Ndërlidhjet

Kreditë, barrë për huamarrësit


Ilustrim
Ilustrim
Kamatat e kredive në bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta dhe kjo paraqitet barrë e madhe për huamarrësit, qoftë për biznese apo individuale, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Kamatat e kredive në Kosovë sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, norma këto që vazhdimisht janë cilësuar si më të lartat në rajon.

Instituti për Studime të Avancuar GAP, herë pas herë bën analiza të ndryshme në sistemin bankar të Kosovës.

Berat Thaçi, nga ky institut, pohon se diferenca në mes normave të interesit në depozita dhe kredi është më e larta në rajon.

“Kjo është shqetësuese kur kemi parasysh se ne kemi një ekonomi shumë të varfër, do të thotë Bruto Produkti Vendor për kokë banori është më i ulëti në rajon. Do të thotë në njërën anë ne jemi të varfër dhe në anën tjetër kemi norma të larta të interesit".

"Dhe këtu është fakt se këto norma ndalin zhvillimin ekonomik, pasi qasja e bizneseve në kapital është shumë e shtrenjtë, atëherë ndalen investimet, rrjedhimisht ngadalësohet zhvillimi ekonomik”, thotë Thaçi.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, konsideron se me zbatimin dhe funksionimin e ligjeve të Kosovës, bankat kanë mundësi që të korrigjohen në nivelin e tyre të kamatave.

“Problemi, sa qëndron te bankat, po aq qëndron edhe te mekanizmat tjerë institucional, në radhë të parë mendoj se është shërbimi i kadastrës, pastaj gjyqësia duhet të jetë shumë më funksionale në mënyrë që bankat të kenë një siguri më të madhe dhe të kenë mundësi që sa më shpejtë të kapitalizohen, apo t’i kthejnë mjetet nëse kanë ndonjë problem rreth realizimit të hipotekave”, shprehet Rexhepi.

Edhe Berat Thaçi, nga Instituti GAP, thotë se mosfunksionimi i duhur i sistemit të drejtësisë, bën që bankat komerciale të perceptojnë ambientin e biznesit si të rrezikshëm dhe si kompensim për këtë, ata i rrisin normat e interesit.

Faktor tjetër, sipas Thaçit, është konkurrenca jo e mjaftueshme në sistemin bankar, si dhe mungesa e valutës kombëtare, pasi në këtë mënyrë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk mund të ndikojë në normat e interesit në bankat komerciale që operojnë në vend.

“Një nga faktorët është edhe koncentrimi i lartë në vetë sistemin bankar, deri në 80 për qind të aseteve zotërohen në tri bankat më të mëdha komerciale. Do të thotë edhe ky mund të jetë një problem që po ndikon në normat e larta të interesit”, shprehet Thaçi.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Ndërkaq, kamatat e kredive i përcaktojnë në bazë të politikave të tyre, pasi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG