria.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të analizojnë dhe të gjejnë një model më të avancuar dhe më efikas të llogaridhënës së sistemit të gjyqësor dhe prokurorial.

Ndryshe, korrupsioni, mos efikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma - janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë vazhdimisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG