Ndërlidhjet

Shqipëria feston 101 - vjetorin e pavarësisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Me aktivitete të ndryshme shqiptarët kanë festuar Ditën e Flamurit, ditën që shënon 101-vjetorin e Pavarësisë së tyre.

Me këtë rast, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kabineti qeveritar në Vlorë, janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, për të shënuar 101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në mënyrë simbolike është zhvilluar edhe ceremonia e ngritjes së flamurit, pikërisht aty ku 101 vjet më parë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë, duke shpallur kështu Shqipërinë e pavarur e sovrane.

Zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, përfaqësues të ambasadës së Kosovës, si dhe të pranishëm të tjerë, kanë vendosur kurora lulesh te varri ku prehen eshtrat e Ismail Qemalit. Mes të pranishmëve nga Kosova, ishte edhe Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas ceremonisë, kryeministri Edi Rama në një prononcim të shkurtër ka uruar të gjithë shqiptarët:

“Falënderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot në Vlorë. Ne si Qeveri jemi të angazhuar ta çojmë shtetin përpara. U uroj gjithë shqiptarëve gëzuar këtë festë të madhe!”.

Më pas kryeministri Rama ka marrë pjesë në prezantimin e projektit për shëtitoren e Vlorës, që u mbajt në Teatrin e qytetit “Petro Marko”.

Derisa mazhoranca në pushtet festoi ditën e Pavarësisë dhe më 29 nëntor ditën e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi nazifashist, në anën tjetër opozita dhe përkrahësit e saj më 28 Nëntor festojnë të dyja festat bashkë.

Aktivitetet e parapara për këtë ditë festive nisën me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, qysh në orët e paradites.

Kryetari Partisë Demokratike Lulëzim Basha gjatë vizitës te Varrezat Dëshmorëve ka rikujtuar sakrificat e popullit shqiptar ndër vite.

“Në këtë ditë të shënuar të kombit tonë, 28 Nëntorin, festojmë ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë. Përulemi para mijëra e mijëra dëshmorëve, bijve të shqipes, që u flijuan për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Sot i kujtojmë këta martirë, sakrificën sublime me të cilën i shërbyen kombit”, ka thënë Basha, duke kujtuar edhe dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës, dhe në treva tjera me shqiptarë:

“Kujtojmë edhe bijtë e shqipes në Kosovë, Preshevë, Maqedoni që luftuan për lirinë e Kosovës. 2013 është viti 101 pas shpalljes së pavarësisë dhe 100 vite pas vitit fatkeq të vitit 1913, që na tregon se sakrificat nuk mbarojnë. Të lëmë mënjanë interesat personale dhe të bashkohemi për interesat kombëtare”.

Më tej u zhvilluan homazhe dhe te Memoriali i Komandantit legjendar, Adem Jashari, te Rruga e Durrësit.

Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, presidenti Amerikan, Barack Obama i ka dërguar një mesazh urimi homologut shqiptar, Bujar Nishani.

Në mesazhin e presidentit Obama theksohet se SHBA-ja dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.

“ SHBA-ja dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta. Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale, përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan”.

“Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike. Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”
, përfundon mesazhi i presidentit amerikan.

Urime për 101-vjetorin e Pavarësisë Shqipërisë i kanë ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, i shpreh urimet më të mira popullit të Shqipërisë.

“Tranzicioni paqësor i këtij viti dhe përparimet legjislative nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin popullin e Shqipërisë, ndërkohë që ata vazhdojnë të kërkojnë avancimin e sundimit të ligjit dhe reformat ekonomike, dhe ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit”.

“Ndërkohë që ju festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju si një partner i palëkundshëm dhe aleat. Ne shohim përpara drejt një të ardhme të miqësisë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”
, thuhet mes të tjerash në mesazhin e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG