Ndërlidhjet

Kuvendi vërejtje kryetarëve serbë – shkarkoheni nëse s'e pranoni shtetin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kundërshtojnë avancimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në një entitet të veçantë politik.

Në deklarimet e tyre gjatë seancës të së enjtes, deputetë nga radhët e partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës si dhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që të mos lejohet formimi i një entiteti serb në Kosovë.

Shqetësimet e deputetëve bazoheshin në deklaratat e disa kryetarëve të ri të zgjedhur në komuna me shumicë serbe se nuk do të njohin shtetin e Kosovës dhe as të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e saj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami ka thënë me këtë rast se mos pranimi i pushtetit lokal sipas kushtetutën e Kosovës paraqet një sfidë të re pasi që këta kryetar janë të zgjedhur në mënyrë legale.

“Në radhë të parë, Qeveria dhe Ministria e Pushtetit Lokal të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme të parapara me kushtetutë dhe ligj që të monitoroj ligjshmërinë e punës së kryetarëve të komunave serbe dhe asambleve komunale dhe të parandaloj çfarëdo veprimi jokushtetues apo joligjor eventual".

"Angazhohem që sa më shpejt të definohet statuti i Asociacionit të Komunave Serbe dhe të shmanget çfarëdo krijimi i entitetit ekzekutiv të këtij Asociacioni”, ka thënë Arsim Bajrami.

Deputeti Bajrami ka ftuar prokurorinë që të monitorojë zbatimin e kodit penal dhe sipas detyrës zyrtare të nisë procedurat në rast se cenohet rendi kushtetues nga kryetarët dhe komunat e reja me shumicë serbe.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri i ka rikujtuar deputetët për aktivitetet e shumta kundërshtuese të Vetëvendosjes në raport me dialogun dhe Marrëveshjen me Beogradin.

Kurse rreziqet e sotme për krijimin e entitetit serb në Kosovë përmes Asociacionit serb i cili parashihet të ketë 10 komuna, sipas tij janë pasojë e dialogut me Beogradin.

“Tash e kemi Serbinë në Kosovë të forcuar politikisht, me pushtet të legalizuar e me polici e gjyqësi të ndarë. Kemi kryetar komunash që deklarojnë se nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe se do të punojnë drejtpërdrejtë për Serbinë në Kosovë".

"Kryetar këta që po përgatiten ta themelojnë Republikën e tyre serbe të quajtur Asociacion i komunave për ta pasur kështu një entitet brenda Kosovës që nuk e pranon Kosovën. Ky është pra rezultati i këtyre negociatave të sponsorizuara dhe udhëhequra nga Hashim Thaçi e të miratuara nga PDK, LDK e AAK”, ka thënë Ymeri.

Deputeti Ymeri ftoi institucionet e Kosovës që kryetarët e ri serbë të cilët nuk e njohin
shtetit e Kosovës të mos lejohen fare të marrin postin.

Shqetësime për Asociacionin e Komunave Serbe ka shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, edhe pse nënkryetari i parë i këtij subjekti politik mbanë postin e koordinatorit të dialogut politik për Prishtinën në bisedimet me Beogradin.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se shmangia nga zbatimi i Marrëveshjes së 19 prillit dhe ridefinimi i kompetencave për Asociacionin serb mund të ripozicionojë AAK-në në dialog.

“Kërkojmë fuqishëm në emër të AAK-së që t’i përmbahemi asaj që është votuar në këtë parlament bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, përndryshe do të kërkojmë dhe do të kemi ripozicionim sa i përket dialogut”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ndaj deklaratës së deputetes së AAK-së dhe deputetëve tjerë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si një prej atyre që nuk e ka votuar Marrëveshjen me Beogradin.

Ai u ka thënë deputetëve se është dashur të mendonin më herët se çka po miratojnë dhe jo të merren tani me pasojat.

Përndryshe, deputetët në deklarimet e tyre kanë thënë se nëse kryetarët e ri serbë, sidomos ata të Iniciativës Qytetare Serbe e formuar nga Beogradi, nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, atëherë të shqyrtohet edhe mundësia e shpalljes së zgjedhjeve të reja nëpër këto komuna.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG